Ne e kemi vrarë Konomin!
Nga Mero Baze
Të parët që ndihmuam në moszbulimin e çështjes jemi ne, gazetarët. Tamam ne, gazetarët që nuk e kemi mirë me pushtetin. Ne përmendëm si pistë konfliktin për pronat në Gjirin e Lalzit, konfliktet e viktimës me trashëgimtarë pronash që përfaqësoheshin nga njerëz të afërt të Berishës si Blendi Fevziu apo Samir Mane, përmendëm pastaj që aty po bëhen investime të mëdha për turizmin, përfolëm fëmijët e kryeministrit dhe zyrtarët e Drejtorisë së Kthimit të Pronave, ilustruam fuqinë e njerëzve të pushtetit dhe pafuqinë e pronarëve kudo që ndeshen me ata…
Në çdo sistem tjetër veç këtij tonit, këto paralajmërime gazetarësh do të kishin nxitur sistemin e drejtësisë të fillonte hetimet dhe ti shkonte të vërtetës në fund. Sistemi jonë, tashmë i kapur që nga roja i gjykatës dhe Prokurorisë deri tek Presidenti i gjymtuar nga pushteti i Berishës, këto sinjale të shtypit i merr si sinjal për të mos hetuar.
Gjyqtari Konomi mund të jetë vrarë për gjithfarë arsyesh, edhe pse më e besueshme është kjo e pronave, por fakti që ne treguam me gisht mbi njerëzit e fortë të pushtetit, me të cilët ai ishte në konflikt, është një urdhër i heshtur për gjithë sistemin të punojë për moszbulimin e vrasjes së tij.
Dhe nuk përfunduam deri këtu. Sapo sistemi mori sinjalin se viktima është një njeri që mund të jetë ndeshur me njerëz të pushtetit, kanë filluar sipas familjes së tij një sërë persekutimesh të tjera pas vdekjes, duke mos zbatuar vendimet e gjykatave për pronën dhe duke iu rihapur procese për tua rimarrë ato. Ideja se viktima nuk qenka yni ka ndërsyer sistemin kundër tij dhe pas vdekjes, qoftë dhe pa ndonjë udhëzim konkret.
Blendi Fevziu, Samir Mane apo gjithkush tjetër ndoshta skanë asnjë lidhje me vdekjen e tij dhe as me konfliktet e tij. Fakti që emrat e tyre u lakuan dhe fakti që njihen si njerëz të pushtetit, ka angazhuar sistemin kundër tij dhe hetimit të vdekjes së tij. Ka ndodhur pak a shumë ajo që ka ndodhur me vrasjen e deputetit socialist Fatmir Xhindi në Fier më 2009, apo vrasjen e një kryetari komune socialist në Kukës, ku arsyet për vrasje mund të mos jenë politike, por arsyeja e mos-hetimit dhe mos-gjetjes së vrasësit është produkt i klimës politike që krijon sistemi ndaj armiqve të pushtetit apo njerëzve të pushtetit.
Nëse kujtoni deklaratat e Eduard Halimit një ose dy ditë pas vrasjes së Konomit, do të kujtoni se ai ka thënë jemi afër kapjes së vrasësit, por s’po e tregojmë për arsye hetimi. Një vit më pas nuk ka as vrasës dhe as të dyshuar, përveç paranojave të opinionit publik. Eduard Halimi ose ka gënjyer atëherë si mashtrues ordiner, ose sapo ka kuptuar se vrasësi është me Atë, e ka lënë të lirë.
Të gjithë e mbajmë mend Bujar Nishanin kur tha se vrasësi i Fatmir Xhindit është identifikuar dhe po presim ta kapim. Shkoi mbi tre vjet dhe as është kapur dhe as është identifikuar. Pra, jemi para një fenomeni që e tejkalon paaftësinë e sistemit tonë të drejtësisë apo policisë për të hetuar dhe gjetur vrasësit. Jemi para një defekti më të madh dhe më të rëndë, para reagimit klasor të sistemit ndaj krimit.
Nëse krimi ndodh ndaj dikujt që është armik i pushtetit apo i papëlqyer i tij, askush nuk heton më. Larg qoftë nëse viktima përflitet se ka qenë dhe armik i rrethit të afërt të Berishës, jo vetëm që nuk zbulohet, por i nxihet jeta dhe pas vdekjes duke e çuar të keqen ndaj tij deri në fund duke bërë aleancë dhe me vrasësin ende të panjohur. Ky është një zhvillim degradues më i rëndë se sa paaftësia. Ky është një qëndrim klasor ndaj krimit, një prirje e rrezikshme e regjimeve autoritare të korruptuara, të cilat duan të frikësojnë shoqërinë jo vetëm me fuqinë e pushtetit dhe parasë, por dhe me krimin e rrugës dhe mbi të gjitha me sigurinë që armiqtë e armiqve të pushtetit nuk i prek kush.
Është kjo arsyeja që them se unë si gazetar, dhe të tjerë kolegë si unë, i kemi bërë dëm hetimit dhe zbardhjes së vrasjes së gjyqtarit Konomi. E kemi bërë pa dashje në përpjekje për të bërë detyrën tonë, por në një vend ku të gjithë bëjnë detyrat e pushtetit, detyra jonë ka ndihmuar fshehjen e krimit. Sikur të mos ishim ndjerë, sikur të mos flisnim pse mund të ishte vrarë, sikur të mos përmendnim Fevziun apo Manen, që mund ti kemi përmendur dhe kot, sikur të mos flisnim për Gjirin e Lalzit ku banon gjithë blloku i ri i Berishizmit, sikur të mos flisnim për pazare të njerëzve të afërt të familjes me të, ndoshta vrasësi ishte gjetur dhe dënuar dhe familja e tij do të ishte më e qetë.
Sot nuk është i qetë askush, as familja e tij, as gruaja, as prindërit. Për të vetmit që ndjehem mirë që nuk janë të qetë, janë gjyqtarët, ata të cilët janë bërë pjesë e këtij sistemi frike dhe depersonalizimi në Shqipëri, ata të cilët para se të gjykojnë nuk lexojnë dosjen e viktimës, por humorin e pushtetit. Dhe në varësi të tij të gjykojnë ose ndëshkojnë. Vrasësin e kolegut të tyre e ka shpëtuar mënyra si ata sillen me njerëzit që përfliten se janë në konflikt me pushtetin. Si ata njësoj sillen policët, prokurorët, administrata, taksidarët dhe gjithë piramida e pushtetit që nuk bazohet tek ligji, por tek raporti personal me pushtetin dhe përdorimi kundër opozitarëve të pushtetit. E kanë parë si shpërblim deri më sot këtë mënyrë të menduari dhe të vepruari. Duhet ta dinë se ndonjëherë mund tu kthehet dhe në ndëshkim.
