E Diel, 1 Nëntor 2026

Në gjyq 5 bullgarët që klonin kartat e bankave shqiptare

Flamur Vezaj

TIRANË- Pesë bullgarët e arrestuar në Gusht të 2011, për vjedhje me anë të klonimit të kartave të kredit, janë dërguar në gjyq të akuzuar për përvetësimin e rreth 30 mijë eurove brenda dy muajve në Shqipëri. Për këtë gjë ata kanë kryer rreth 280 transaksione në banka të nivelit të dytë në vend. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë organit të akuzës dhe Gjykatës së Shkallës së Parë, ku tashmë për shqyrtimin e kësaj dosje është caktuar kryesuesi i treshes gjykuese gjyqtari Artan Gjermeni.

Sipas kërkesës për gjykim të përpiluar nga prokurori Armand Gurakuqi dhe që Shekulli ka siguruar një kopje, mësohet se pesë shtetasit bullgarë duke përdorur një pajisje teknologjike të quajtur Skimmer kanë arritur të kopjojnë kodet dhe të dhënat e kartës së kreditit të shtetasve shqiptar. Nga hetimiet disa mujore, është arritur të provohet se shtetasit bullgar tashmë të pandehur: Dragomir Bonev, Ivo Ivanov, Nikolay Tsonev, Pavel Milenov dhe Aleksander Kolev, në bashkëpunim me njëri-tjetrin vendosnin pajisjen Skimmer pranë bankomatëve (ATM-ve) të katër bankave të nivelit të dytë në vend. Pas vendosjes ata kopjonin kodet dhe më pas klononin kartat e kreditit, duke tërhequr shuma të ndryshme parash,- thuhet në dosjen me nr. 886 që tashmë ndodhet në zyrën e gjyqtarit Gjermeni. Të pandehurit, sipas akteve që ndodhen të administruara në dosje në kuadër të hetimit disa mujor, kanë hyrë në territorin shqiptar nga Maqedonia në fillim të muajt Qershor 2011. Me të hyrë në Shqipëri, ata kanë filluar të vendosi pajisjen Skimmer në bankomate të katër bankave të nivelit të dyt në vend por të ndryshme nga njëra-tjetra.

Në aktet e administruara në kuadër të hetimit, rezulton se në muajin Qershor dhe Korrik 2011, të pandehurit Bonev, Ivanov, Tsonev, Milenov dhe Kolev, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin me qëllim kopjimin e të dhënave të kartave bankare të klientëve të katër bankave shqiptare të nivelit të dytë në vend. Kopjimi i këtyre të dhënave bankare, është realizuar me anë të vendosjes në bankomate (ATM-ve) të bankave disa pajisjeve elektronike të quajtura Skimmer të përshtatura për kopjimin e të dhënave të kartave dhe të ruajtjes së tyre. Të dhënat e siguruara bankare janë përdorur për prodhimin e kartave të klonuara. Pas klonimit të kartave të ndryshme pesë shtetasit bullgar kanë filluar ti përdorin ata, duke realizuar futjen në sistemin bankar të shtetasve të ndryshëm, duke bërë transaksione si blerje apo tërheqje parash në ATM-të e bankave të ndryshme në Shqipëri, SHBA dhe Bullgari,- thuhet nga prokuroria.

Pasi përvetësonin të dhënat e klientëve shqiptar, shtetasit bullgarë i klononin kartat dhe më pas disa i përdornin vetë në Shqipëri disa të tjera i dërgonin me postë drejt Bullgarisë ku edhe i përdornin për blerje të ndryshme. Përveç tërheqjes së parave kesh, të pandehurit kanë bërë edhe blerje me anë të internetit në SHBA me këto karta të klonuara. Nga hetimi i kryer dhe akt-ekspertimi kontabël, ka rezultuar se dëmi që i është shkaktuar dy bankave në Shqipëri kap vlerën mbi 30 mijë euro. Konkretisht në njërën bankë, me të dhënat e klientëve të njërës banke, janë tërhequr dhe kryer 140 transaksione bankare me një vlerë 14 mijë euro. Ndërsa, nga të dhënat e klientëve të tjerë të bankës tjetër, janë kryer 142 transaksione me vlerë prej 16.500 dollarë amerikanë,- thuhet në kërkesën për gjykim që tashmë është dorëzuar në Gjykatën e Shkallës së Parë, ku edhe pritet të caktohet seanca e parë gjyqësore për fillimin e procesit gjyqësor. Ndaj të pandehurve Aleksander Kolev, Dragomir Bonev, Ivo Ivanov, Nikolay Tsonev dhe Pavel Milenov prokuroria ka ngritur akuzën e Mashtrimit kompjuterik në bashkëpunim më shumë se një herë.

TË PANDEHURIT:

1. Dragomir Ivanov Bonev, vjeç 35, lindur dhe banues në Sofie, Bullgari

2. Ivo Dimitrov Ivanov, vjeç 37, lindur dhe banues në Sofie, Bullgari

3. Pavel Vladimirov Milenov ,vjeç 31, lindur dhe banues në Sofie, Bullgari

4. Nikolay Yordanov Tosonev , vjeç 33 , lindur dhe banues në Sofie, Bullgari

5. Aleksandar Kolev, vjeç 38, lindur dhe banues në Sofie, Bullgari

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›