E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: OSBE ka një vend qendror në strukturën e sigurisë të hapësirës euroatlantike


Fjala e plotë e zv/kryeministrit Ilir Meta, mbajtur sot në Athinë, në Takimin e 17-të të Këshillit Ministror të OSBE-së, në të cilën ai u ndal gjerësisht edhe tek zgjedhjet e 28 qershorit, të cilat, sipas tij, ishin brenda standardeve dhe prodhuan një koalicion të përkushtuar për integrimin e Shqipërisë në BE


Zv/kryeministri dhe ministi i Punëve të Jashtme Ilir Meta vlerësoi sot gjatë takimit të 17-të, të Këshillit Ministror të OSBE-së, në Athinë, se Shqipëria ka shënuar arritje të rëndësishme në procesin e integrimit evropian. Kreu i diplomacisë shqiptare nënvizoi se Shqipëria zhvilloi zgjedhjet më të mira në histori dhe se vendi po udhëhiqet nga një koalicion partish që janë të përkushtuara tërësisht në integrimin e Shqipërisë në familjen e madhe evropiane. “Gjatë këtij viti, Shqipëria ka shënuar arritje të rëndësishme që janë “gurë kilometrikë” në proçesin e saj të integrimit Euro – Atlantik; jo më pak e rëndësishme ishte dhe organizimi i zgjedhjeve parlamentare të muajit Qershor, të cilat përmbushën shumicën e standardeve të OSBE-së. Si rrjedhojë e votës popullore, Shqipëria tani qeveriset nga një koalicion partish, të cilat janë tejet të përkushtuara dhe po punojnë shumë për të jetësuar aspiratën e gjatë të popullit shqiptar, e në mënyrë të veçantë, integrimin në BE”, u shpreh Meta. Sipas tij, qeveria e tanishme do të mbështetet në zhvillimet inkurajuese në stadin e tanishëm të marrëdhënieve të saj me BE-në që rezulton pas kërkesës për antarësimin e Shqipërisë në BE dhe vendimit më të fundit të Këshillit për të kërkuar opinionin e Komisionit Evropian mbi gatishmërinë e Shqipërisë për t’u bërë vend kandidat. “Shqipëria e vlerëson këtë vendim dhe po bën përgatitjet e duhura për të realizuar hapat e mëtejshëm në këtë proçes, që ne presim t’a kthejë Shqipërinë në një vend kandidat për në BE, brenda afatit më të shpejtë të mundshëm kohor”, tha zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta. Më tej në fjalën e tij, Meta përgëzoi qeverinë e Kosovës për organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme vendore. “Ato ishin të parat zgjedhje pas shpalljes së pavarësisë, të drejtuara tërësisht nga autoritetet vendore. Shqipëria i vlerëson këto zgjedhje si një shembul tjetër i rritjes së shkallës së pjekurisë së popullit të Kosovës dhe përfaqësuesve të tij politikë”, deklaroi zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›