E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fakultetet, ambiente me qera për mësimin

03/08/2009  Universiteti i Tiranës : Në mungesë kapacitetet fizike për pritjen e studentëve

Nisja e vitit akademik në Universitetin e Tiranës do të shoqërohet me probleme, që sipas drejtuesve janë të pashmangshme, pasi mungojnë ambientet fizike për përballimin e prurjeve të shumta që janë miratuar për pranimet e 2009-2010-s. Problematike situata mbetet për dy fakultetet më të kërkuara të UT-së, siç është ai Drejtësisë dhe Shkencave Sociale, që nuk kanë një godinë fikse se ku do të zhvillojnë procesin mësimor. Këto të fundit prej më se një viti mësimin e zhvillojnë sa në një institucion në një tjetër. Rektori Kule ka pohuar se rritja e pranimeve edhe për vitin e ardhshëm do të shoqërohet me marrjen e ambienteve me qira për të zhvilluar leksionet dhe seminaret e për secilin program mësimor.

Ambientet

Viti i ardhshëm akademik për UT-në do të shoqërohet me marrjen e ambienteve të shumta me qira, të cilat do të jenë në dispozicion të dy fakulteteve përkatëse për pritjen e studentëve. Shkak për këtë, sipas drejtuesve, bëhen procedurat burokratike, të cilat kanë penguar mbylljen e punimeve në kohë për rikonstruksionin e këtyre godinave dhe kthimin e tyre në gjendje të përshtatshme për të zhvilluar mësimin. “Nga pikëpamja e ambienteve, do ta fillojmë me probleme sa të mbyllet procesi i rikonstruksionit të ambienteve të godinës së Fakultetit Juridik dhe Shkencave Sociale për vonesa dhe shtyrje të pajustifikuara të burokracisë”, - ka pohuar rektori Kule. Ndërkohë ai ka shtuar se përkundrejt këtij problemi është shtuar numri i kuotave që do të ulen në auditorët e fakulteteve të UT-së krahasuar me një vit më parë. Në një raport të publikuar pak kohë më parë është theksuar se hapësira fizike që studentët tanë gëzojnë në auditorë është disa herë më e ulët sesa në vendet e Evropës. Monitorimi i bërë ka treguar se “për Fakultetin e Shkencave Sociale ky tregues arrin në 0.4 metër katror për student, për Gjuhët e Huaja 0.5 dhe për degën e Juridikut 0.6 metër katror për student”. Ndërsa pranë Universitetit Politeknik rezulton se raporti sipërfaqe në metër katror për studentë luhatet në kufijtë nga 1.1 metër katrorë në 3.3 metër katrorë. Ndërsa pranë fakulteteve evropiane është përcaktuar se hapësira që duhet të gëzojë një student në auditorë duhet të jetë rreth 3.5 metër katrorë. Kjo tregon kapacitetet në mungesë të universiteteve tona krahasuar me universitetet e vendeve fqinje.

Stafet

Pavarësisht shtimit të kuotave të pranimit të studentëve të rinj për vitin e ardhshëm, Kule ka pohuar se një lajm i mirë për UT-në është fakti se janë marrë masa për sigurimin e stafeve akademike për të përballuar prurjet. "Rreth 7 mijë studentë do të jenë pjesë e auditorëve tanë mbetur në nivel propozimi, pasi të drejtën për të marr vendime e ka qeveria. Flasim për ciklin e parë të studimeve dhe nga pikëpamja e stafit akademik i plotësojmë tashmë kriteret me numrin e ri të pedagogëve që kemi rekrutuar. Kurrikulat tashmë janë të përshtatshme", - ka pohuar Kule. Sipas tij, për 2009-2010 janë shtuar rreth 700 kuota pranimi më shumë të shpërndara sipas degëve përkatëse të fakulteteve të UT-së. Pak ditë më parë gjithashtu janë miratuar edhe kuotat e pranimit nga qeveria, e cila mbas propozimeve të bëra nga vetë fakultetet ka miratuar më shumë se 21 mijë të drejta studimi në universitetet publike në të gjithë vendin. Ndërkohë fluksi i kërkesave për studimet e larta është shoqëruar me një rritje të ndjeshme krahasuar me kërkesat e bëra gjatë vitit të shkuar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›