E Diel, 1 Nëntor 2026

Ne dhe Flamuri ynë jemi të pandarë dhe të pandashëm si materia dhe lënda, si toka dhe qielli

29-11-2012 / Nga Bujar Nishani *

Shqipëria 100 vjet shtet i pavarur, Presidenti Nishani ngre flamurin e pavarësisë në Vlorë

Kremtimi i ditës së madhe, 100 vjetori i pavarësisë nisi me ngritjen flamurit kombëtar, ashtu si plot 1 shekull më parë, bëri plaku i urtë i Vlorës, Ismail Qemali. Nën brohoritjen e shqiptarëve, flamuri kuqezi u valëvit në Sheshin e Flamurit, në prani të presidentit të Republikës, Bujar Nishani, kryeministrit Sali Berisha, kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, kreut të PS-së Edi Rama, kryetarit të bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga dhe kryeministrit Hashim Thaçi, ambasadorëve të akredituar në vendin tonë dhe personaliteteve të tjera të larta.
E gjithë politika shqiptare u bashkua në kryeqytetin e pavarësisë në ditën historike për kombin shqiptar, duke lënë mënjanë problemet dhe retorikat e përditshme.
Në fjalimin historik në këtë 100 vjetor të pavarësisë, presidenti i Republikës, Bujar Nishani deklaroi se udhërrëfyesi i shqiptarëve është flamuri kuqezi që ndër vite është grisur e ndotur, por asnjëherë nuk është mposhtur, ashtu si shqiptarët nuk janë mposhtur e nuk do mposhten kurrë. Kreu i shtetit u shpreh se 28 Nëntori është një moment krenarie dhe nderimi për të gjithë shqiptarët e ndershëm që nuk u prapsën nga rreziqet, që i mposhtën dasitë fetare e krahinore, që besuan në ëndrrën e tyre të madhe e të guximshme dhe që me përkushtim, iu përgjigjën thirrjes të atij viti të madh.
Për kryetarin e bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, motoja e kësaj feste duhet të jetë bashkimi dhe 100 vjetor duhet të shërbejë për të reflektuar.
Ceremonisë së festimeve iu bashkuan edhe 11 shqiptarët e Kosovës që u nisën 18 ditë më parë në këmbë nga Gjilani, për të qenë në Vlorë në 28 nëntor për të përcjellë mesazhin “ne jemi një”.
Ndërkohë, grupi i lajmëtarëve të ardhur në këmbë nga Gjilani i kanë dorëzuar presidentit të republikës flamurin kombëtar shqiptar.
“Ne grupi nga Gjilani që udhëtuan në këmbë. Sollëm amanetin e të parëve tanë që dhanë jetën për atdheun tonë. Rroftë Shqipëria, rroftë kombi shqiptar”, tha një prej lajmëtarëve. “Marshimtarët të trevave shqiptare që kanë marshuar nga Kosova dhe sot janë në Vlorë sjellin mesazhin e bashkimit kombëtar”, tha Nishani ndërsa ka marrë në dorë flamurin. Pas ceremonisë së ngritjes së flamurit personalitete të Shqipërisë e Kosovës kanë bërë homazhe duke vënë kurora me lule te varri i burrit të shtetit, Ismail Qemalit, për të vijuar më tej me prerjen nga presidenti Nishani dhe kryebashkiaku i Vlorës Shpëtim Gjika të tortës së gjatë 12 metër vënë në qendër të sheshit.

Ditëlindja e 100-të e shtetit shqiptar, është ngjarja më e bukur për çdo bashkëkombës, kudo ku jeton, në Shqipëri dhe jashtë saj. Të gjithë, pikërisht sot, e festojmë mes nesh të bashkuar, të lirë, të fortë dhe me miq të shumtë.
Kam nderin dhe privilegjin t’i ndaj me ju këto çaste me anë të këtij mesazhi. Çaste që ndoshta zgjasin vetëm pak minuta, por që janë ndër më të veçantët për mua, ashtu sikurse për çdonjërin prej të gjithë atyre që kanë lindur në këtë vend dhe në trevat shqiptare; për të gjithë bashkëkombësit kudo qofshin; për çdonjërin që krenohet me rrënjët e familjes shqiptare; për çdonjërin që shpalos me dinjitet dhe krenari shenjat më sublime të kombit tonë: flamurin tonë kombëtar.
Prej luftërave të Kastriotëve kundër otomanëve, e deri më sot, simboli ynë, shenja jonë bashkuese, ky Flamur të cilin sot në këtë 100-vjetor jemi mbledhur ta nderojmë, ka bërë rrugë të gjatë. Gjatë kësaj rruge të mundimshme, ia kemi arritur nga Flamuri ynë të mos ndahemi, Flamurit tonë t’i dalim Zot.
Na e kanë rrëmbyer Flamurin, dhe ua kemi marrë përsëri e na është bërë më i dashur.
Kanë provuar të na e çjerrin, të na e grisin Flamurin, dhe s’i kemi lejuar. Janë përpjekur të na e zhdukin Flamurin duke u munduar të na bindin ta harrojmë, dhe ia kanë arritur ta zhdukin për ca kohë, por kemi nxjerrë përsëri ne nga hiri i harresës.
Kanë arritur të na e ndotin duke e ndryshuar, dhe e kanë e ndryshuar për ca kohë, por përgjithmonë nuk kanë mundur ta ndotin e ta mposhtin, as ne e as Flamurin tonë.
Dhe ja ku e kemi sot atë krenar duke u valëvitur.
Historia e vendit tonë në faqet e saj të shkruara e të pashkruara dëshmon qartë dhe bindshëm për gjakun e derdhur, për sakrificat e pafundme dhe mundin për të mbërritur në ditën e lavdishme të mëvetësisë, kur ëndrrat do të fillonin të bëheshin realitet. Kur shpresat e shqiptarëve do të fitonin të drejtën e jetës.
Dhe sot, më shumë se kurrë, ne po jetojmë ditën kur kujtojmë dhe nderojmë punën, vlerën, kontributin e burrave të 1912-ës.
Me respekt, me mirënjohje të thellë, me kurajë për të pranuar çdo kontribut të çmuar, të çdo atdhetari e patrioti që bëri të mundur mbërritjen e ditës së madhe, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, ne kujtojmë dhe nderojmë ata që na bënë shtet të lirë, që na falën dinjitetin kombëtar dhe krenarinë e të qenit shqiptar.
Sot, njëqind vjet më vonë, më në fund, ne i njohim një për një të gjithë emrat e firmëtarëve të Aktit të madh të Pavarësisë, pa turpin e fshehjes së qëllimtë të një pjese syresh. Janë dyzet patriotë, intelektualë, atdhetarë nga të gjitha trevat shqiptare që firmuan aktin e shpalljes së rrugëtimit në liri të Shqipërisë. Është nder dhe krenari për ne që sot të nderojmë secilin prej tyre dhe të gjithë shqiptarët e ndershëm që nuk u prapsën nga rreziqet, që i mposhtën dasitë fetare e krahinore, që besuan në ëndrrën e tyre të madhe e të guximshme dhe që me përkushtim, iu përgjigjën thirrjes të atij viti të madh.
Sot, ne kemi me çfarë të krenohemi. Nuk është më një vend i boshatisur nga vlerat dhe kujtesa historike apo me fotografi dhe dokumente të fshehura dhe të falsifikuara.
Ne nderojmë Ismail Qemal Bej Vlorën, burrin e madh të kombit shqiptar dhe fisnikët trima që u mblodhën kokë më kokë me të.
Nderojmë çdo dëshmor që flijoi jetën e tij për Shqipërinë. Në këtë 100 vjetor të lavdishëm të zgjimit tonë dhe të Flamurit tonë, përulemi thellë para tyre duke kujtuar me respekt të madh sakrificat sublime që prej shekujsh për këtë Flamur shqiptarët kanë bërë. Përpjekjet e papërfytyrueshme të mijëra e mijëra martirëve tanë; lodhjet e tyre, syrgjynosjet e tyre, pasuritë që shkrinë, jetët që dhanë, për këtë Flamur.
Ka qenë rrugë e gjatë, e vështirë.
Një vend i vogël si Shqipëria, pothuaj i papërfillshëm në hartat e fuqive të mëdha, pre e synimeve shoviniste të shteteve fqinje lakmitare, nuk u rrëzua, nuk u shua, u mbajt fort, u ngrit në këmbë, ushqeu me gjakun e vet ëndrrën për liri; shpresën e madhe për pavarësi.
Sepse pati bij të mirë që asnjëherë nuk u ngritën kundër një vendi tjetër. Thjesht deshën dhe mbrojtën trojet e tyre.
Sot ne kemi ëndrra dhe shpresa të mëdha.
Shqipëria e sotme dhe ajo e nesërmja janë vazhdë e ngritjes së Flamurit në Vlorën e 1912-s. Si krijesa të zjarrta të lashtësisë, energjikë dhe shpërthyes, ne shqiptarët dhe Flamuri ynë, nuk mund të ekzistojmë ndryshe veçse në simbiozë me simbolin tonë, me Flamurin tonë. Si të tillë, ne dhe Flamuri ynë jemi të pa ndarë dhe të pandashëm; Si materia dhe mendimi, ideja dhe veprimi, Toka dhe Qielli, Trupi dhe Shpirti jemi një.
Flamuri ynë është nga më të pastrit; në asnjë rast të historisë, Flamuri ynë nuk i priu asnjë pushtimi, asnjë shkatërrimi.
Flamuri ynë na është dashur ne, dhe ne i jemi dashur Flamurit tonë, si simbol mbijetese, si çimento bashkimi.
Aspak për t’i rënë kujt në qafë. Vetëm për të ndihmuar njëri-tjetrin; Flamuri ne, ne Flamurin, edhe ne edhe Flamuri, Shqipërinë dhe shqiptarinë. Të vazhdojmë ta mbajmë të pastër e të paprekur Flamurin tonë, simbolin tonë të shenjtë udhëndriçues dhe bashkues. Ashtu si Dielli ndrit dhe ngroh botën dhe mban gjallë jetën, ne na ndrit, na bashkon, shpirtrat na i ngroh, rrugën na e tregon, ky Flamur. Me pamje frymëzuese, me ngjyra ekzaltuese. Nga më të vjetrit, më krenarët, më madhështorët, më të bukurit në botë, është Flamuri ynë.
Si President i një vendi të lirë dhe demokratik, më shumë se kurrë pranë familjes evropiane, ju uroj:
Gëzuar festën, të gjithë shqiptarëve që në këto 100 vjet një pjesë të jetës së tyre e kaluan të privuar nga e drejta e parë themelore, nga liria!
Gëzuar festën të gjithë shqiptarëve, në Kosovë, në Maqedoni e Malin e Zi;  kudo ku janë në botë, që kanë shijuar ditën e madhe të lirisë kur u shemb muri i lartë i diktaturës!
Gëzuar festën të gjithë djemve dhe vajzave njëzet vjeçare që lindën në liri dhe sot jetojnë ëndrrën që nuk e jetuan dot të parët tanë!
Gëzuar Festën Vlorës heroike!
Gëzuar festën të gjithë shqiptarëve në të gjitha trevat!
Qoftë e bekuar kjo ditë për të gjithë shqiptarët kudo ku janë!
Rroftë Vlora!
Rroftë Shqipëria! Rroftë Kombi shqiptar!

*Fjala e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani në Sheshin e Flamurit në Vlorë

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›