Ne, diplomatët që riatdhesuam eshtrat e Pashko Vasës

PASHKO VASA ne kohen kur ishte guvernator i pergjithshem i libanit
Flet Dalan Buxheli, ish-ambasador në Egjipt.
Nga Bejruti në Shkodër, për të zbatuar detyrën e Enverit
Rikthimi i eshtrave të Pashko Vasës ka qenë një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit 1978. Së paku, për aq sa përmban kronika e kohës. Megjithatë, jehona e ceremonisë në Shkodër nuk mundi të ngjitej në shkëlqimin e pritshëm, pasi përkujtimi me bujë i 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, pikërisht në atë hark kohor, eklipsoi në një masë të konsiderueshme efektet e ndodhisë së rrallë. Më shumë se kaq, vrulli festiv i atyre ditëve anashkaloi si pa u ndier vetë historinë e rilindësit të shquar, që për 86 vite pushonte në dhe të huaj, larg tokës së të parëve që e deshi si rrallëkush. Të vetmit që flisnin ato çaste për të, ishin diplomatët që kishin mundësuar rikthimin e eshtrave të Pashko Vasës, pas një odiseje të gjatë kërkimesh, negociatash e përpjekjesh. Njëri ndër ta, Dalan Buxheli, ish-ambasador në Egjipt, kujton se misioni i atij viti të largët ishte iniciuar drejtpërdrejt nga Enver Hoxha. Unë kam qenë zyrtari i parë shqiptar, shprehet ai, që kam trokitur te autoritet e Bejrutit për të transferuar eshtrat e Pashko Vasës, por jam kundërshtar prerë prej tyre. Sipas Buxhelit, pengesa kryesore lidhej me faktin që vendvarrimi i Vasës ishte vakëf dhe ritet fetare, rregullat e kultit e ndalonin kategorikisht rihapjen e varrit. Gjithsesi, shton ish-diplomati, pas shumë negociatash dhe falë ndihmës së çmuar të komunitetit të shqiptarëve të Bejrutit, ia dolëm mbarë
Zoti Dalan! Gjatë kohës kur ishit ambasador i vendit tonë në Liban, keni kryesuar grupin e punës që është marrë me kthimin e eshtrave të Pashko Vasës nga Bejruti në Shqipëri. Çfarë kujtoni nga ajo periudhë?
Asokohe kam qenë pjesë e misionit diplomatik të Shqipërisë në Egjipt, që mbulonte njëherazi Libanin, Arabinë Saudite, Algjerinë dhe një pjesë të vendeve të Afrikës. Operacioni për kthimin e eshtrave të Pashko Vasës, në të cilin bëja pjesë edhe unë, iu besua një grupi diplomatësh shqiptarë, që operonin në atë zonë të kontinentit të largët në pranverën e vitit 1978. Me sa më kujtohet për finalizimin e tij, kontribuuan shumë nga miqtë e Shqipërisë dhe emigrantët shqiptarë që jetonin në Bejrut
Cilat ishin autoritetet zyrtare që u besuan operacionin për kthimin e eshtrave të Pashko Vasës nga Bejruti?

Dalan Buxheli
Zyrtarisht detyrat i merrnim nga Ministria e Punëve të Jashtme, por për raste të tilla operonim me Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë, i cili orientonte për misione jo të mirëfillta diplomatike, siç ishte rasti i kthimit të eshtrave të Pashko Vasës në atdhe. Atëherë flitej se këtë detyrë e kishte iniciuar drejtpërdrejt Enver Hoxha e kjo parakuptonte angazhim e seriozitet maksimal
Pra, ishte një detyrë e caktuar nga Enveri
Me sa më kujtohet, kthimi i eshtrave të Pashko Vasës ishte pjesë e programit festiv me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Për Enver Hoxhën dhe lidershipin e Tiranës, riatdhesimi i njërit prej korifenjve të Rilindjes Kombëtare, ishte një akt jo vetëm simbolik, por edhe mjaft domethënës. Të bindur e të qartë për rëndësinë e misionit, ne diplomatët e ngarkuar me këtë detyrë bëmë çishte e mundur për ta përmbushur në kohë. Dhe në fakt, ia dolëm mbarë
A patët vështirësi për identifikimin e vendvarrimit të Pashko Vasës?
Kjo çështje ishte e zgjidhur, së paku për ne diplomatët që shërbenim në atë zonë. Madje shumë syresh kishim qenë disa herë te vendvarrimi i Pashko Vasës, në varrezat osmane Hazmieh të Bejrutit. Vasa pushonte në një varr të përbashkët me të shoqen, Katerina Khanum. Vendvarrimi i tyre në krye të varrezave dallohej që nga larg. Vendësit kishin ngritur mbi të një ndërtesë karakteristike dhe në çdo kohë çonin aty lule dhe qiri. Nderimet për Pashko Vasën prej tyre kishte të bënte me kontributet e tij për mëvetësinë dhe prosperitetin e Libanit
Çfarë keni parasysh kur veçoni kontributet e Pashko Vasës për prosperitetin e Libanit?
Pashko Vasa, ky lider i Rilindjes Kombëtare shqiptare, ka qenë një nga autoritetet e larta të Libanit. Aty ka fituar titullin e valiut qysh në rininë e tij, ndërkohë që në vitin 1883 është bërë guvernator i Përgjithshëm i Libanit, post ky i besuar nga një traktat ndërkombëtar, të cilin e mbajti deri në çastet e fundit të jetës. Në enciklopedinë libaneze njihet si figurë me kontribute të jashtëzakonshme për kohën. Në Bejrut, në pjesën perëndimore të tij, ishte ngritur përmendorja e Pashko Vasës me madhësi sa ajo e Enverit në Tiranë. Pikërisht këto ishin arsyet që vendvarrimi i tij në Bejrut ishte lehtësisht i dallueshëm
Atëherë, cilat ishin pengesat që vonuan rikthimin e eshtrave të Vasës në Shqipëri?
E vërteta është se nga shteti shqiptar deri në vitin 1978 nuk ishte bërë asnjë përpjekje për riatdhesimin e eshtrave të tij, edhe pse artikulohej me të madh roli i Vasos si pjesë e Rilindjes Kombëtare. Për herë të parë shteti shqiptar u interesua në pranverën e vitit 1978. Unë kam qenë zyrtari i parë shqiptar që kam trokitur te institucionet libaneze. Të them të drejtën, reagimet e para më bënë pesimist. Autoritet e Bejrutit në asnjë rrethanë nuk pranonin të na jepnin lejen e zhvarrimit. Krahas të tjerave, fakti që vendvarrimi i Vasos ishte vakëf, ishte pengesa kryesore. Sipas rregullave vendëse, një sipërmarrje e tillë ishte e pamundur. Na u desh disa kohë të negociojmë derisa morëm miratimin e tyre.
Çfarë kujtoni nga momentet e negocimit me autoritetet e Bejrutit?
Kur dështova disa herë me radhë në negociatat me zyrtarët vendës, vendosa ti kërkoj ndihmë një mikut tim, gazetar i njohur jo vetëm në Liban, por edhe në Perëndim. Ai mu përgjigj menjëherë dhe shfrytëzoi të gjitha njohjet për ti hapur rrugë operacionit shqiptar, siç cilësohej atëherë nga vendësit sipërmarrja për kthimin e eshtrave të ish-guvernatorit të Libanit në Shqipëri. Shkurt do të thosha se pa këtë ndërhyrje nuk mund ta përmbushnim detyrën, së paku në atë kohë. Pra, 100-vjetori i Lidhjes së Prizrenit do të festohej pa praninë e Pashko Vasës
Kush ishte ky gazetari që kapërceu postbllokun e autoriteteve libaneze?
Ai ishte një mik i sinqertë i Shqipërisë dhe shqiptarëve, që e ndoqi operacionin për rikthimin e eshtrave të Pashko Vasës nga momenti i parë e deri te ceremonia e varrimit në Shkodër.
E quanin Melhem Mobaraku. Me të isha miqësuar që në ditët e para të shërbimit në Kajro. Më herët më kishin folur për të disa nga kolegët e mi, që njiheshin prej kohësh. Një afeksion i hershëm për Shqipërinë ishte bërë shkak i lidhjeve të tij me mjaft shqiptarë, sidomos diplomatë që kishin shërbyer në atë zonë. Disa herë kisha vizituar shtëpinë e tij në Bejrut, ku kishte një bibliotekë të veçantë me 20 mijë libra shqip. E njihte mirë historinë e vendit tonë dhe interesohej vazhdimisht mbi të rejat nga Tirana. Mobarak me ndërhyrjen time vizitoi disa herë Shqipërinë dhe botoi një sërë shkrimesh lidhur me realitetin shqiptar.
Pra, me ndërhyrjen e tij morët lejen për transferimin e eshtrave të Pashko Vasës
Jo vetëm kaq, por Mobarak nuk u shkëput për asnjë çast nga grupi ynë, që m