E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pezullohet aplikimi për karta, mungojnë kuponët



Pezullohet për dy ditë procesi i aplikimit të qytetarëve për t’u pajisur me kartat e identitetit. Përgjatë ditës së djeshme dhe të sotme në asnjë zyrë postare nuk shërbehen kuponë. Dje, në ditën e dytë të aplikimeve, posta ka njoftuar se kanë mbaruar 4 mijë kuponët e vënë në dispozicion. Sipas të njëjtit burim, nxjerrja në treg e kuponëve të rinj do të bëhet ditën e enjte pranë sporteleve të postave. Kështu që për të gjithë qytetarët më datë 15 janar rifillon procesi normal i aplikimit për t’u pajisur me kartat e identitetit.

Kuponët

Edhe dje, në ditën e dytë të aplikimit, zyrat postare kanë pasur fluks të lartë të qytetarëve, shumë prej të cilëve në orët e para të mëngjesit kanë rendur për të blerë kuponin. Sapo janë paraqitur në zyrat postare, janë zhgënjyer. Nga punonjësit e këtyre zyrave është pohuar mungesa e kuponëve. Për këtë procesi është pezulluar përkohësisht. Zyrat postare pohojnë se nuk disponojnë kuponë.

Por as pohimi i punonjësve nuk u ka mjaftuar qytetarëve të cilët kërkonin informacione të mëtejshme se kur rifillonte shpërndarja. Për këtë në të gjitha zyrat postare pranë sporteleve është vendosur një njoftim ku thuhet se shpërndarja e kuponëve do të rinisë më datë 15 janar.

Fluksi

Rreth 4mijë kuponët e hedhur në treg ditën e parë të aplikimit janë tërhequr nga qytetarë. Zyrat postare dhe njësitë bashkiake të Tiranës gjatë ditës së djeshme janë gjendur përballë fluksit të lartë. Ndërkohë që edhe ditën e djeshme ka pasur sërish fluks. Por situata është normalizuar brenda pak orësh. Mungesa e kuponëve ka zbehur disi procesin e aplikimit. Qytetarët e paraqitur dje pranë zyrave postare për t’u pajisur me kuponin për kartat e identitetit janë kthyer sërish mbrapsht pa mbaruar punë.

Kuponët e prodhuar në fillim nga firma kanë përfunduar që ditën e parë. Vonesat në furnizim janë bërë edhe shkak i mungesës së kuponëve. Ndërkohë që zyrat postare janë gjendur në vështirësi si shkak i këtyre mungesave. Këto të fundit janë gjendur të detyruar të japin më shumë shpjegime qytetarëve për mungesën e mandatarkëtimeve. Por, thonë se kanë njoftim për mbërritjen e tyre rreth ditës së enjte.

Për letërnjoftimin elektronik çdo qytetar duhet të paguajë 1200 lekë të reja, pranë zyrave postare. Me kuponin përkatës, ai do të drejtohet në zyrën e ngritur pranë njësisë bashkiake përkatëse, për të bërë aplikimin. Nga koha e realizimit të kësaj procedure, qytetarit i duhen 2 javë për të marrë në dorë kartën e tij të identitetit. Autoritetet përkatëse kanë njoftuar se mos pajisja me kartën e identitetit, përveçse do të jetë pengesë për përfitimin e një sërë shërbimesh, do të shoqërohet edhe me sanksione.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›