Në fund të 2013-s, varfëria në shifra zero – deklaratat e opozitës për 1 milionë të papunë janë fantazi e Ramës

Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera
Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera deklaroi dje se deklaratat e opozitës që rendisin 1 milionë të papunë në Shqipëri janë postulate të krijuar nga vetë ajo dhe totalisht të pabaza, pasi në total si krah pune vendi ynë numëron 1 milion e 400 mijë njerëz. Ministri Ksera tha se falë reformave të suksesshme ekonomike, vendi ynë ka mundur tu shmanget influencimeve të krizës që ka përfshirë Ballkanin dhe më gjerë dhe papunësia është ulur në masën 0.4%. Sipas tij, aktualisht Shqipëria renditet ndër vendet me të ardhura mesatare, ndërsa premtoi se qëllimi i tij si drejtues institucioni, është që në fund të vitit 2013-ë, të zhduket varfëria në Shqipëri.
“Shqipëria është vend me të ardhura të mesme. Në sajë të politikave efiçente ne kemi arritur nivele shumë të larta. Deri në fund të 2013-ës synojmë që varfëria të jetë zero. Kemi rritur pagat dhe pensionet. Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale ka buxhetin më të lartë nga qeveria, por dhe problematikat më të mëdha. Kemi krijuar standarde të reja, do investohet në projekte të reja si, ndërtime të shtëpive të fëmijëve, investime në formimin profesional, rikonstruksion të godinave të strehimit të grave të trafikuara dhe në qendrat me njerëz me aftësi të kufizuara si dhe në ndihma ekonomike”- u shpreh ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale. Ministri Ksera sqaroi se abuziviteti me skemat ekonomike synon të eliminohet me reformimin që iu bë ligjit, i cili u jep të drejtë pushteteve vendore të përcaktojnë përfituesit. Ndërsa deklaroi se aktualisht 85 mijë familje trajtohen me ndihmë ekonomike.
Në lidhje me projektin e ndërmarrë nga Ministria e Punës për mundësimin e ndjekjes së studimeve të larta përmes bursave të komunitetit rom, Ksera tha se projekti po ecën mirë dhe po bëhen përpjekje për gjetjen e sa më shumë donatorëve në mënyrë që të rinjtë rom të jenë të barabartë përballë tregut të punës. Ai tha gjithashtu se ministria që ai drejton po negocion me Ministrinë e Brendshme për gjetjen e një hapësirë për tu mundësuar strehimin e tyre përmes banesave sociale. Ksera solli në vëmendje se Ministria që ai drejton ka projektuar strategji në një rast të mundshëm të kthimit të emigrantëve shqiptarë nga rajoni, mundësi që është evidente të ndodhë, në mënyrë që të krijojë kushte për integrimin e tyre në jetën sociale. Duke iu referuar buxhetit të vitit të ardhshëm, i cili vetëm dy ditë më parë u miratua në parim në Kuvend, ministri Ksera theksoi se
për Ministrinë e Punës, është buxheti më i madhi i planifikuar ndonjëherë për këtë institucion. Sipas tij, në total p/buxheti për vitin 2012 arrin në 53.49 miliardë lekë, ose 3.84% e Prodhimit të Brendshëm Bruto bashkë me të ardhurat kontributive, buxheti shkon në 7.6% e PBB-së, duke theksuar se ky është tregues i fytyrës sociale të kësaj Qeverie. “Ky p/buxhet mundëson realizimin e prioriteteve në fushat që Ministria mbulon për uljen e varfërisë dhe rritjen e punësimit. Në 2012 do përfitojnë formim profesional në qendrat publike 9 000 persona, nga të cilët 7.000 punëkërkues të papunë do të formohen në kurse profesioni. Punësimi post-formim parashikohet të jetë mbi 50%”- tha ministri Ksera. Ndërkaq, në pozicionin e tij si politikan duke qenë dhe deputet i Partisë Demokratike, Spiro Ksera vlerësoi marrëveshje PD-PS dhe tërhoqi vëmendje ndaj opozitës që të shmangë kërcënimet për ribllokim të ligjeve me 3/5 duke gjetur pretekste si në rastin e Fierit dhe Gjirokastrës. Lidhur me reformën zgjedhore, ai vlerësoi sistemin ekzistues, pasi sipas tij sistemi rajonal ka krijuar një stabilitet në politikë dhe qeverisje duke mundësuar koalicionet dhe duke krijuar një balancë që po forcon dikasteret shtetërore. Gjithashtu, Ksera theksoi se komisioni për reformën zgjedhore, duhet të marrë në parasysh disa nga kërkesat e partive të vogla, por kurrsesi t’u garantohet zgjedhja në mënyrë fiktive siç ka ndodhur në të kaluarën.