E Shtunë, 31 Tetor 2026

SYTË DINË...



Azem QAZIMI

SYTË DINË...

Të ngopun me habinë,
sytë dinë për trëndafilin,
Ruzalemin e aromave.

Mendja kap
sall anën e ndritshme të gjanave,
paqen e një akordi
të shkrimë në Tansinë.

Nji Zot nga nalt
mundëson pajtimin e dritës
me hijet që zgjohen.

E panjoftun

Drita klith kur puqet
me grunin e lëkurës tënde,
qullun nga aq zogj parajse.

Në çdo hukamë shembesh
e në mue gërryen humnera.

Kur t’jenë ndezë
dhe t’mbramët hyjzi t’Arushës,
dhe zanet e bulkthave
mbi t’shtrueme,

zanin e mishit
mund ta ndjesh
si dorzani t’lumtunisë.

Në fluger...

N’kopshtet e veta, mshira
me dorë i prek shpesh zambakët,
kur sa fillojnë me hapë kunorë.

Krishtin n’fluger e kam pa
e m’asht dukë njaty n’majë
frut i pjekun n’degë t’vet.

Shiu mejti dhe tash shifet
vetëm rava që lanë mbi ujë
kambët e Jezuit,
që u nis me u përnda
si vesë mshire mbi krena.

Në brigje...

Në brigje shtegton zhaurima e lashtë
në kukurë argjendi.
Peshq këndojnë në qiparise,
Ngashërehet materia e ageve,
kur nën vile jep frutin Perëndia,
tek vesh me fërgëllima krandet.

Bar i butë

Fërfërima e flatrave
çan ajrin si kamë e mëndafshtë:
vjen zi zotim britma e turtullit,
që fshik ujërat.
Bir i një blatimi të përvuajtun,
përqafmë, bar i butë,
në përkundjen e ambël të agimit
plot hije laresh, ku vaji lartësohet.

* * *
Si atëherë para teje shtanget agu sot
dhe s’di a asht nji nga çastet e tua
ai që e kuptimson me bukuri andrrën.
Jam përplot me zanin tënd,
por prapë fillikat ballë një tjetër vetmie.

SHTRATI

Nga shtroja ngrihej një aromë ftonjsh,
që ndërkallej me gjithë atë dremitje.
Rritej drita ngadalë,
për t’u shndërrue në një kopsht të harlisun
me shufra hijesh përreth shtratit,
ku paqja më në fund arrihej.

Çarçafët, si bestiarë, mbulonin
me gjumë mija bisha.
Një landë e panjohun marramendjeje
pllakoste papandehun.
Binte si pupël përmbi prekla
dhe, sakaq, muzika ia niste.

Vegim fëminie 1

Grafullon shkuma e përroit,
përplot fshatarë të butë në brigje.
Shtëllunga aromash drejt agut
e dritës së kunorave.
Kashtën e Kumtrit e fshin dora e pacak
e amës qiellore.
Gjyshi ulet butë si blerim në kujtesë.
Pak fakte kanë mbetë në gëmusha,
dhe veç psherëtima e pafundësisë
n’përgushjen e pellgut.

Vegim fëminie 2

Ulë n’mbramje rranzë pusit,
prej nga ngrihet
nji grahmë e randë gjethesh,
pleqtë flasin për velin e bardhë të aromës
qark kunorës së akcieve,
si për shpirtna të ngijun me tejdukshmëni.
Bie muzgu me ata ishuj zukamash
mbi syprinën e nartë të rrëkasë.
Shtëpitë shtrihen përgjumshëm
nën cipën e hollë t’ninullës së bulkthave.

Vegim fëminie 3

Asht ngritë
nji urë prej zanesh.
Shinat
shplajnë gugatjen e pëllumbave
nën strehë.

Këndojnë ullukët, - fyte shpendi,
shqyer ndër gugatje t’ambla, -
dersa rrjedh n’për gishta
tanë mallëngjimi.

In hoc-signo

Ai ag portokajsh, - lter për elegjiakët, -
u qepte fretënve lulekambana në zhgune.
A ishte shtog ai që përndante jambet
prej gushës së shpesërisë nëpër grunaja?
Krilla këlthiste në gajushë, por doli
se qe kerubin, lavdi e pupuluar e Zotit,
me parzmak e klloçikë korali,
që i kanosej kohës me aromën e mellanit.

19 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›