E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në fletëvotime, logoja e KQZ-së, jo e shtetit të Kosovës

PRISHTINE- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka vendosur që në fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit të jetë logoja e KQZ-së.

“KQZ-ja ka rënë dakord për dukjen e fletëvotimeve në përputhje me ligjin. Do të jetë logoja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e cila po ashtu mban logon e shtetit”, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Bajram Latifi, anëtar i KQZ-së.

E njëjta konfirmohet nga një kumtesë për shtyp e KQZ-së.

“Përmbajtja e fletëvotimit u miratua konform nenit 87, përkatësisht 87.5 te Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme. Fletëvotimi përmban te gjitha elementet që kërkon Ligji për zgjedhjet e përgjithshme. Fletëvotimi do ta ketë logon e Komisionit Qendror Zgjedhor, dhe do të jetë unik për tërë territorin e Kosovës”.

Autoritetet në Beograd kanë kërkuar që në fletëvotimet e 3 nëntorit të mos ketë shenja të shtetësisë së Kosovës, sepse, në të kundërtën, nuk do t’iu bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në këtë proces zgjedhor.

Më herët, presidentja Atifete Jahjaga ka inkurajuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që, në përputhje me mandatin e tij, të gjejë zgjidhje ligjore që respekton kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës dhe siguron pjesëmarrje gjithëpërfshirëse në zgjedhjet komunale të 3 nëntorit.

Ajo gjithashtu ka theksuar se "këto zgjedhje duhet të jenë demokratike, të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse", duke trimëruar KQZ-në "që të gjejë zgjidhje, të cilat do të jenë të përshtatshme për të gjithë qytetarët”.

Zgjedhjet lokale, të parapara edhe me Marrëveshjen e Brukselit, pritet të mbahen në gjithë territorin e Republikës dhe kanë për qëllimin integrimin e serbëve të veriut në institucionet shtetërore.
(m.a/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›