E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Vizioni i etërve të Tiranës, frymëzim për të gjithë brezat

27-11-2011 / Gazeta 55

Dita e Flamurit - Bashkia e Tiranës nis kremtimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Kryebashkiaku Lulzim Basha nderon 99 vjetorin e Pavarësisë së Kryeqytetit me përfaqësues të familjeve të firmëtarëve të aktit të Pavarësisë për Tiranën
 
Me rastin e 99 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Tiranës, kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha u takua dje me përfaqësues të familjeve të firmëtarëve të aktit të Pavarësisë, për Tiranën. Në këtë takim të organizuar në shtëpinë muze të piktorit të mirënjohur Sali Shijaku, Artist i Popullit, të pranishëm ishin përfaqësues të familjeve Gjinali, Toptani,  Kadiu, Pazari, Banka, Shehri, Beshiri, Petrela, dhe Papajani. Përkatësisht pasardhës të dhjetë firmëtarëve të aktit të pavarësisë në Tiranë: Refik Toptani, Abdulla Gjinali,  Xhelal Toptani, Sulejman Kadiu, Sheh Ahmet Pazari, Isuf Aqif Banka, Muderis Hysen Shehri, Myslim Beshiri, Selim Petrela, dhe Papa Nikolla Papajani. Krahas pinjollëve të këtyre familjeve në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësues të familjeve të pjesëmarrësve të tjerë në ngritjen e flamurit si Dalliu, Maçi, Ndroqi etj. Në fjalën e tij, Basha nderoi familjet e vjetra të kryeqytetit të cilat në një moment kuç të historisë, luajtën një rol të rëndësishëm me ngritjen e Flamurit në Tiranë. “Pas dy ditësh ne do të festojmë 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, por sot ka ardhur edhe njëherë koha siç vjen çdo vit, për të kujtuar ditën kur flamuri u ngrit në Tiranë, për të kujtuar dhe nderuar veprën e familjeve tiranase e personaliteteve të mëdha të cilët morën përsipër këtë akt historik në një kohë të vështirë dhe të mbarsur me kërcënime për të ardhmen e kombit shqiptar dhe për vetë qytetin e Tiranës, në një kohë kur baballarët e pavarësisë rrugëtonin drejt Vlorës për të kapur në limitet e kohës, hapësirat e lira shqiptare që kërcënoheshin nga ushtritë ballkanike që kishin për qëllim copëtimin e territorit dhe që i ishin afruar jo pak, dhe vetë qytetit të Tiranës, familjet e Tiranës me madhështinë e shpirtit të tyre, me vizionin që i karakterizonte, vite para se ky qytet të kthehej në kryeqendër të Shqipërisë dhe shqiptarëve e ngritën flamurin këtu në Tiranë dhe përmbyllën kështu aktin historik të këtij qyteti për t’ia bashkangjitur atë qyteteve të tjera, qendrave të tjera shqiptare që kulmoi me 28 Nëntorin në Vlorë”- u shpreh Basha. Kryebashkiaku tha se vizioni i etërve të Tiranës është frymëzim edhe për brezat e sotëm. “Me punën dhe përkushtimin tonë, që buron pikërisht nga vizioni i këtyre etërve të Tiranës, që ngritën flamurin këtu më 26 nëntor, ne do të vazhdojmë të konsolidojmë rolin e Tiranës, në Shqipëri, rajon e Europë. Sfidat e etërve të familjeve të mëdha që ngritën flamurin më 26 nëntor ishin të mëdha, edhe të brezave pasardhës”- tha Basha. Kryetari i Bashkisë u ndal edhe në afrimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit. Basha tha se qendra e aktiviteteve do të jetë Tirana. “Sot hapet sipari i një viti të veçantë për këtë kryeqendër shqiptare dhe për kombin shqiptar, viti I 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Sot ky sipar hapet dhe do të ndiqet nga aktivitete të shumta. Qendra e këtyre aktiviteteve do të jetë ajo në ish-Nënprefekturë, ku familjet e mëdha të Tiranës ngritën flamurin më 26 Nëntor dhe që sot është qendra më e madhe e shqiptarëve në botë, qyteti i Tiranës. Këtu, Bashkia në bashkëpunim edhe me institucionet qendrore qeverisëse po hartojnë një program shumë intensive, në qendër të të cilit do të jetë edhe historia, edhe figurat historike, por do të jenë pa dyshim edhe e sotmja dhe e ardhmja e Tiranës, ajo çka ne i ofrojmë Shqipërisë, Kosovës dhe viseve shqiptare kudo në Ballkan, shqiptarëve kudo në botë dhe fqinjëve tanë në rajon, fqinjëve tanë europianë që na duan dhe u duam të mirën”- theksoi Basha. Shoqata Tirana dhe përfaqësuesit e vjetër të familjeve të Tiranës, vlerësuan rolin e kryebashkiakut Basha në vlerësimin qe ai po u bën figurave historike të Tiranës, shpesh të lëna në harresë. Një mirënjohje e veçantë i është shprehur kryebashkiakut Basha për dekorimin e veçantë, dhe për herë të parë, që i ka bërë kryeqytetit në prag të festës kombëtare.
 
Aktivitetet festive dhe kulturore të Bashkisë së Tiranës në 99 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë

28 Nëntori këtë vit pritet të festohet ndryshe nga vitet e kaluara në qytetin e Tiranës. Bashkia ka publikuar programin e mbushur me aktivitete festive dhe kulturore, të cilat fillojnë nga ceremonia tek varrezat e Dëshmorëve në orën 10:00 dhe përfundojnë me koncertin festiv te sheshi Nënë Tereza në orën 18:00. Në bashkëpunim edhe me OJF-në Blej Shqip, në ditën ku të gjithë kanë ndërgjegjësimin më të lartë rreth vlerave kombëtare, iniciohet panairi “Blej Shqip”, në të cilin do të marketohen e tregtohen vetëm produkte shqiptare. Kjo iniciative përtej hapjes së një panairi ka për synim të promovojë produktet shqiptare në treg dhe të nxisë përdorimin e tyre nga qytetarët, për të dhënë  impaktin e saj në terma afatgjatë edhe në ekonominë shqiptare duke mbështetur drejtpërdrejt biznesin vendas. Dita e Flamurit do jetë një ditë e ngjeshur me aktivitete argëtuese të cilat do të shtrihen përgjatë gjithë bulevardit qendror të Kryeqytetit.
 
Ora 10:00 – 13:00, shfaqje për fëmijë nga cirku i Tiranës, teatri Metropol dhe fëmijët e qendrës “TEN”, te Parku Rinia  

“Thesaret e Cirkut” është shfaqja e cila do të lançohet për herë të parë me rastin e festave të 28 Nëntorit dhe do të vazhdojë përgjatë gjithë sezonit të Dhjetorit, ku do të përmblidhen numrat më të mirë ndër vite në 7 profilet themelore të cirkut. Shfaqja teatrale për fëmijë nga Teatri Metropol, do të performohet në terren të hapur nga artistët e këtij teatri në krah të shfaqjes së cirkut me orare të alternuara për të krijuar një program të plotë e argëtues për fëmijët e Tiranës të përqendruara tek Parku Rinia. Vogëlushët që prej kohësh ndjekin kurse artistike pranë qendrës TEN do të performojnë në skenën e ngritur tek lulishtja e “Parkut Rinia” për cirkun dhe teatrin me një kolazh këngësh në korr, vallesh popullore, performime me violinë, kitarë etj, për të filluar kështu gëzueshëm këtë ditë festive.

Këndi i Fotografisë - Orari: 11-13 dhe 16:30 - 18:00, Galeria Kombëtare e Arteve
Aktorët e Teatrit të Metropolit në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar për kostumografinë e aktorëve do të vishen me veshje të personazheve Historike si Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, Murat Toptani, Marigoja, etj  në një background me imazhe që të kthejnë në kohë, në vitet e ngritjes së flamurit, do të krijojnë kështu këndin e fotografisë, ku qytetarët do të mund të bëjne foto me këto personazhe.

Ansambli - Orari: 11-13 dhe 16:30 - 18:00, Rr: Murat Toptani 
Ansambli i Tiranës do të performojë valle të të gjitha krahinave për ti shtuar frymën festive dhe ndjesinë shqip panairit në rrugën pedonale. Programi i valleve përfshin valle nga të gjitha krahinat. 
 
Konkursi i Pikturës & Kori i fëmijëve - Orari: 11-13:00, Sheshi “Vëllezërit Frashëri”
Në bashkëpunim me Liceun Artistik do të organizohet pikturimi interaktiv me temë: “Shqipëria ime” në një telajo të përmasave 1m* 10m, në të cilën fëmijët do të pikturojnë “livë”, secili në 1m gjerësi. Aktiviteti do të shoqërohet nga korri i fëmijëve të liceut që do të performojë këngë patriotike.

Shfaqja e Filmit - Orari: 20:00, Galeria Kombëtare e Arteve 
Përpara Galerisë Kombëtare të Arteve do të shfaqet me një aparature tradicionale jo dixhitale me projeksion filmi “Nëntori i dytë”, e cila krijon emocione të veçanta e shfaqur në një ambient të hapur me teknologjinë e vjetër, për të plotësuar mozaikun e sjelljes në vëmendje të historisë 99 vjeçare të Shqipërisë në Pavarësi.
 
Koncerti tek sheshi “Nënë Tereza” - Orari: 18:00
Atmosfera festive do të kulmojë me koncertin e madh në orën 18:00 në Sheshin Nënë Tereza, ku do të marrin pjesë këngëtarët më të njohur. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›