Gardisti Llupo, kërkesë në Gjykatë sipas precedentit Lulzim Basha

Agim Llupo
Nga Flamur Vezaj
Agim Llupo, i akuzuar për vrasjen e Ziver Veizit dhe që ndodhet i izoluar në qeli nën masën e sigurisë arrest me burg, me ndihmën e avokatit mbrojtës, i kërkon Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet kundërshtimin e tij për zgjatjen e afateve hetimore të kryer nga prokuroria edhe për tre muaj të tjera.
Sipas kërkesës së tij, prokuroria nuk ka ndonjë arsye të shtyrjes së afateve hetimore, pasi çështja ndaj tij tashmë mendohet se është zbardhur me akt-ekspertimin e armës së Llupos, e cila rezulton se nga ajo armë ka dal plumbi që i mori jetën Veizit në demonstratën e 21 janarit tek porta e kryeministrisë teksa rrinte duart në xhepa.
Kjo kërkesë e avokatit të Llupos është bërë vetëm pak ditë më parë, konkretisht më 3 shkurt 2012, duke kundërshtuar zgjatjen e bërë nga prokuroria më 26 janar 2011 edhe për tre muaj të tjerë.
Kjo kërkesë, sipas të dhënave nga gjykata, është bazuar mbi vendimin e Gjykatës së Lartë për çështjen Basha, konkretisht hetimin e skandalit të rrugës Durrës-Kukës ku tashmë kreu i Bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha i shpëtoi gjykimit edhe pse ishin konstatuar shkeljet dhe abuzimet për ndërtimin e kësaj rruge. Siç duket, rasti Basha, ka bërë që shumë të dyshuar për krime ta përdorin si rast për të kërkuar edhe ata pavlefshmërinë e hetimit të çështjes. Llupo është arrestuar vetëm pak ditë nga ngjarja e 21 janarit, si autor i vrasjes së Ziver Veizit.
Llupo ka qenë efektiv i Gardës së Republikës, në grupin e zjarrit për demonstratën e 21 Janarit.
Çështjen do ta gjykojë gjyqtari po Shkëlqim Mustafa, i cili ka dhënë edhe masën e sigurisë arrest me burg.
Zoom
Nr. i Çështjes: 372
Dt. e regjistrimit: 03.02.2012
Paditësit: Prokuroria e Rrethit Tiranë
Lloji i Çështjes: Afatet e Kohëzgjatjes se paraburgimit
Objekti: Afatet e Kohëzgjatjes së paraburgimit
Gjyqtari: Shkëlqim Mustafa