Ne gjyq 34-vjecari trafikoi heroine me corape te zeza grash
Një 34-vjeçar është vënë në akuzë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi është arrestuar disa muaj më parë në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës me 1.8 kilogramë heroinë, të cilën e kishte në brez të mbështjellë me çorape të zeza grash. Gentian Rushani nga Korça është arrestuar më 29 tetor 2010 dhe tashmë do të gjykohet për “trafik të narkotikëve” në bashkëpunim. Hetimet e Krimeve të Rënda janë konsideruar të plota dhe dosja i ka kaluar gjykatës. Sipas kërkesës për gjykim, më datë 29 tetor 2010, në orën 14:50, Policia e Korçës ka ushtruar kontroll në autobusin e linjës Tiranë-Selanik. Në sediljen e fundit të autobusit është kontrolluar pasagjeri Gentian Rushani. Gjatë kontrollit të ushtruar për dokumentacion, ka rezultuar se Gentian Rushani udhëtonte në drejtim të Greqisë i pajisur me vizë “Shengen” greke, e lëshuar nga Konsullata Greke në Korçë. Pas kontrollit për dokumentacion, ndaj tij është kryer kontrolli fizik në trupin e Gentianit. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ka rezultuar se poshtë rrobave, në pjesën e barkut, Gentian Rushani mbante të lidhur në formën e një brezi me një çorape femrash ngjyrë të zezë, dy pako në formë drejtkëndëshi të mbështjella me natriban ngjyrë kafe, brenda të cilave kishte pluhur ngjyre kafe i ngjashëm me heroinën, i cili ishte destinuar për t’u trafikuar në Greqi. “Nga peshimi i sasisë së pluhurit që u gjet i fshehur në trupin e Gentianit, rezultoi se kjo sasi e sekuestruar kapte peshën 1 kilogramë e 8 gramë pluhur. Menjëherë pas këtij konstatimi nga strukturat policore të Rrethit të Korçës është ushtruar kontroll dhe në banesën e tij. Gjatë kontrollit të banesës është sekuestruar në cilësinë e provës materiale sasia prej 1 kilogramësh e 405.8 gramë pluhur i bardhë, i cili në fillim është dyshuar si lëndë narkotike”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Sipas saj, i pandehuri është pyetur në cilësinë e personit rreth të cilit zhvillohen hetime. Ai ka deklaruar se sasinë e lëndës narkotike ia ka dhënë një person që e ka takuar tek një lokal në Korçë, i cili i ka kërkuar që sasinë e drogës t’ia dërgonte në Selanik, në këmbim të një shume prej 200 eurosh për rrugën që do të bënte. “Lëndën narkotike ia ka dhënë një person nga Korça, i cili kishte një makine ‘Opel Corsa’ ngjyrë vishnje, targat e së cilës nuk i kujtonte. Sipas shpjegimeve të dhëna nga i arrestuari thuhej se personi që i kishte dhënë lëndën narkotike i kishte dhënë atij dhe një numër telefoni grek”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Sipas saj, hetimet janë kryer të plota për të pandehurin Gentian Rushani dhe akuza në ngarkim të tij është provuar. Ndërkaq më datë 6 dhjetor 2010 aktet e procedimit penal janë ndarë me qëllim që të vazhdonin hetimet në funksion të zbulimit të personave të tjerë që janë implikuar në këtë ngjarje.
Prokuroria thotë se ka lindur si domosdoshmëri hetimi dhe zbulimi i bashkëpunëtorëve, organizatorëve dhe personave që kanë implikuar të pandehurin Gentian Rushani në këtë ngjarje. Në përfundim prokuroria ka parashkruar edhe një herë fabulën e kësaj dosjeje, duke ia servirur gjykatës për gjykim. Sipas saj, Gentian Rushani ka tentuar të trafikojë një sasi prej rreth 1.8 kilogramësh lëndë narkotike të llojit heroinë në drejtim të Selanikut në Greqi. “Nga aktet e vëna në dispozicion konkludohet se ka prova të plota fajësie që provojnë aktivitetin kriminal që ka kryer Gentiani, i cili ka tentuar të trafikojë lëndë narkotike nga Korça në drejtim të Selanikut, duke konsumuar njëkohësisht veprën penale të trafikimit të narkotikëve në bashkëpunim, mbetur në tentativë”, përfundon dosja e prokurorisë.