Në dorë të kujt kemi rënë?
Provimi i shtetit ka nxjerrë në pah mjaft mangësi në formimin profesional. Shumë prej kandidatëve nuk kanë mundur ti mbijetojnë provimit. Drejtori i agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj, deklaroi se në çdo degë, rreth 20 përqind e kandidatëve pjesmarrës kanë qenë mbetës. Përqindja e kandidatëve mbetës është tepër e lartë sidomos në degën infermieri. Deri në 40 përqind e studentëve në këte degë nuk kanë mundur ta kalojnë provimin. “Shifrat e përafërta janë rreth 550 kandidatë mbetës në farmaci, 150 në stomatologji, 160 në mjekësi, 35 mami, 325 në infermieri, etj. Kështu përqindja e mbetësve varion nga 20- 45 përqind për profesion, informoi Alfons Harizaj, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Provimeve.
Këto shifra mbeten shqetësuese, kur dihet se në degët e mjekësisë konkurojnë ata që kanë notat dhe pikët maksimale në maturën shtetërore, ndërkohë që ato dëshmojë, në fakt, nivelin e dobët të infermierëve dhe farmacistëve që do tiu shërbejnë popullatës në vitet në vijim. Ndërkohë nga autoritetet e arsimit ende nuk është bërë një analizë, se si është raporti i mbetësve që i përkasin universiteteve publike në krahasim me ato private. Urdhrat përkatës si ai i Infermierit apo i Farmacistit, pritet që javën tjetër të japin një analizë të detajuar rreth cilësisë së studentëve të diplomuar në këto universitete.
Sipas rregullores MASH, provimi i shtetit realizon garancitë publike për përgjegjësitë, që sjell ushtrimi i një profesioni të rregulluar, dhe kryen testimin e njohurive të kandidatit, që aspiron ushtrimin e një profesioni të rregulluar, duke siguruar uniformitet në vlerësimin e kandidatëve, në nivel kombëtar, përmes verifikimit të aftësive të nevojshme profesionale, sipas specifikave të çdo profesioni. Përmbajtja e provimit të shtetit hartohet në përputhje me fushën e veprimtarisë profesionale. Pas përfundimit me sukses të provimit të shtetit, kandidatit i jepet titulli profesional përkatës. Provimit të shtetit, për të marrë licencën e ushtrimit të profesionit do ti nënshtrohen ata kandidatë që i kanë përfunduar studimet në degë që janë profesione të rregulluara me ligj. Bëhet fjalë për të gjithë studentët e diplomuar në: Farmaci, Mjekësi, Stomatologji, Infermieri, Mami, Fizioterapi, Veterineri, Arkitekturë, Inxhinieri, Mësuesi, si dhe në disa degë të tjera që ofrojnë shërbime për popullatën, që për të marrë një licencë si profesionist, duhet të kalojnë me sukses këtë testim.
Degët e provimit të shtetit
Farmaci
Mjekësi
Stomatologji
Infermieri
Mami
Fizioterapi
Veterineri
Arkitekturë
Inxhinieri
Mësuesi
Si dhe në disa degë të tjera që ofrojnë shërbime për popullatën
40 % përqind është niveli i ngelësve në provimin e shtetit për degën farmaci
60 % është niveli i ngelësve në provimin e shtetit në degën infermieri
20 % është niveli i ngelësve në degët e tjera në provimin e shtetit
