Në anën e dallaveraxhinjve
Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit, kurrsesi nuk pajtohet me gjobën prej 30 mijë eurosh, të cilën ia kishte shqiptuar Organi Shqyrtues i Prokurimit. Për t’i shpëtuar kësaj gjobe, ajo e ka paditur OSHP’në në Gjykatën Supreme të Kosovës. E kjo e fundit i ka dalë në mbrojtje ART`së duke ia pezulluar vendimin përkohësisht.
Ky vendim e ka nervozuar fort OSHP`në.
Gjatë muajit mars, OSHP’ja e kishte gjobitur këtë autoritet për shkeljen e procedurave të prokurimit.
Në fakt, dënimi erdhi pasi ART’ja ia kishte dhënë tenderin kompanisë nga Shqipëria “R&T sh.p.k – TBS”, pavarësisht faktit se e njëjta kishe ofertuar me tri oferta financiare si e vetme. Kjo me Ligjin për prokurimin publik është rreptësisht e ndaluar.
Bazuar në këto shkelje, shefi i OSHP’së tha se vendimi i Gjykatës Supreme është i padrejtë dhe antiligjor.
Për këtë rast, dy ditë më herët, i kanë dërguar edhe një parashtresë Gjykatës, ku kanë kërkuar rishqyrtimin e këtij rasti, dhe i kanë rikujtuar se është koha e fundit për heqjen e masës së përkohshme.
Kryetari i OSHP’së, Hysni Hoxha tregon për Express, se pa e bërë pagesën e gjobës ART’ja, kjo gjykatë nuk ka të drejtë të aplikojë masë të përkohshme në këtë rast.
Për të mos e lënë këtë çështje hapur, deri më tash, Hoxha thotë se kanë bërë disa parashtresa në Gjykatë, ku ia kanë rikujtuar asaj se nuk kanë të drejtë t’i aplikojnë këto masa, pa e plotësuar një kusht ligjor ART’ja.
“Dy ditë më parë, ia kam dërguar parashtresën Gjykatës dhe ia kam përkujtuar se është koha e fundit për heqjen e këtyre masave”, tha Hoxha.
Sipas tij, kjo gjykatë, që nga janari e deri tash nuk e ka zhvilluar procedurën në mënyrë të rregullt dhe as që ka dëgjuar kërkesën e tyre për heqjen e kësaj mase.
Ligji prokurimit publik, tregon Hoxha, thotë se vendimet e OSHP’së janë vendime të prera dhe për to mund të ketë ankesa, por jo të merret vendim për ndalimin e pagesës. “Gjykata pa studiuar lëndën mirë e ka aplikuar këtë masë. Por herët apo vonë, unë pres që Gjykata të shfletojë ligjin dhe të tërheqë këto masa, sepse janë në mënyrë antiligjore”, tha ai për Express.
Vendimi i tyre për ART’në thotë se ka qenë legjitim dhe i plotfuqishëm dhe me asnjë kusht gjykata nuk është dashur ta ndërpresë.
Në lidhje me këtë rast, gjatë muajit mars ishte larguar një zyrtar i prokurimit nga ART’ja.
Zyrtarë të këtij autoriteti patën pranuar se për këtë rast është larguar nga puna një zyrtar dhe se të gjitha tjerat ua kishin lënë për hetime organeve të drejtësisë.
Ekrem Hoxha, kryetar i ART’së, pati deklaruar se largimi i këtij zyrtari lidhet me rastin e fundit kur u shkel ligji.
Ai thotë të mos të ketë qenë në dijeni për aktivitetin joligjore brenda institucionit që e drejton.
“Ai e ka dëmtuar imazhin e ART`së. Ka marrë një vendim në kundërshtim me Ligjin e prokurimit”, ka thënë Hoxha, duke iu referuar zyrtarit që e ka larguar nga puna. Për më tepër, Hoxha pranon se mund të ketë hetime për këtë rast.
“Ua lëmë organeve të hetuesisë për të tjerat”, ka thënë ai.
Megjithatë, krejt ndryshe thuhet në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, me të cilin e dënoi 30 mijë euro ART`në për shkelje ligjore. Ky organ në vendimin e tij tregon se zyrtari i larguar nga puna është pajtuar me anulimin e tenderit.
Ndryshe, dënimi erdhi pasi ART’ja ia kishte dhënë tenderin kompanisë nga Shqipëria “R&T sh.p.k – TBS”, pavarësisht faktit se e njëjta kishe ofertuar me tri oferta financiare si e vetme. Kjo me Ligjin për prokurimin publik është rreptësisht e ndaluar.
Gjoba legjitime
Organi Shqyrtues i Prokurimit, gjobën prej 30 mijë eurosh ia kishte shqiptuar ART’së, pasi kjo e fundit ia kishte dhënë tenderin kompanisë nga Shqipëria “R&T sh.p.k – TBS”, pavarësisht faktit se e njëjta kishe ofertuar me tri oferta financiare si e vetme. Kjo me Ligjin për prokurimin publik është rreptësisht e ndaluar.