Operacioni Rrebeshi zbulon kanabisin ne nje makine pranga transportuesit
Policia e Gjirokastrës, në një operacion të koduar “Rrebeshi”, ka bërë sekuestrimin e 300 kilogramëve hashash. Sasia e lëndës narkotike u gjet në një makinë, në rrugën Gjirokastër-Sarandë, te kryqëzimi i fshatit Dervicjan. Fillimisht, shoferi është larguar, duke kthyer odisenë e vënë në dukje edhe nga Kryeministri Berisha, por më pas është kapur nga uniformat blu lokale. Policia tha se veç arrestimit, tre persona të tjerë janë në kërkim policor, pasi dyshohet se do të ndihmonin për trafikimin e lëndës narkotike drejt Greqisë.
Operacioni ka nisur një ditë më parë, kur policia ka marrë informacion në rrugë operative se një sasi e konsiderueshme lënde narkotike do të transportohej nga fshati Lazarat në drejtim të Sarandës. Pritat e policisë janë ngritur në disa drejtime, por forcat më të shumta janë përqendruar në aksin rrugor Kordhocë-Jorgucat. Rreth orës 21:20 të së shtunës, në aksin rrugor nacional Gjirokastër-Sarandë, mbi urën e fshatit Dervicjan, rreth 4 kilometra në jug të Gjirokastrës dhe rreth 1 kilometër larg fshatit Lazarat, policia ka konstatuar automjetin që dyshohej se po transportonte lëndën narkotike. Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve kanë bllokuar rrugën për të ndaluar automjetin, por drejtuesi i tij, sapo ka parë policinë, ka shtuar shpejtësinë edhe më shumë dhe ka tentuar të godasë edhe automjetin e policisë, duke vënë në rrezik jetën e punonjësve.
Megjithatë, policët e Sektorit Kundër Narkotikëve, menjëherë janë vënë në ndjeke të tij dhe pas dy-tre minutash, si pasojë e shpejtësisë së madhe dhe motit shumë të keq pasi bënte stuhi, automjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë në kanal, në vendin e quajtur kryqëzimi i rrugës kombëtare pranë fshatit Dervicjan. Drejtuesi i automjetit është kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë dhe nuk ka pësuar lëndime nga dalja nga rruga. Në vendngjarje ka mbërritur edhe grupi hetimor, ku ka konstatuar se automjeti i dalë nga rruga ishte një fuoristradë, tip “Jeep”, pa targa dhe nga këqyrja në brendësi rezultoi se automjeti ishte pa sedilje të pasme dhe ishte i mbushur plot me pako të mbështjella me letër natriban në formë cilindrike, të mbuluara me çanta shpine të zeza, si dhe një çantë e madhe shpine, edhe kjo e mbushur me pako të tilla. Brenda tyre kishte lëndë narkotike kanabis. Nga këqyrja dhe numërimi i pakove rezultoi se në automjet kishte 285 pako me peshë 1 kilogramë secila dhe 3 pako me peshë 5 kilogramë secila, me paketim të ndryshëm dhe me emërtime, ku ishin përdorur shkronja dhe numra mbi paketim. Gjithsej janë kapur 300 kilogramë. Policia vazhdon punën për kapjen e tre personave të tjerë, të dyshuar për trafik droge.