E Diel, 1 Nëntor 2026

Ne dy vite, 200 milion leke investime ne Selenice

Gjatë dy viteve të fundit, në Bashkinë e Selenicës, 30 km në lindje të qytetit të Vlorës, janë realizuar apo janë në proces, projekte më një vlerë prej rreth 200 milionë lekë, të financuara nga qeveria. Kryetari i kësaj njësie të qeverisjes vendore, Ilia Seferi, tha se këto investime janë 10 herë më të mëdha në vlerë, krahasuar me periudhën 2003-2005. Vetëm gjatë këtij viti në këtë qytet investimet me fondet e buxhetit të shtetit, kapin masën e 150 milionë lekëve, ose mbi 15 herë më shumë krahasuar me vitin 2005. Kryebashkiaku Seferi thotë se gjatë katër viteve të fundit, në qytetin e Selenicës, janë financuar projekte me një vlerë prej mbi 220 milionë lekësh, të cilat e kanë transformuar atë. Krahas kësaj, përmes një fondi prej 125 milionë lekësh, përfundoi 10 muaj më parë, rikonstruksioni i rrugës Vlorë-Selenicë, duke zgjidhur për herë të parë në shumë dekada shqetësimin e banorëve të kësaj zone. Gjatë këtij viti në qytetin e Selenicës janë në proces dy investime madhore, mes të cilave ai i ndërtimit të ujësjellësit dhe i rrugës së lagjes Resulaj.  85 milionë lekë është vlera e projektit të ndërtimit të ujësjellësit, që është investimi më i rëndësishëm, që është kryer ndonjëherë për furnizimin me ujë të pijshëm të Selenicës  dhe që zgjidh për herë të parë dhe përfundimisht këtë shqetësim të hershëm të komunitetit të banorëve. Pjesë e investimit, do të jetë stacioni i pompave, i parashikuar me teknologjinë e nevojshme për të mos u bllokuar nga rritja e nivelit të ujrave të lumit Vjosë, si dhe ndërtimi i linjës kryesore të furnizimit, nga shtrati i këtij lumi deri në qytet. Stacioni aktual i pompave të ujësjellësit të Selenicës, i një teknologjie të vjetëruar, të paktën 40 vjecare, defektohej shpesh apo dilte jashtë funksionit për shkak të rritjes së nivelit të ujrave të lumit Vjosë në ditët me reshje intensive, duke lënë qytetin pa ujë të pijshëm. Dy vjet më parë u financua faza e parë e projektit, ku u rehabilituan linjat e furnizimit në 70 për qind të gjatësisë së përgjithshme. Paralelisht me këtë po punohet për ndërtimin e rrugës, që lidh qytetin me lagjen Resulaj, me gjatësi mbi 3 km, si dhe për sistemim asfaltimin e disa segmenteve të brendshme, me një vlerë të përgjithshme prej rreth 70 milionë lekësh.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›