E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj dhe Harasani: Në PS vazhdon telekomandimi i individëve pa kontribute

27-11-2011 / Gazeta 55

Dy deputetët socialistë paralajmërojnë se situata e pilotimit të njerëzve nga jashtë PS-së në krye të partisë s’mund të tolerohet shumë gjatë. Dy figurat qendrore të së majtës bëjnë thirrje për demokratizim, duke i nxjerrë kartonin e verdhë zgjedhjes së kryesisë së re

Edhe pse pritej që Partia Socialiste të reflektonte pas përçarjes së brendshme lidhur me emërimin e individëve pa kontribute nga Edi Rama, kjo duket një formulë gjithnjë e më e vështirë. Kur ka kaluar një javë nga mbajtja e Asamblesë së Partisë Socialiste, deputeti Arben Malaj bën thirrje që t’i jepet fund telekomandimit të individëve pa kontribute në parti. Anëtari i kryesisë, Malaj deklaron se debatet në PS nuk duhen mbytur, por duhet të maksimalizohet demokracia e brendshme. “Duhet të heqin promovimin e njerëzve me telekomandë dhe jo me meritokraci, duhet të realizojmë qartësisht një energji pozitive duke i dhënë mundësinë gjithsecilit të promovohet dhe të punojë me shumë përkushtim për Partinë Socialiste dhe vendin e tij. Në asnjë mënyrë debati brenda PS nuk duhet kufizuar, ngushtuar, mbytur thjesht se përballë është Sali Berisha. Duhet ta demokratizojmë, ta modernizojmë dhe kështu të krijojmë garanci. Garancitë duhet të jenë të forcës politike, jo të individëve” - u shpreh deputeti socialist, Arben Malaj. I njohur si një nga kundërshtarët e vijës politike të ndjekur nga Edi Rama, deputeti Malaj paralajmëron forumet drejtuese të PS, në vigjilje të zgjedhjes së anëtarëve të Kryesisë dhe Sekretariatit. Në këto dy struktura jetike, pritet të ushtrohet një nga fushatat e spastrimeve më të mëdha që ka pësuar ndonjë forcë politike gjatë 20 viteve të pluralizmit. Edi Rama e ka menduar më së miri zbatimin e formulës së largimit dhe përndjekjes së disa prej emrave të pa dëshiruar, për kupolën e brezit të dytë të nomenklaturës komuniste në krye të PS. Ndaj, edhe reagimi i z.Malaj duket sa i pa shpresë aq edhe dëshpërues për katrahurën mbi të cilën hedh valle “tufa e maceve” pa kurrfarë lidhje politike me PS-në, por thjesht e vetëm se janë besnikë të “të madhit të partisë”. Në lidhje me zgjedhjen ose jo në Kryesinë e re që po hartohet nga Edi Rama, Malaj deklaron se nuk është çështje emrash, por duhet që në selinë rozë të mbështeten dhe respektohen forumet. Sipas tij, fitorja në zgjedhje nuk vjen nga disiplina formale, por nga impenjimi.
Për sekretarin për programin politik në PS, Andis Harasani për gjithsecilin që synon të ketë rol përfaqësues në selinë rozë, më parë duhet të analizohet mbi bazën e kontributeve. Ai u shpreh kundër spastrimit dhe largimeve të përfaqësuesve historikë të PS-së. “Këto që flitet deri tani kanë të bëjmë me një garë të hapur në media. Një garë e personave të cilët kanë qenë në PS dhe do të vazhdojnë të jenë dhe mendoj se e vetmja arsye se përse vazhdojë të jenë në PS është që të jenë në Kryesi, të jenë deputetë dhe që nesër të jenë në qeverisje. Nuk jam dakord as me spastrimin, as me largimin, as me vetë përjashtimin e disave dhe afrimin e disave. Çdo njeri ka kontributet e veta. PS ka treguar në gjithë zgjedhjet e fundit se ka nevojë për bashkim dhe jo për ndarje”- tha ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›