E Diel, 1 Nëntor 2026

Në gjyq 31-vjeçari, detyroi të shoqen të vriste veten

Goga akuzohet nga prokuroria se ka shkaktuar vetëvrasjen e të shoqes, Mimozës. Denoncimi nga familja e gruas së vdekur


TIRANË- U deshën 28 muaj kohë, që nga dita kur nëna e dy fëmijëve, Mimoza Goga, u gjet e vdekur në pusin e oborrit në fshatin Ndroq të kryeqytetit, që organi i akuzës të rihapë çështjen e arkivuar dhe të dërgojë në gjyq bashkëshortin e viktimës, 31- vjeçarin Petrit Goga, si shkaktar të kësaj "vetëvrasjeje".


Ka qenë këmbëngulja e prindërve të viktimës, të cilët të ndihmuar edhe nga vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, që urdhëruan organin e akuzës të rihapin dosjen penale me nr. 173, të arkivuar si "vetëvrasje" nga ana e shtetases Mimoza Goga, që të përfundojë në qeli bashkëshorti i saj, Petriti, si shkaktar i kësaj vetëvrasjeje.


Prokurorisë së kryeqytetit iu deshën vetëm dy muaj kohë, që nga dita e arrestimit të bashkëshortit të nënës së dy fëmijëve që u gjet e vdekur brenda pusit të oborrit më 4 maj 2007, që të zbulojë se personi që e shtyu në vetëvrasje Mimozën ka qenë pikërisht bashkëshorti i saj, Petriti.


Sipas dosjes penale që tashmë mban nr. 1829 dhe që ndodhet në duart e kryesuesit të treshes gjykuese, gjyqtarit Bujar Krasniqi, i pandehuri Petrit Goga do të përgjigjet për kryerjen e veprës penale të " Shkaktimit të vetëvrasjes".


"Ekspertet kanë bërë zhvarrimin e Mimoza Gogës dhe nga këqyrja e trupit të saj kanë konstatuar se në pjesën e grykës së qafës para dhe pas, kishte hematoma dhe shenja gishtash të ardhura nga shtrëngimet.


Për të gjitha këto, është konstatuar se para vdekjes shtetasja Mimoza Goga është keqtrajtuar"- thuhet në përfundimin e akt-ekspertimit të Mjekësisë Ligjore.


Duke u bazuar në këtë akt-ekspertim dhe në dëshmitë e personave të ndryshëm, duke përfshirë këtu edhe të djalit të madh të çiftit Goga, i cili ka rrëfyer se "babai e rrihte mamin", kanë ngritur dyshime të forta se bashkëshorti i saj Petrit Goga është shkaktari që nëna e dy fëmijëve ka kërcyer në pusin e ujit që ndodhet në oborrin e shtëpisë në fshatin Ndroq.

Ngjarja ka ndodhur më 4 maj 2007, kur Goga u gjet e zhytur në pusin e ujit në oborr nga të afërmit e burrit dhe vetë ky i fundit.


Në atë kohë, me referimin e dosjes nga policia dhe nga hetimet e kryera nga prokuroria, dosja u mbyll duke u cilësuar "vetëvrasje" e pastër. Por, vdekja e vajzës së tyre aq papritur dhe me vetëvrasje, nuk i është besuar prindërve të Mimozës, të cilët kanë kërkuar një hetim të plotë të ngjarjes.


Kërkesa e tyre nuk është marrë parasysh nga Policia dhe as nga Prokuroria më pas, e cila pushoi hetimin duke e cilësuar "vetëvrasje".


Këtë vendim pushimi, familjarët e Gogës si palë e tretë të interesuar për këtë çështje, e ankimuan në Gjykatën e Shkallës së Parë, ku gjyqtari Sokol Tona, në shkurt të këtij viti, vendosi duke urdhëruar institucionin e akuzës të rihapë dosjen.


Me rihapjen e dosjes, me zhvarrimin e kufomës dhe ri-ekspertimin e saj, me marrjen e dëshmisë së personave të ndryshëm, prokurori konstatoi se vetëvrasja e Mimoza Gogës ka ardhur si pasojë e dhunës së vazhdueshme të ushtruar nga bashkëshorti i saj, Petrit Goga, dhe ka qenë ky i fundit që i ka dhënë shtytje për "vetëvrasje".


Gjithashtu, prokuroria ka konstatuar se gjatë kësaj faze hetimore, janë gjetur dhe administruar në arkivat e Policisë disa kallëzime për dhunë të ushtruar nga bashkëshorti Petrit Goga ndaj gruas së tij tashmë të ndjerë, kallëzime këto që janë bërë nga familjarët e viktimës.


Pas rihetimit të çështjes, prokuroria më 13 korrik 2009 arrestoi bashkëshortin e viktimës, i cili tashmë do të përgjigjet para togave të zeza për veprën penale të "shkaktimit të vetëvrasjes".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›