Qeveria do ta beje Kavajen nje prej qyteteve me moderne te Shqiperise

Kryeministri Sali Berisha deklaroi të mërkurën pasdite, gjatë një takimi me banorë të qytetit të Kavajës, se "qeveria do të sjellë në qytetin e Kavajës të gjitha investimet për ta bërë atë njërin prej qyteteve më moderne të Shqipërisë". Zyra e shtypit e Kryeministrisë bëri të ditur se Kryeministri Berisha vuri në dukje në këtë takim se "në qytetin e Kavajës gjatë këtyre katër viteve, në qytet, në komuna, ne kemi investuar 5 miliardë e 800 milionë lekë, ndërsa socialistët investuan gjithsej 180 milionë lekë. Pra, ne kemi investuar 25 herë më shumë", duke shtuar se unë jam i bindur, se ju meritoni jo 5 miliardë e 800 milionë, por 58 miliardë. Kreu i qeverisë u shpreh se "në këto katër vite ne kemi asfaltuar në qytetin e Kavajës dhe në komunat e saj 160 kilometra rrugë. Zotimi im para jush është se në katër vitet që vijnë nuk do të ketë më pëllëmbë rrugë në këtë qytet të pa asfaltuar". Në këto vite, vijoi Kryeministri Berisha, ne kemi investuar në përpunimin e ujërave të zeza; ndërtuam ujësjellësin e Manskurisë.
Ai tha se "jam këtu për t’u zotuar se brenda gjysmës së parë të mandatit të dytë, Kavaja, ky qytet i bekuar, do të ketë 24 orë ujë të pijshëm, ndërsa në katër vitet që vijnë, Kavaja, e cila e ka shpitin sportdashës më të madh se çdo qytet tjetër, do të ketë stadiumin e lojërave me dorë, ndër më të bukurit në Shqipëri, si dhe po përfundon edhe ndërtimi i Pallatit të Kulturës". Kryeministri Berisha theksoi se "në këto katër vite të mandatit ne ia dolëm të shënojmë në Shqipëri ndryshimet më të mëdha se asnjëherë më parë. Ia dolëm t’i japim Shqipërisë një emër të mirë në botë, Shqipëria në NATO, Shqipëria me kërkesën e paraqitur me konsensus të plotë për kandidate për anëtare në Bashkimin Europian, Shqipëria më e mira në Ballkan, në dhjetëshen më të mirë në botë në luftën kundër korrupsionit, qeveria e Sali Berishës, kampione për reformat në luftën kundër korrupsionit, Shqipëria, e dyta në botë për klimë e biznesit. Unë dua t’ju shpreh gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e madhe që më keni dhënë, të shpreh krenarinë time që sërish do t’ju përfaqësoj ju dhe mbarë shqiptarët në parlamentin e ardhshëm", nënvizoi kreu i qeverisë. Ky qytet, vijoi kryeministri Berisha, është djep demokracie, ky qytet është djepi i mençurisë demokratike, ndaj unë ju bëj thirrjen më vëllazërore; t’i bëjmë këto zgjedhje, më të bukurat, më të lirat, më të ndershmet, për të nderuar në radhë të parë sakrificën tonë, për të nderuar dinjitetin tonë, të fëmijëve tanë, fytyrën, nderin tonë para vendit dhe Europës. "Ndaj dhe le t’i marrim të gjithë letërnjoftimet e reja, të shkojmë të gjithë në votime", tha kreu i qeevrisë. Duke folur për opozitën kryeministri Berisha u shpreh se "opozita është në pikën e saj më të çoroditur se kurrë ndonjëherë. Ajo po rend sot nëpër Shqipëri si njeriu pa kokë. Ndaj unë dua t’i bëj thirrje Edi Ramës; lëshoje karrigen e bashkisë së Tiranës, shko dhe regjistrohu si kandidat për deputet".
...