Në garë për Superkupën Botërore

Xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi, ka marrë ftesë për pjesëmarrje në garën për Superkupën botërore në kategorinë A, Grand Slam, që mbahet në Paris të Francës, gjatë kësaj fundjave.
Kelmendi do të jetë në mesin e 16 bartësve të grupeve. në kategorinë e saj do të marrin pjesë të gjitha fitueset e medaljeve botërore dhe të Lojërave Olimpike për seniore. Ndërsa, ende nuk dihet se a do të marrë pjesë në këtë eveniment edhe xhudistja tjetër kosovare, Nora Gjakova.
“Sa i përket Nora Gjakovës, pjesëmarrja e saj është në pikëpyetje, sepse ajo ka pësuar një lëndim jo shumë të rëndë. Por, gjithsesi që do konsultohemi me mjekun e garave, për të marrë më pas vendimin e duhur”, thuhet në një komunikatë të lëshuar për media nga Federata e Xhudos e Kosovës (FXHK).
“Sa i përket plasmanit të Majlinda Kelmendit në këtë garë, qëllimi ynë është që ajo të hyjë në mesin e tetë më të mirave. Në këtë garë presim që të kemi edhe fat në short, sepse pjesëmarrjen e kanë konfirmuar 22 garuese që marrin pjesë në Lojërat Olimpike dhe ky fakt tregon nivelin e garës”, theksohet më tej në këtë komunikatë të FXHK-së.
Përpos Kelmendit, në këtë eveniment do të marrë pjesë edhe kampionia botërore në kategorinë e senioreve, japonezja Nakamura, rusja Kuzjutina, që është e dyta në botë, dhe shumë xhudiste Të tjera me renome ndërkombëtare. Kjo garë sjell më së shumti pikë olimpike dhe për këtë arsye marrin pjesë xhudiste të njohura ndërkombëtare.