E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në ditën e dytë të dëshmive në Hagë, radhën në rreshtimin “pro” Kosovës e kanë Shqipëria, Gjermania dhe Arabia Saudite

Pavarësia, në përputhje të plotë me të drejtën Ndërkombëtare


Sot në mesditë Shqipëria paraqiti argumentat e saj përforcues para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Shqipëria është angazhuar që nga fillimi i këtij proçesi me një ekip të njohur ligjor vendas dhe ndërkombëtar, të drejtuar nga juristi gjerman, Profesori Jochen Froëein, Gazmend Barbullushi, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Hollandës, Prof. Jochen Froëein, Këshilltar Juridik - Folës, Prof. Terry D. Gill, Këshilltar Juridik - Folës, Gentian Zyberi, Bashkë-Këshilltar, Ledia Hysi, Drejtoreshë e Çështjeve Juridike dhe e të Drejtës Ndërkombëtare, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë, Sami Shiba, Drejtor për Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë dhe Genc Pecani, Ministër Fuqiplotë, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Hollandës. Me fillimin e proçedurave ligjore para Gjykatës, në fazën e parë që përfundoi në 17 prill 2009, Shqipëria dhe 36 shtete, përfshirë Kosovën, paraqitën qëndrimin e tyre me shkrim para Gjykatës. Në fazën e dytë, që përfundoi me datë 17 korrik 2009, Shqipëria dhe 14 shtete, përfshirë Kosovën, dorëzuan komentet e tyre mbi qëndrimet e datës 17 prill. Thelbi i qëndrimit të Shqipërisë është se pavarësia e Kosovës është plotësisht e ligjshme dhe e bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Në favor të këtij qëndrimi Shqipëria paraqiti një numër të konsiderueshëm argumentesh. Në konkluzion të qëndrimit të saj, Shqipëria i ka kërkuar Gjykatës të deklarojë që Deklarata e Pavarësisë e Kosovës e 17 shkurtit 2008 është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Opinioni këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili nuk është ligjërisht i detyrueshëm, do të jepet nga Gjykata në pranverën e vitit 2010. Sidoqoftë, cilido që të jetë opinioni këshillimor, ai nuk do të ketë asnjë efekt ligjor mbi pavarësinë e Kosovës.


Në ditën e dytë, Shqipëria, Gjermania dhe Arabia Saudite e kanë mbrojtur pavarësinë e Kosovës dhe vullnetin politik të popullit të saj, në paraqitjen e sotme para Gjykatës së Drejtësisë në Hagë. Ndërsa, Argjentina e ka vlerësuar shpalljen e pavarësisë si shkelje të tërësisë territoriale të Serbisë. Sikurse raporton Radio Evropa e Lirë, pas Shqipërisë, edhe Gjermania ka mbajtur një qëndrim të fuqishëm në favor të Kosovës. Atë e ka prezantuar Suzan Vasum Rainer, e cila ka folur për shkeljen dhe diskriminimin masovik në Kosovë nga ana e autoriteteve serbe. Në këtë kontekst, ajo ka vlerësuar se “shpallja e pavarësisë ka qenë në harmoni me ligjin dhe të drejtën ndërkombëtare”. “Gjermania konsideron se pavarësia e Kosovës i ka kontribuar stabilitetit në Ballkan. Shpallja e pavarësisë nuk është bërë nga institucionet e përkohshme, por nga institucionet e zgjedhura në rrugë demokratike, që kanë artikuluar vullnetin e popullit”, tha Rainer, transmeton REL. Sipas saj, “Kosova është një rast i veçantë” dhe sa për shpalljen e pavarësisë, ajo ka thënë se “e drejta ndërkombëtare nuk është kompetente të vlerësojë, sepse këtë çështje nuk e ka të sanksionuar”. Edhe përfaqësuesja e Gjermanisë ka pohuar se Rezoluta 1244 nuk përmban asnjë element me anë të të cilit do të mund të ndalonte pavarësimin e Kosovës. “Shpallja e pavarësisë nuk përbën shkelje të Rezolutës 1244. Kosova përmbush kushtet për të qenë e pavarur, sepse ka popullatën, territorin dhe qeverinë e vet”, ka thënë Rainer. Duke e vlerësuar pavarësinë e Kosovës si një gjendje faktike, e cila s’mund të injorohet, përfaqësuesja e Gjermanisë ka thënë se “parimi i vetëvendosjes në rastin e Kosovës është i pranueshëm si zgjidhja e fundit dhe e vetmja e mundshme për shkak të diskriminimit, shkeljeve masovike dhe të të drejtave të njeriut”. Për njohjen e shtetësisë së Kosovës nga vendet e rajonit, Rainer ka thënë se kjo ka dëshmuar faktin se këto vende i besojnë aftësisë së Kosovës për t’i kontribuar stabilitetit. Në mbyllje, ajo ka rikujtuar 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, duke e cilësuar atë si “ushtrim të së drejtës për vetëvendosje të popullit gjerman”.
Oratori i radhës ka qenë ambasadori i Arabisë Saudite në Holandë, Abdullah Al -Shagrud. Ai ka thënë se duke njohur pavarësinë e Kosovës, Arabia Saudite ka respektuar vullnetin politik të popullit të Kosovës për të qenë i pavarur, duke i kontribuar stabilitetit në rajon. Përfaqësuesi i Arabisë Saudite ka ftuar GJND-në që të ketë parasysh faktin se pavarësia e Kosovës i ka kontribuar stabilitetit të vendit dhe të rajonit.
Në seancën e sotme, ishte vetëm Argjentina ajo që e ka kundërshtuar shpalljen e pavarësisë. Përfaqësuesja e saj, Suzana Ruiz Çeruti, e ka cilësuar deklaratën e pavarësisë në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Argumentimin e saj ajo e ka bazuar në, siç ka thënë, faktin se “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në harmoni me Rezolutën 1244, sepse kështu është ndërprerë procesi politik që do të sillte deri tek marrëveshja ndërmjet dy palëve, si zgjidhje e vetme e mundshme dhe e pranueshme”. Çeruti ka pohuar se “dokumenti nga Ramubeja nuk parasheh të drejtën e pavarësimit të Kosovës”. Përfaqësuesja e Argjentinës ka shtuar se “shkelja e të drejtave të njeriut nuk justifikon të drejtën e shkëputjes së një vendi, por vetëm rikthimin e këtyre të drejtave të shkelura”. Për dallim nga folësit tjerë, ajo ka thënë se është pikërisht GJND-ja ajo që është kompetente të vendosë për këtë çështje. ”Pavarësia e Kosovës ka shkelur parimin e integritetit territorial dhe nuk është në harmoni me të drejtën e popujve për vetëvendosje”, ka konkluduar ajo.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›