E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në fund të tunelit...



Mund të jemi sërish në kohë për të shtruar pyetjet se cila ishte me të vërtetë goditja në ‘sektorin ideologjik’ dhe në ‘sektorin e arteve’ në fillim të viteve ’70 (?), cilët e pësuan vërtet për shkak të krijimtarisë (?), cilët vuajtën pasoja për shkak të teksteve që shkruanin a ngjyrave që vendosnin në telajo (?), a ekzistoi edhe te ne ‘letërsia e dorëshkrimeve dhe e sirtarëve të mbyllura’ (?). Ndoshta në fund të këtij tuneli, ku propozohet të hyjmë, nuk do të ketë dritë ose nuk do të gjejmë dritën që prisnim. Por ky nuk është shkak që të mos përshkruhet tuneli. Ndoshta edhe pas kapërcimit të tunelit, asgjë nuk do të ndryshojë në hierarkinë e letrave. Por as ky nuk është shkak, sidomos serioz, që gjërat mos të studiohen e të mbeten pa u botuar. Mbase, pas kësaj, do të kemi më pak njerëz për të nderuar, por gjithsesi më të denjë. Mund të kemi gjithashtu edhe një arsye më tepër për t’i nderuar njerëzit, e para - sa janë gjallë, e dyta - jo vetëm në përvjetore dhe, e fundit, për të qenë të lirë që t’u besohet ose jo studiuesve të tjerë, atyre që as u fshehën dhe as heshtën këtu e vite më parë, kur e vendosnin Fadil Paçramin “si dramaturgu kryesor i Shqipërisë, një nga intelektualët liberalë shqiptarë, si rivali kryesor i Enver Hoxhës për influencën ndaj brezit të ri të shkrimtarëve”, ndërsa krijimtarinë e tij e cilësonin si të njërit prej shkrimtarëve më me influencë për kohën, model për t’u imituar...”

Arian LEKA

1.
Emri i Fadil Paçramit bëhet i pashmangshëm sa herë që merret në shqyrtim arti dhe kultura në periudhën e komunizmit, veçanërisht në dekadën e përfolur për dekadencë, mes viteve ‘60-‘70. Për shkak të pozitës që gëzonte në ato vite, por edhe falë hierarkisë ku e kish vendosur aso kohe krijimtaria e tij dramaturgjike, ky emër vazhdon ta bashkëshoqërojë këtë etapë që ngjall debat për rrjedhat që mori kultura, sidomos arti, në Shqipëri.
Dihet tanimë ç’rrodhi pas asaj, që zu fill për keq me festivalin e këngës, ‘të njëmbëdhjetin’, pas të cilit Paçrami, së bashku me Todi Lubonjën, u vunë në qendër të syrit të ciklonit. Për njërin krah ata u shndërruan në simbol të së papranueshmes, të asaj që duhej goditur si “liberale, moderne e të ndikuar nga influencat e huaja”. Për krahun tjetër, ata ishin një shpresë e rast i humbur, rast që Paçrami e Lubonja, por jo vetëm ata, e paguan me burgim e përndjekje, ndërsa të tjerë që mbetën jashtë qerthullit të ndëshkimit e përjetuan si cak, përtej të cilit nuk mund të shkohej as me mendim, as me të vepruar. Por veç burgut, që ish ndëshkim i përbashkët, Paçramin e priste edhe një tjetër ndëshkim “i personalizuar”, ndëshkim që lidhej vetëm me të, apo më mirë të themi një ndëshkim që nuk cenonte të riun që studioi mjekësi në Bolonja, as partizanin e viteve të para të luftës, as kryeredaktorin e mëvonshëm të gazetës “Zëri i Popullit” dhe as funksionarin e lartë të shtetit. Ai ndëshkim kishte punë me dramaturgun Fadil Paçrami, të cilit që nga ajo kohë, siç edhe pritej, iu ndalua botimi. Gjithçka qe përmbysur, thua se që nga ai çast F. Paçrami nuk ishte më po ai njeriu që, deri atëherë, vlerësohej si “dramaturgu kryesor i Shqipërisë”, thua se dramat e tij me subjekte nga sa ndodhte në shoqërinë e re shqiptare nuk qenë konsideruar si “modele të realizmit socialist”, siç ish thënë për “Mbi gërmadha” me temë nga shtetëzimi! Rënia kish nisur dhe fundi nuk i dihej. Marsi, planeti i kuq, qe zgjuar i uritur dhe po hante të vetët. Konflikti ‘mes nesh’, ai që Paçrami kish dashur të pasqyronte në dramat e tij, po i ndodhte jo artistikisht në jetë...

2.
Në nëntor 2008, 35 vjet më pas, thuajse në përvjetorin e parë të ndarjes së Fadil Paçramit nga jeta, Shtëpia Botuese IDEART filloi botimin e veprave të tij. Bëhet fjalë për tri veprat e para: Pasqyrë për Eskilin (Vepra 1); Panoramë për Shekspirin (Vepra 2); Panoramë për Shekspirin (Vepra 3). Përmes këtyre botimeve, Paçrami ofron ndihmesën e tij edhe në lëmë të analizës e komentit letrar. Janë 7 vepra të Eskilit dhe 11 të Shekspirit, që merren në shqyrtim dhe analizohen përmes metodës krahasuese, komenteve stilistike e përmbajtësore të cilat, sipas tipologjisë së lëndës që botohet nën shënimin - Tekste e Komente, u drejtohen kryesisht lexuesit të niveleve universitare e shkollore. Në botimin e këtyre veprave është respektuar pa ndërhyrje e retushime koha kur u shkruan, si dhe koncepti që autori ka dashur të paraqesë në këtë ftesë për lexim. Po vetë zhanri - tekste dhe komente - nën siglën e të cilit janë shkruar këto vepra, ka më shumë për zemër një qëndrim të përkorë, sesa teprimet e zhurmën që shpesh shoqërojnë botimin e veprave postume të autorëve.
Duhet thënë se në këtë botim është përmbledhur një krijimtari e papublikuar më parë, krijimtari që për paradoks i shkon t’ia themi se është shkruar herët e botuar mjaft vonë, e nisur në kushtet e izolimit, krijimtari që për peng e fat të keq mbeti dorëshkrim dhe për autorin. Mund të thuhet gjithashtu se këto vepra janë shkruar me duar të lidhura në kuptim të dyfishtë. Autori ishte i dënuar dhe, si i tillë, nuk kishte komfortin e bibliotekave e të leximeve paralele a krahasuese, aq të nevojshme në hartimin e teksteve të tilla. Përballë këtij fakti, mund të shtojmë edhe se këto vepra janë fryt i përkushtimit. Aq sa janë gjithaq punë besimi. Paçramit i duhej të krijonte një motiv pas të cilit të kapej, të mbijetonte e të mos zhgënjehej më lehtë. Pasi kish shkuar “dalle stalle alle... stelle”, ai kish rastin që, përmes krijimtarisë letrare, të lidhej sërish me veten e të tjerët. Mund të shoqërohej e të nderonte të tjerë njerëz, në vend të atyre që ofroheshin përdhuni nga diktatura apo që t’i jep për short të keq burgu.
Duke zgjedhur këtë krijimtari, Fadil Paçrami përcaktoi rrathët e vet të shoqërimit, bashkë me to dhe modusin e jetuarit: jeto me më të përjetshmit!, mes të gjallëve të vdekur, zgjidh të shoqërohesh me të vdekurit e gjallë! Me këto tekste komentuare, pra, Paçrami e lidhi krijimtarinë pas asaj që sot na pëlqen ta quajmë rëndom veprimtari në dobi të të tjerëve, ose me interes publik, akte këto të ngjashme me përkthimin apo epistolarin, të cilave shkrimtarët u kushtohen në periudha jo të volitshme krijimtarie dhe që i mban ata lidhur me iluminizmin e humanizmin.
Shkaqet që e bënë Paçramin t’i qasej këtij zhanri duket se ishin të tjera nga hamendësimi për engledisje me më të thjeshtën dhe për arsye të mbushjes së zbraztisë dhe kohës, që siç dihet në vendet e izolimit nuk mungon. Hollësitë mbi mënyrën e hartimit të këtyre veprave autori i shpjegon qartë te Mendime të përgjithshme, vendosur në hyrje të botimit. Gjatë leximit, ata që do ta shfletojnë këtë krijimtari, do të vendosen në kohën kur u hartuan veprat, kohë për të cilën autori është shprehur te letrat e burgut, bisedat, shkrimet dhe refleksionet e ofruara për lexuesit në fillim të viteve ’90, në vëllimin “Pamje nga humbëtira”. Plotësime të saj, madje rrëfyer me zërin e vet, ai i ka paraqitur edhe në dokumentarin e Namik Ajazit. Trajtuar kthjellët e në paanësi gjenden edhe te “Bardh e zi – kalvar 1973”, i Teodor Laços, libër ku nuk është cenuar ai ekuilibër i brishtë që marrin tekstet kur shkrimtari shkruan për shkrimtarin, që është njëkohësisht edhe mik i vyer.
Nga ana tjetër, besohet se shtysat për t’u orientuar drejt një pune të tillë prej scribe dhe për ta trajtuar atë me vëmendjen e krijimtarisë, vijnë nga ato lidhjet e brendshme që Paçrami kishte me këta autorë dhe me këtë zhanër letrar - dramaturgjinë.
Është e pranueshme logjika që të bën të mendosh se krijimtaria dramaturgjike ishte nyja lidhëse, që ka ndjellë Paçramin t’i përkushtohet kësaj pune. Besimi se një dramaturg mund të jetë instrumenti më i arrirë shpjegues për krijimtarinë e dramaturgëve të tjerë, ky besim pra, është bindës. Dramaturgu, madje, mund të shndërrohej në instrument preçiz që ofron veten për të rikonfirmuar shkolla letrare nga njëra anë, por edhe për të ofruar instrumentarin artistik vetjak, përvojën si dhe ata çelësa, të cilët Paçrami i ka njohur dhe i ka përdorur.

3.
Përmes teksteve epistolare dhe shënimeve të vetë Paçramit, arrin të kuptosh pengun, për të mos thënë dilemën e tij, mbi nivelin artistik të veprave, praninë e letrares dhe përdorimin e mjeteve shprehëse. “Sa e si ia dola në krye nuk e di, për këtë flasin vetë dramat me nivelin e tyre artistik...”, shkruan ai.
Përtej modestisë së kuptueshme për rastin, nuk është krejt pa vend që ai nuk i rikthehet për t’i rishikuar dhe nuk i ofron veprave shërbimin e autorit. Ai e braktis veprën, e lë pa mbrojtje, pa shfajësime dhe pa sepse-të shpjeguese. Vendosur thjesht në kohën e vet. Duke i dhënë krijimtarisë së tij një mundësi: të jetojë si pa zot ose të harrohet, ai pranoi të gjykohet e të mos gjykojë njeri, përsa i përket vlerësimit që lidhet me krijimtarinë. Nga ana tjetër, tek ai ndeshet dyshimi: duhej thënë apo jo e vërteta qoftë dhe e ambalazhuar stilistikisht, apo paskësh pasur të drejtë Martin Camaj kur shkruante te Shejzat 1968: ‘Jam deshruem tash sa vjet te kendoj nji drame te shkrueme mire ne gjuhen shqipe, por mjerisht nuk ka ende’. Teksa analizonte dramën ‘Ngjarja në fabrikë’, ai hapte opsionin se asokohe “autorin ngjanë se ana letrare apo artistike nuk e intereson aq sa përmbajtja ideologjike e veprës”, por “se kjo nuk e pengon shkrimtarin të bajë një vepër me vlerë” dhe se vepra të këtij formati “mund të merren vetëm si dokument i psikozës letrare shqiptare të vitit 1968...”
Duket se vetë Paçrami i kish dhënë përgjigje tjetër pyetjes përse shkruaj(?). Ai kish përcaktuar si model jo atë çka shkruante Shekspiri te Jul Qezari (Kam ardhur ta varros dhe jo ta lëvdoj Qezarin), por atë mënyrë që Brehti kish zgjedhur dhe rekomandonte për një autor, që i përvishet luftës për të thënë të vërtetën. (Në çdo kohë njerëzit kanë përdorur dinakërinë për të thënë të vërtetën, kur atë e mbysin apo e fshehin...)
Si duket modeli i Brehtit, i cili zgjodhi të shkruante mbi dilemat e Galileos vite më parë se Arturo Uinë, nuk ish shkuar pa lënë gjurmë te Paçrami. Pra, te tipika krijuese e Paçramit nuk duhet kërkuar me këmbëngulje as lloji pasardhës i Brutit që lëvdon, shfaq besnikëri e që vret në emër të idealeve më të larta, dhe as Mark Antoni që varros duke përdorur retorikë shembullore. Nëse besojmë se ka një short, le të besojmë edhe se shorti që Paçramit i ra për hise ka qenë të lëvizë aksin tematik të dramës nga historikja te socialja, të zhvendosë konfliktin skenik nga “ne dhe armiqtë” (siç kërkohej, jo vetëm në skenë, por edhe në jetë), te konflikti “në mes tonë” (ku besohej se nuk kish të çara) dhe që epilogët apo aktet e fundit të dramave të mos ishin happy end-e pa fund.
Ngaqë nuk jemi vënë në kërkim as të heroit, as të disidentit dhe ngaqë nuk lipset fabrikimi i tezës mbi modernitetin në dramën shqiptare të viteve ‘60-’70, në një kohë kur ajo që shumë-shumë mund të thuhet për të është fakti se u shfaq më novatore në krahasim me atë pako gjë që trashëgoi, pasi në të vërtetë ajo nuk ka qenë as moderne dhe as e zhveshur nga ideologjia, e kemi më të lehtë për t’iu bashkuar idesë se korniza ideologjike në dramat e Paçramit nuk ishte thyer. Në dobi të kësaj teze është edhe vetë Paçrami, i cili në disa nga parathëniet e veta përmend referencat e letrës së hapur të 1966 apo revolucionin kulturor.
Por nëse përmendim burimin se nga vinin idetë, duhet të mos shpërfillim edhe faktin tjetër, atë që Pipa e çmon si vlerë, kur shkruan se “merita e Paçramit qëndron në guximin dhe aftësinë për të dramatizuar problemet e Partisë”.

4.
Të tjera detaje mbi personalitetin dhe krijimtarinë e Fadil Paçramit, veç atyre të cituara më lart, gjenden të shtjelluara në tekstet kritike dhe “Historinë e letërsisë shqipe” të Robert Elsie.
Pikërisht në këtë qasje të tyre që, sidoqoftë meriton mirënjohjen, është gjithashtu rasti për të kujtuar e për të pyetur edhe një herë se pse pritet që komentet e qëndrimet për emra dhe periudha ‘delikate’ të ofrohen e të mbërrijnë vetëm nga jashtë e nga njerëz, qofshin këta edhe specialistë të zotë e të mirëdëshmuar, që zotërojnë dijen e njohjen letrare, por që për arsye të kuptueshme nuk kanë pasur fatin që kësaj dijeje t’i shtojnë edhe versionin e autorit, duke lënë shpesh jashtë vëmendjes jo thjesh emra, por pjesë historie? A do të shprehen ndonjëherë rreth pikëpyetjeve jo të pakta mbi fenomenet, metodat dhe emrat e atyre viteve, studiuesit a institucionet shqiptare që studiojnë letërsinë e artin, ata njerëz që jetojnë e kanë jetuar përditshëm në Shqipëri? Apo legjenda vazhdon të jetë më e bukur se historia?..
Botimi i serisë së veprave të Fadil Paçramit, përmes së cilave lexuesi shqiptar do të ketë rastin të krijojë një përfytyrimin të vetin mbi krijimtarinë e gjerë të këtij autori, ka filluar. Por ndoshta më i rëndësishëm është fakti se nisja e botimit të veprave të Paçramit (po jo vetëm të këtij autori) mundtë nxisë e të hapë qerthuj të tjerë, mund të krijojë optikë mbi një temë që përgjumet prej kohësh mbi letrat tona, atë mbi disidentët dhe disidencat letrare dhe jo vetëm letrare në Shqipëri. Për këtë nuk janë të mjaftueshme as debatet në TV dhe as simpoziumet, shpesh vetëm të përzishme, kur botimet mungojnë dhe loja bëhet me letra të mbyllura.
Mund të jemi sërish në kohë për të shtruar pyetjet se cila ishte me të vërtetë goditja në ‘sektorin ideologjik’ dhe në ‘sektorin e arteve’ në fillim të viteve ’70 (?), cilët e pësuan vërtet për shkak të krijimtarisë (?), cilët vuajtën pasoja për shkak të teksteve që shkruanin a ngjyrave që vendosnin në telajo (?), a ekzistoi edhe te ne ‘letërsia e dorëshkrimeve dhe e sirtarëve të mbyllura’ (?). Ndoshta në fund të këtij tuneli, ku propozohet të hyjmë, nuk do të ketë dritë ose nuk do të gjejmë dritën që prisnim. Por ky nuk është shkak që të mos përshkruhet tuneli. Ndoshta edhe pas kapërcimit të tunelit, asgjë nuk do të ndryshojë në hierarkinë e letrave. Por as ky nuk është shkak, sidomos serioz, që gjërat mos të studiohen e të mbeten pa u botuar. Mbase, pas kësaj, do të kemi më pak njerëz për të nderuar, por gjithsesi më të denjë. Mund të kemi gjithashtu edhe një arsye më tepër për t’i nderuar njerëzit, e para - sa janë gjallë, e dyta - jo vetëm në përvjetore dhe, e fundit, për të qenë të lirë që t’u besohet ose jo studiuesve të tjerë, atyre që as u fshehën dhe as heshtën këtu e vite më parë, kur e vendosnin Fadil Paçramin “si dramaturgu kryesor i Shqipërisë, një nga intelektualët liberalë shqiptarë, si rivali kryesor i Enver Hoxhës për influencën ndaj brezit të ri të shkrimtarëve”, ndërsa krijimtarinë e tij e cilësonin si të njërit prej shkrimtarëve më me influencë për kohën, model për t’u imituar...” (Arshi Pipa - Vitet ’60 në Shqipëri dhe Revolucioni kulturor)

19 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›