E Diel, 1 Nëntor 2026

“Në dy vitet e para të mandatit që vjen, prioritet përfundimi i rrjeti rrugor”

20-11-2012 / Gazeta 55

Buxheti i 2013-ës, më i madhi në historinë e Shqipërisë – prioritet infrastruktura, pagat dhe pensionet

Prioritetet e buxhetit të ardhshëm, rritja e pagave dhe pensioneve – përfitojnë direkt 820 mijë familje. Buxheti parashikon një deficit buxhetor ndër më të ulëtit në Evropë, 3.4 për qind. Buxheti parashikon të paktën 5.5 miliardë lekë që i mbeten biznesit nga buxheti

Kryeministri Sali Berisha prezantoi dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave buxhetin e vendit për vitin 2013, si dhe disa prej drejtimeve kryesore ku do të përqendrohet ai. Kryeministri tha se edhe në vitin e 100 vjetorit të pavarësisë, vendi do të ketë buxhetin më të madh, si rezultat i punës së shkëlqyer të bërë nga institucionet, agjencitë dhe ministritë, në përmirësimin në rritje të klimës së biznesit, në forcimin e mëtejshëm të disiplinës fiskale dhe performancës së institucioneve respektive, tatime e dogana, si  rezultat i investimeve thelbësore të bëra në fusha shumë të rëndësishme të vendit. 
Kreu i qeverisë deklaroi se buxheti, i cili në total arrin në shifrën e 409 miliard lekëve shpenzime, parashikon një mbështetje të fuqishme të stabilitetit makroekonomik dhe rritjes ekonomike. Në këtë kontekst, Berisha u shpreh se buxheti është një kontribuues i madh në rritjen ekomomike të vendit dhe punësimin e shqiptarëve.
“Buxheti në total arrin në 409 miliard lekë shpenzime, më të mëdhatë në historinë  këtij vendi. Buxheti parashikon një mbështetje të fuqishme të stabilitetit makroekonomik dhe rritjes ekonomike. Rritja ekonomike e shoqëruar me konsolidim të stabilitetit makro-ekonomik janë zhvillimet më rëndësishme aktuale për një buxhet. Ky buxhet është një kontribuues i madh në rritjen ekomomike të vendit dhe punësimin e shqiptarëve. Me 409 miliard lekë shpenzime, kjo përbën një nxitje të fuqishme të punësimit, krijimit të mijëra vendeve te reja të punës nga sektori publik dhe investimet publike. Kjo përbën një rritje të madhe të shpenzimeve, rritje të fuqisë blerëse, e cila në dallim nga ajo që shpalli kollagerët e krizës ka këtë vit rritjen prej 25 për qind. Buxheti është bazuar në një rritje reale prej 4 për qind vitin e ardhshëm dhe kjo është një rritje, le të themi, me rezerva, sepse mund të jetë rritje edhe më e madhe”, u shpreh Berisha.
Kryeministri informoi se 500 milionë dollarë nga ky buxhet do të vihet në dispozicion të infrastrukturës, duke theksuar se rrugët do të mbeten sërish përparësia absolute. Brenda dy viteve të mandatit të ardhshëm, tha Berisha, rrjeti rrugor do të ketë përfunduar së ndërtuari.
“Në këtë buxhet, të dashur qytetarë, dua t’ju informoj se 500 milionë dollarë do të shkojnë përsëri për rrugët e këtij vendi, rrugë nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, rrugë nga Fondi Rural dhe pa llogaritur këtu diçka nga Fondi i Rajoneve. Pra, rrugët do të mbeten përparësi absolute. Edhe njëherë, kërkoj mirëkuptimin e qytetarëve; projekti i rrugëve është projekt jetik i zhvillimit. Është një zotim solemn që dy vitet e para të mandatit që vjen, rrjeti rrugor do të ketë përfunduar së ndërtuari”, tha kryeministri.
Ai vlerësoi se fakti që sot ekonomia shqiptare është jashtë vorbullës së krizës lidhet me reformat për klimën e biznesit dhe investimet në rrugë e infrastrukturë.
“Në qoftë se ne përballuam me sukses krizën, unë ju garantoj se vetëm 2 arsye kanë qenë më madhoret; reformat për klimën e biznesit dhe investimet në rrugë e infrastrukturë. Është e faktuar në mënyrën më të përsëritur nga studime serioze të BB-së dhe institucioneve të tjera se çdo dollar i investuar në rrugë, kthen pesëfishin e fitimit, 4.6 deri në 5 herë fitim. E kthen këtë fitim, valorizon tregun e tokës, inkurajon kudo prodhimin, inkurajon bizneset e reja. Nëse ndiqni ekranet e televizioneve, në mëngjes, por edhe në kohë të tjera dhe, po të shihni edhe mesazhet që me vijnë mua në telefonin tim, ato lidhen me tema të tilla si, ‘kemi nevojë për rrugën tonë, duam rrugën tonë’, sepse njerëzit konsiderojnë rrugë të tyre atë rrugë që u kalon para shtëpive. Akset kombëtare janë akse kombëtare dhe janë jetike, por popullata është e shpërndarë në të gjithë territorin. Ai ka të drejtë të kërkojë rrugën, ai është i bindur se mund të jetojë aty ku është, nëse ne ndërtojmë rrugën, nëse ne ndërtojmë shkollën, qendrën shëndetësore, edhe ai mund të ndërtojë një fermë. Pra rruga, sigurisht së bashku me shkollën, energjinë, është korridori i zhvillimit. Ndaj dhe ne do të vazhdojmë të ndërtojmë rrugën”, theksoi kryeministri.
Kreu i ekzekutivit deklaroi gjithashtu se buxheti i vitit 2013-ë nxit rritjen e pagave dhe pensioneve. Duke u ndalur tek rrogat, kryeministri tha se rrogat e zyrtarëve të lartë do të rriten vetëm me 1 për qind dhe nuk do të indeksohen, duke mos krijuar në këtë mënyrë diferenca të mëdha me pagat e tjera më të ulëta. Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se rrogat e mësuesve dhe pensionet do të rriten 2 herë më shumë se sa është inflacioni dhe jo vetëm do të indeksohen, por do të rriten edhe njëherë më shumë se sa indeksi i çmimeve.
“Sigurisht që rritja e rrogave e pensioneve nuk mund të mungonte. Ndaj dhe është vendosur që rrogat të rriten, duke nisur nga 1 për qind që janë rrogat e zyrtarëve të lartë. Këto rroga nuk indeksohen. Ky është parim në platformën tonë dhe, kur unë shkoj para mësuesit dhe zotohem para tyre se diferenca e rrogave midis Kryeministrit dhe jush, nga 9 me 1 që ishte, ka zbritur në 4.5 dhe do të ngushtohet edhe më tej, unë duhet t’i qëndroj kësaj, sepse do të shkoj sërish te ky mësues. Ndaj këto rroga, të lartat, do rriten më pak. Rrogat e mësuesve do të rriten 2 herë më shumë se sa është inflacioni. Pra, jo vetëm do të indeksohen, por do të dopjo-indeksohen. Ky është qëndrimi ynë, qëndrim të ngjashëm ka me rrogat e infermierëve, mjekëve dhe rroga të tjera. E thashë edhe njëherë, rrogat më të larta mbeten me 1 për qind rritjeje. Ky është një sinjal i mirë. Pensionet do të rriten dy herë më shumë se inflacioni. Pra jo vetëm indeksohen, por rriten edhe njëherë më shumë se sa indeksi i çmimeve. Nuk mund të pranohet që të rrijë as në vend numëro e as të bëhen hapa pas në nivelin e jetesës. Ky buxhet garanton 820 mijë familje shqiptare, të cilët marrin rroga apo pensione mujore nga shteti, se ato të ardhura mujore do të spostohen në një nivel të ri”, u shpreh kryeministri.
Berisha e cilësoi buxhetin e vitit 2013 një arritje historike, i cili përmbush më së miri nevojat e vendit, në kohën e krizës më të thellë që ka përfshirë zonën e euros, vendet e rajonit dhe vende të tjera në botë. Sipas tij, buxheti parashikon një deficit buxhetor ndër më të ulëtit në Evropë, 3.4 për qind. Ndërsa, parashikon të paktën 5.5 miliardë lekë që i mbeten biznesit nga buxheti.
“Dhe këtu nuk janë llogaritur heqja e TVSH-së për makineritë, nga ku, vetëm me heqjen përfundimtare të  TVSH-së për makineritë, nga buxheti i shtetit i mbeten biznesit 50 milionë dollarë. Nuk janë llogaritur këtu heqja e TVSH-së së çimentos e çelikut për hidrocentralet dhe disa tarifa të tjera. Natyrisht, qeveria bën gjithçka për të ndihmuar biznesit dhe do të vijojë të bëjë. Buxheti bazohet në një reformë të thellë në disiplinën fiskale. Janë ndërmarrë disa masa ndër më të  avancuarat në ndonjë vend, për të shmangur evazionin fiskal”, deklaroi më tej kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›