E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në hijen e Skënderbeut



Në sajë të diskursit të tij artistik që trajton stereotipin "mashkullor" të imazhit të heroit në historinë kulturore Evropiane, Franz Kapfer u ftua nga TICA, për të marrë pjesë në programin e rezidencave për artistë në Tiranë. Instalacioni me dritë "Në hijen e Skënderbeut", i cili u ngjiz nga hija e shtatores së Skënderbeut në Tiranë, do të shërbejë për ta "thirrur" Skënderbeun – sipas modelit të Batmanit – t’i vijë në ndihmë shqiptarëve sa herë që ata do të kenë nevojë. Përmes hijes, Kapfer kërkon të hedhë dritë mbi përdorimin politik apo social të figurës së Skënderbeut në historinë e shkuar e të tashme të Shqipërisë.

Projekti i Franz Kapfer do të realizohet në formën e një projeksioni me dritë mbi fasadën e Akademisë së Arteve, ditën e enjte, dt. 15.01.08, ora 16:30, që do të ndiqet nga një debat i hapur mbi përvetësimin dhe ndërtimin e figurave të heronjve. Gjithashtu, projekti do të plotësohet nga një projeksion mbi ngrehinën e skenës në tarracën e Teatrit të Operës, ditën e mërkurë, të enjte dhe të premte, në datat 14, 15, 16.01.08.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›