E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali ofron Kaka për dyshen Diego-Kielini

Spekulimi
Sipas mediave spanjolle, “merengues” kanë gati propozimin për Juventusin

Mediat spanjolle kanë publikuar një lajm që mund të duket sa i habitshëm, aq edhe i pabesueshëm. Pasi kanë shpenzuar 65 milionë euro për blerjen e Rikardo Kakasë, drejtuesit e Realit të Madridit po mendojnë ta përdorin brazilianin për të afruar lojtarë të tjerë. Kjo për arsye se numri 8 i “merengues” nuk ka rendimentin e duhur, e për më tepër vuan nga një hernie kronike, e deri në fund të karrierës do të jetë i detyruar që të zhvillojë stërvitje ekstra. Në “Santiago Bernabeu” po mendojnë t’i ofrojnë Juventusit ish-lojtarin e Milanit, ndërsa në këmbim spanjollët do të marrin nga bardhezinjtë fantazistin tjetër brazilian, Diego dhe mbrojtësin italian, Xhorxho Kielini.
Ky spekulim duket i pabesueshëm, së pari sepse duket e vështirë që Reali të nxjerrë në merkato Kakanë. Por, edhe se duket thuajse e pamundur që Juventusi të pranojë largimin e Diegos apo të Kielinit, dy lojtarë që shihen si investime për të ardhmen. Edhe më i parealizueshëm është largimi i të dy futbollistëve njëkohësisht. Si provë për qëndrimin e “Zonjës së Vjetër” janë ofertat e shumta të refuzuara nga klubet angleze, të cilat kërkonin shërbimet e mbrojtësit të qendrës së Kombëtares “axurre”. Ka edhe një tjetër arsye, përse shkëmbimi duket vetëm një trillim: pasi Kaka pranoi të transferohet në Madrid gjatë verës së kaluar, duket e pamendueshme që braziliani të kthehet në Serinë A dhe të luajë me një tjetër skuadër që nuk është Milani. E vërteta e vetme në këtë çështje është se te Reali askush nuk është i kënaqur me paraqitjet e mesfushorit 27-vjeçar. Ndoshta në fund të këtij sezoni ai do të largohet, por destinacionet më të mundshme duken çelsi i Ançelotit dhe natyrisht Mançester Siti.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›