E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjen Doruntina, anulohet konferenca

Ka një tendencë të përgjithshme për të dramatizuar veprat e Ismail Kadaresë.


Pas "Gjeneralit të Ushtrisë së vdekur", vënë së fundi në Teatrin e Shkupit, vjen sonte në Teatrin Kombëtar, "Doruntina". Një bashkëpunim i teatrove "Oda", Prishtinë dhe "Blessed Unrest", Nju Jork


Takimin për t'u prezantuar me gazetarët e kishin në orët 18.00. Ishin të vetëdijshëm për vonesën, por jo për mosardhjen. Megjithatë, e pritën natyrshëm njoftimin se "media nuk do të ishte e pranishme në këtë konferencë shtypi".


Regjisori kosovar, Florent Mehmeti dhe amerikania Jessica Burr tregojnë për "Shekulli"-n rreth shkëmbimit të kësaj përvoje teatrore, konceptet regjisoriale dhe si është pritur nga publiku amerikan ky dramatizim i novelës së Kadaresë, sipas Matt Opatrny dhe Lirak Liçajt. Për herë të parë preku skenën "InterArt Theatre" tetorin e vitit të kaluar.


"Për herë të parë jam njohur me këtë vepër në vitin 1994 dhe më tepër më tërhoqën dy aspektet e trajtuara: "Besa" si një vlerë shumë e rëndësishme dhe "Dashuria e motrës për vëllanë", një linjë shumë e veçantë",- u shpreh regjisorja Burr.


Kurse Mehmeti shpjegon se e gjithë shfaqja është ndërtuar sipas një teknike të veçantë, e cila kërkon të shfrytëzojë të gjitha aftësitë e aktorit, të lënë në një skenë pa dekor.


Në kësi shfaqjesh, publiku e përqendron të gjithë vëmendjen tek loja e aktorit në skenë, pa u çoroditur nga objektet që e rrethojnë. "Edhe pse bëhet fjalë për një shfaqje dygjuhëshe, dialogu rrjedh dhe historia është e kuptueshme", - shpjegon Mehmeti.


Sonte në mbrëmje, në orën 20.00, në skenën e Teatrit Kombëtar do të ngjiten aktorët kosovarë Ilire Vinca Çelaj, Lirak Çelaj, Nëntor Fetiu, Njomëza Ibraj dhe amerikanët, Zenzele Cooper, Dave Edson, Jason Griffin, Kelly Hayes, Matt Opatrny, Laura Wickens.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›