Në hall me peshqit
As peshqit s’i lënë rehat. Persona që nuk janë peshkatarë, përditë po shkojnë të gjuajnë peshq në basenet që gjenden në fshatin Radevë në Lipjan.
Këto basene që dikur ishin pronë e shtetit, më 2001 janë privatizuar dhe ato i ka blerë Abdurrahman Konjufca, një fermer nga Lipjani.
Ky njeri që posedon edhe një fermë të pulave në Lipjan, është në hall të madh. Gati për çdo ditë i duhet të lajmërojë policinë. Arsyeja është shumë e thjeshtë, njerëzit po ia vjedhin peshqit që i ka rritur vetë. E, dëmi është goxha i madh. Konjufca thotë se dëmi që i është bërë atij shkon në 320 mijë euro.
“Ata peshq i kam rritur vetë, e tash i kanë shkatërruar”, thotë Konjufca për Express. Por pavarësisht intervenimit të policisë, njerëzit nuk ndalen së shkuari në basenet e Radevës. Si duket, ata i tërheqin llojet e peshqve që Konjufca thotë t`i ketë blerë jashtë Kosovës. “Aty ka pasur edhe trofta”, thotë Konjufca.
Edhe të premten, në basenet e Konjufcës kishte njerëz që kishin ardhur edhe nga fshatrat e komunave të tjera. Njëri ndër ta është Ilmi Dobërdolani. Ai ka marrë grepin, birra të Pejës me vete dhe nga fshati i tij ia ka mësyrë Radevës së Lipjanit. Ilmi Dobërdolani, nga Korrotica e Epërme, ka dëgjuar se në këto basene ka peshq me bollëk. Andaj, si adhurues i peshkut, Ilmiu me disa shokë në mesditën e së premtes kanë mbërritur te liqenet, por peshqit nuk po i gjejnë askund. Uji është lëshuar në masë të madhe në njërën nga liqenet që kanë ardhur ata të marrin peshq. “Më kanë thënë se dje ke mujtë me zanë peshq me dorë se nuk ka pasë ujë”, thotë Dobërdolani për Express. Peshqit në këto basene janë bërë problem kohët e fundit për Policinë e Kosovës. Këta të fundit kanë arrestuar pesë persona, të cilët po peshkonin peshq në këto basene.
Policia ishte njoftuar se disa persona po gjuajnë peshk në basenet prona të Konjufcës. Por, pas katër orësh, “peshkatarët” janë liruar, e më pas prapë i janë kthyer vendit ku ishin më herët. Ilmi Dobërdolani thotë se i njeh personat që u kapën nga policia, e njëri ndër ta edhe djali i axhës së tij. “Ata i ka lajmëru dikush tuj gjuajtë peshk, e janë arrestu, por më vonë janë kthyer prapë këtu. Në mbrëmje janë ardhë në shtëpi me peshq ka dy kilogramë”, rrëfen Dobërdolani, i cili thotë të ketë ardhur në Radevë për herë të parë, pasi që e ka hobi peshkimin dhe ka leje të peshkatarit. Por nuk është vetëm ky person që kishte ardhur të premten në Radevë. Kishte edhe njerëz të tjerë që donin të gjuanin peshq, për të cilët tregojnë se janë të mëdhenj nëpër këto basene. Njëri nga ta që nuk dëshiron të identifikohet, thotë se do të marrë peshk këtu sa herë të dojë, pavarësisht se këto basene janë të dikujt. “Nuk mundet policia gjithë me i rujtë. Sa herë të mundem, kam me ardhë me marrë”, thotë ky person që prezantohet se është nga fshati Henc, fshat në afërsi të baseneve.
Derisa policia këtë rast e ka kualifikuar si gjueti të kundërligjshme, pronari i baseneve thotë se dikush këtë po ia bën me qëllim, pasi që AKP-ja ia ka shkëputur kontratën që e kishte bërë në vitin 2001, kur kishte blerë fermën e pulave në Lipjan, ku hyjnë edhe basenet në fshatin Radevë. “Unë dyshoj se dikush po do me ble pronën që ka qenë e imja”, tha Konjufca.
Në fakt, Konjufca e ka paditur AKP-në në Gjykatën Supreme për shkëputje të njëanshme të kontratës. Gjykata ende nuk ka marrë asnjë vendim në lidhje me lëndën e Konjufcës, mirëpo sipas tij, është njoftuar se nga AKP-ja nuk mund ta blejë askush derisa të përfundojë lënda. Arsyeja pse AKP-ja ia shkëputi kontratën, është se nuk i ka plotësuar kriteret me rastin e privatizimit të fermës së pulave. Për krejt këtë, Konjufca ia hedh fajin KFOR-it irlandez, i cili deri vitin e kaluar ia kishte zënë pothuajse më shumë se gjysmën e hapësirës së fermës. Ai ankohet se KFOR’i i shkaktoi dëm edhe në fermën e pulave dhe se asnjëherë nuk i janë paguar. “KFOR’i irlandez më ka shkatërruar, makineria e tij dhe vetë prezenca e tij në këto hapësira më ka sjellë dëme të mëdha, të cilat arrijnë në 7 milionë euro, e as që janë paguar deri më tani”, tha Konjufca.
Sido që të jetë, këto basene janë bërë vend joshës për dashamirët e peshkut. Konjfuca thotë se para tri vjetësh ka marrë tre milionë vezë të peshqve në Kamenicë të Sremit dhe kjo mund të jetë arsyeja pse njerëzit me letra, e edhe në të zezë, mësyjnë basenet e Konjufcës për të zënë peshq të mirë.
E, policisë s’i mbetet tjetër vetëm t’u paraqitet ankesave të njerëzve, të cilët tregojnë se njerëzit po gjuajnë paligjshëm në basene.
Një gjë e tillë ka ndodhur të enjten, ku sipas policisë, ankuesi ka raportuar se në liqenin e peshqve në fshatin Radevë në Lipjan janë duke gjuajtur peshk disa persona. Në vendin e ngjarjes, policia ka arrestuar pesë persona, të cilët pas intervistimit në konsultim me prokurorin, janë liruar në procedurë të rregullt.