E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duro: Certifikatat e punës do të njihen në tregun evropian

Certifikatat e kualifikimit të punës, që jepen nga institucione të certifikuara nga Ministria e Punës do të njihet edhe në tregun evropian të punës, pas miratimit të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve. Deklarata në fjalë është bërë nga ministri i Punës, z. Anastas Duro,gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Punës, paraditen e djeshme në Tiranë. Certifikatat e kualifikimit jepen nga një sërë institucionesh dhe thuajse për çfarëdolloj profesioni. Ato mund të jenë pjesë e trajnimeve profesionale, por edhe kurse të ndryshme që nuk janë të nivelit shkollor e akademik.

Certifikatat e kualifikimit

Sipas ministrit të Punës, tashmë është duke u shqyrtuar nga qeveria një projektligj i ri, i cili do të vendosë standardet ligjore për certifikatat e kualifikimeve.

“Projektligji për Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve (KSHK), i cili po merret në shqyrtim nga Këshilli do të mundësojë zhvillimin, njohjen dhe dhënien e kualifikimeve. Tashmë kualifikimet do të mbështeten në standarde të përcaktuara të njohurive, shprehive dhe kompetencave që duhet të arrihen nga përfituesit e tyre. Krijimi i Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve do të mundësojë përafrimin dhe harmonizimin e standardeve të kualifikimeve me ato evropiane dhe më gjerë”. Kjo, sipas ministrit të Punës, do të thotë që “certifikimi i njohurive në Shqipëri jo vetëm të vërtetojë një nivel të lartë të njohurive të mbajtësit të saj, por që ajo t’i sigurojë atij punësim si në tregun vendas edhe atë evropian”.

Certifikatat e kualifikimeve aktualisht jepen nga kurset për parukeri e rrobaqepësi, deri në kurse të gjuhëve të huaja dhe të elektronikës. “Tërë angazhimi i qeverisë dhe MPÇSSHB-së synon ta bëjë më të afërt dhe më konkret konceptin e të mësuarit gjatë gjithë jetës, një koncept shumë i përhapur në vendet e zhvilluara, i cili në vendin tonë është në fillimet e tij dhe merr rëndësi të madhe në kushtet e ekonomisë së tregut dhe veçanërisht në kushtet e globalizimit”, – tha ministri.

Këshilli Kombëtar i Punës

Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Kombëtar të Punës u paralajmërua edhe ndryshimi i Kodit të Punës, në mënyrë që t`u përshtatet më mirë kushteve në vend. Ndërkohë, u diskutua edhe për një ligj të ri mbi manifaturimin e veshjeve në Shqipëri. Sipas Ministrisë së Punës, ky debat “u përqendrua në avantazhet, problematikat dhe sfidat me të cilat përballet sot industria e tekstileve në vendin tonë, nisur nga pesha që ajo zë në ekonominë e vendit (400 subjekte, xhiro ekonomike 4 miliardë lekë, 54% të eksporteve)”. Këshilli Kombëtar i Punës është organi më i lartë trepalësh në vend dhe përbëhet nga 27 anëtarë (10 përfaqësues të punëmarrësve, 10 të punëdhënësve dhe 7 anëtarë të qeverisë).

Bashkia përgatit vendimin për taksimetrat

Bashkia e Tiranës ka përgatitur vendimin për taksimetrat e taksive të kryeqytetit dhe në mbledhjen e ardhshme të saj pritet të vendoset në rend të ditës. Vendimi në fjalë do të përcaktojë çmimet dhe detajet teknike të taksimetrave, të cilët në mënyrë spontane janë vendosur tashmë në shumë nga taksitë e kryeqytetit. Veçse aktualisht, shumica e tyre janë me çmim të vendosur nga vetë taksistët dhe jo me çmimin e njësuar që do të vendosë bashkia. Burime pranë këtij institucioni bënë me dije për “standard” se “vendimi i ri do të përmbajë çmim fiks për çdo kilometër rrugë, si edhe për kohën që zgjat rruga, ashtu sikurse është dhe në vendet perëndimore. Ndërkohë që do të përcaktohen detajet teknike të taksimetrave, në mënyrë që taksistët të mos kenë mundësi të ndërhyjnë në pajisje, për të mbifaturuar pasagjerët”. Vendimi në fjalë do t`i japë fund abuzimeve me çmimet e taksive, që në Tiranë janë në nivel shumë më të lartë sesa duhet, sipas specialistëve të bashkisë.

Presidenti italian mbështet emigrantët

Duhet të zhduken paragjykimet e vjetra mbi emigrantët, të cilët vendit tonë i sjellin freski dhe forcë. Kështu do të shprehej Presidenti i Italisë, Xhorxho Napolitano, gjatë një takimi. Sipas tij, duhet një klimë sa më e përshtatshme ndaj kësaj kategorie, në mënyrë që ata të integrohen në të gjitha instancat brenda shtetit. Nga ana tjetër, ai ka shtuar se “për t’u bërë një italian i vërtetë, duhet një identifikim i plotë i personalitetit të tij, duke i bashkërenduar ato me njohjen e historisë dhe gjuhës së vendit tonë”, – u shpreh Presidenti i Italisë, Xhorxho Napolitano.

“Pal Engjëlli”, shkolla më e re 9-vjeçare në Tiranë

“Pal Engjëlli” është një shkollë tërësisht e re, vënë në dispozicion për fëmijët e periferisë së kryeqytetit. Fondi i përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për ndërtimin e shkollave të reja u zbatua nga Bashkia e Tiranës për të dytin herë brenda këtij viti. Në kuadër të javës përkujtimore në nder të 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit, bashkia shfrytëzoi rastin të hapë dyert e shkollës më të re 9-vjeçare në kryeqytet. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, i pranishëm në përurimin e shkollës së re u shpreh: “Shkolla “Pal Engjëlli”, që mban këtë emër të madh të historisë sonë dhe që sot përurohet në kuadrin e aktiviteteve për 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit, është ajo çka priste ky komunitet i një periferie të skajshme të Tiranës, ku shumë familje në nevojë dhe shumë fëmijë që duhet të rriten, të edukohen dhe sigurisht të shkollohen për të qenë nesër të zotët e vetes, janë sot në këtë shkollë për të realizuar një dëshirë, një ëndërr të kahershme”. Gjithashtu, u shpërndanë paketa didaktike dhe mjete ndihmëse për programin mësimor-edukativ për këtë komunitet nxënësish, të cilët ndodhen në vështirësi sociale dhe ekonomike. Shkolla “Pal Engjëlli” shtrihet në rrugën “Myslym Keta”, në territorin e njësisë bashkiake nr. 4. Kështu, shkolla është pajisur me të gjithë infrastrukturën e nevojshme mësimore, për një zhvillim normal të procesit mësimor. Godina trekatëshe ka kapacitet prej 800 nxënësish. Ajo ka gjithashtu mjedise dhe hapësira të mjaftueshme për studim, aktivitete sportive, argëtim etj. Numri i klasave që u janë vënë në dispozicion fëmijëve, është 32. Shkolla është pajisur gjithashtu me kabinete e laboratorë, sallë shumëfunksionale me palestra si dhe me mjedise ndihmëse, asistencë mjekësore etj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›