PS letër Nishanit: Mos neglizho detin, do jesh fajtor sa Berisha
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste i është drejtuar me një letër Presidentit të Republikës Bujar Nishani duke shprehur shqetësimin për mënyrën se si autoritetet greke sillen me shtetasit shqiptarë, duke i penguar pa arsye të hynë në kufi, siç ishte rasti gazetarit Marin Mema. Gjithashtu në letër deputetët e opozitës ndalen edhe në çështjen e mprehtë mes Shqipërisë dhe Greqisë që lidhet me kufirin detar. Deputetët në fillim të letrës theksojnë se mënyra e zgjedhjes si President dhe ushtrimi deritanishëm i detyrës nuk lë asnjë vend për të shpresuar se zoti Nishani do të këtë vullnet dhe aftësi për të vijuar punën i pavarur nga kryeministri Berisha: “Kemi ndjekur me shqetësim dhe indinjatë incidentin më të fundit ku një gazetari të mirënjohur shqiptar, iu ndalua hyrja në shtetin grek dhe u shpall persona “non grata” me arsyetimin se përbën “kërcënim për sigurinë kombëtare” të vendit fqinj. Ne dhe publiku, jemi tërësisht të ndërgjegjshëm se ky është veç rasti më flagrant e më i bujshëm thuhet në vijim të letrës, i një sjelljeje që nuk i përket as kohës kur jetojmë e as vlerave e standardeve të Bashkimit Europian ku fqinji ynë është i anëtarësuar e ku ne dëshirojmë të integrohemi. Incidente të tilla ka pasur jo pak në harkun e këtyre viteve. Qytetarë të thjeshtë, gazetarë, gjyqtarë por edhe vetë përfaqësuesit politik të shtetit, theksojnë deputetët socialistë janë përballur me të njëjtin trajtim aspak dinjitoz në kufirin mes dy vendeve tona, edhe pse faji i tyre i vetëm ka qenë, sipas rastit, shënimi i vendlindjes së tyre në kartat e identitetit, prononcimi në publik për çështje sensitive që meritojnë një zgjidhje bazuar në frymën e fqinjësisë së mirë dhe reciprocitetit apo dhënia e vendimeve gjyqësore në përputhje të plotë me ligjet e Kushtetutën e Shqipërisë. Deputetët socialistë shprehin shqetësimin për reagimin e deritanishëm pas këtyre incidenteve kur thonë se ” Ajo që na fyen e indinjon edhe më shumë janë reagimet e dobëta e me gjysmë zëri të autoriteteve shtetërore të vendit tonë ndaj këtyre incidenteve e këtyre veprimeve që shkelin hapur të drejtat themelore të shtetasve të Republikës së Shqipërisë, e që përbëjnë njëherësh një fyerje të dinjitetit kombëtar të gjithë popullit shqiptar në këtë vit jubilar të pavarësisë së vendit tonë” Parlamentarët socialist i shprehen në letër se për presidentin Nishani, “nuk është koha për të pritur por është koha që të përmbushni detyrimin moral e kushtetues duke reaguar diplomatikisht, në mënyrën më energjike, ndaj çdo cenimi të të drejtave e dinjitetit të qytetarëve shqiptarë, çka fatkeqësisht, deri më sot, nuk ka ndodhur nga autoritetet e vendit tonë. Opozita thekson se është thuajse e sigurt se këto incidente të përsëritura, nuk përbëjnë klimën e duhur për të zhvilluar negociata për marrëveshjen e detit duke garantuar publikun se do jetë një proces tërësisht transparent, i drejtë dhe i barabartë, larg hijes së nënshtrimit, që do të përmbushë plotësisht e pa asnjë ekuivok detyrimin absolut për të garantuar përtej çdo dyshimi tërësinë territoriale dhe sovranitetin kombëtar të Republikës së Shqipërisë.