Në flagrancë
Ngahera, por sidomos përgjatë këtyre katër viteve, marrëdhëniet e marifetçiut kryepushtetar me komunitetin ndërkombëtar (këto janë të vetmet marrëdhënie që ai ka, pasi opozitën dhe opozitarët i ka denigruar, persekutuar dhe vrarë) thelbësisht përshkruhen nga tre postulate diabolike të vjetra sa vetë njerëzimi: djalli mashtron me mirësi, djalli fle në detaje, djalli thotë përthyeje ligjin si një shkop bambuje, por mos e thyej atë. Komisionet e jashtëligjshme parlamentare që kryemarifetçiu ka ngritur përgjatë këtyre viteve për të persekutuar opozitarët dhe komisionet parlamentare që ka refuzuar në mënyrë të paligjshme të ngrejë për të hetuar çështjet që lidheshin me manipulimin e rezultatit zgjedhor të zgjedhjeve të 2009-s duke përdorur (paradoksalisht) ekzaktësisht të njëjtën bazë ligjore (!!!) janë shembuj klasikë të përdorimit me mjeshtëri diabolike prej tij të këtyre postulateve famëkeq
Nga ana tjetër, partnerët perëndimore sigurisht që janë të vetëdijshëm që janë mashtruar me mirësi nga kryemarifetçiu, sigurisht që e kanë parë dhe identifikuar qartazi djallin në detajet e servirura nga ky i fundit dhe sigurisht që e kanë parë ligjin të përthyhet si një shkop bambuje sa herë që kryemarifetçiu ka persekutuar në mënyrë inkuizitoriale opozitare dhe titullarë institucionesh të pavarura (kryeprokurorë a drejtorë shërbimesh inteligjente), por ata udhëhiqen nga postulate të tjera në punët e tyre, si p.sh gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa i provohet fajësia…
Lirimi që iu bë nga parlamenti një prej anëtarëve të KQZ, vetëm me rendin demokratik në përgjithësi (garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme) dhe ligjin specifik në veçanti (Kodin Zgjedhor) nuk përputhet, pasi qoftë motivacioni fillestar (lirim për efekt të ri-balancimit në KQZ) apo motivacioni i mëpasshëm (lirim për arsye të mos-deklarimit të shkarkimit nga detyra si ish-prokuror) nuk kanë asnjë bazë ligjore ku mund të mbështetej vendimi i parlamentit për shkarkimin e anëtarit të KQZ. Vlen të theksohet një fakt interesant sa i përket këtyre dy motivacioneve të shkarkimit të anëtarit të KQZ. Ato janë shembulli më klasik i binomit tragjiko-komik që provon përtej çdo dyshimi të arsyeshëm fajësinë e kryemarifetçiut në sytë e partnerëve ndërkombëtarë:- ndërsa aspekti tragjik ka të bëjë me faktin se motivacioni fillestar duke qenë absolutisht pa bazë ligjore në Kodin Zgjedhor, përbën një ri-bërje de facto të Kodit Zgjedhor me votat e 73 deputetëve ndërkohë që Kushtetuta përcakton se ai (Kodi Zgjedhor) bëhet (miratohet)/ndryshohet me minimalisht 84 vota në parlament, kësisoj parlamenti ka kryer një atentat tragjik ndaj kushtetutshmërisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri;- aspekti komik ka të bëjë me faktin se duke e kuptuar zullumhanen antikushtetuese të këtij motivacioni, kryemarifetçiu paraqiti motivacionin e mëpasshëm duke iu konfirmuar edhe një herë ndërkombëtarëve se ai nuk harron mësimet dhe parimet e partisë mëmë (PPSH-së) me të cilat është brumosur (një ambasador perëndimor më ka thënë që ai e ka të pamundur ti harrojë ato parime pasi nuk mund ti mësohen një qeni te vjetër stile të reja). Motivacioni i mëpasshëm është komik, përveçse kryekëput antiligjor, pasi mos-deklarimi i shkarkimit nga detyra si ish-prokuror i anëtarit të KQZ duhej shoqëruar së paku me një hetim penal përkatës, i cili më pas duhej të finalizohej me një dënim të formës së prerë nga gjyqësori shqiptar për këtë shtetas, për të mos tu dukur ashtu siç në fakt është: shkarkim nga detyra si anëtar i KQZ se është djalë me biografi të keqe.
Partnerët perëndimorë janë në dijeni që në fund të ditës këto dy motivacione jo vetëm janë pa bazë ligjore, por ato thelbësisht përjashtojnë njëri-tjetrin: pasi në rast se do të qëndronte motivacioni fillestar (lirim për efekt të ri-balancimit në KQZ) nuk do ishte i nevojshëm motivacioni i mëpasshëm (lirim për arsye të mos-deklarimit të shkarkimit nga detyra si ish-prokuror), pasi në këtë rast të njëjtit subjekt politik që bëri propozimin për këtë anëtar KQZ-je (LSI) do ti jepej mundësia për ti paraqitur Parlamentit një djalë me biografi të mirë për anëtar të KQZ. Kësaj radhe, qoftë për nga trashësia e paligjshmërisë në fjalë apo nga rëndësia jetike që ka për të ardhmen e Shqipërisë integriteti i procesit zgjedhor, partnerët ndërkombëtare kanë vendosur ta kapin kryemarifetçiun në flagrancë, ndaj edhe qëndrimi në unison i SHBA-ve dhe BE-së, kundër këtij vendimi tragjiko-komik eliminon një herë e përgjithmonë çdo alibi të mundshme të kryemarifetçiut recidivist
