E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli, me gratë biznesmene: Gruaja lind lidere



Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, rinisi në këtë fillim viti fushatën sensibilizuese të pjesëmarrjes së gruas në politikë dhe vendimmarrje. Fushata promovuese ka vijuar dje në një takim me gratë të suksesshme biznesmene, pedagoge në fushën e ekonomisë dhe me anëtare të Dhomës Amerikane të Tregtisë. Takimi me temë “Rritja e rolit të gruas në jetën politike të vendit dhe në instancat e vendimmarrjes” kishte për qëllim shkëmbimin e ideve dhe qëndrimeve për një komunikim më efikas të grave në biznes dhe në aktivitete tregtare, me politikën në Kuvend. Kryetarja e Kuvendit tha se ka zgjedhur posaçërisht këtë takim me gra, lidere në biznes, për të vijuar në vitin 2009 fushatën kombëtare sensibilizuese në mbrojtje të të drejtave të grave. “Ky është një rast i mirë që nga ky takim i historive të suksesit të secilës prej jush, të japim mesazhe për çdo grua që mund të bëhet si ju. Jam e bindur se gratë lindin me dhuntinë e të qenit lidere”, - u shpreh ajo. Sipas Topallit: “Gratë janë lidere të fëmijëve, të familjeve të tyre, janë lidere kudo që ato ushtrojnë profesionin e tyre. Ato janë të suksesshme. Janë të suksesshme në modë, në arsim, në biznes, në drejtimin e shkollave private, të universiteteve private”. Duke shpjeguar rolin e Kuvendit në përmirësimin e legjislacionit, klimës ekonomike dhe biznesit në vend, kryetarja e Kuvendit garantoi pjesëmarrëset se zyrat e Parlamentit dhe komisioneve do të jenë gjithmonë të hapura për to. “Ky kuvend, gjatë këtyre viteve në fakt është transformuar në konceptin e tij dhe është hapur për të gjithë. Ndaj mendoj se ky partneritet, bashkëbisedim i hapur, i sinqertë, mes politikës dhe biznesit, vetëm se ndihmon për një perspektivë dhe afrim me biznesin”, - deklaroi kryetarja e Kuvendit. Drejtorja e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Filloreta Faber, falënderoi veçanërisht kryetaren e Kuvendit për takimin e parë të këtij lloji me gratë biznesmene, si dhe vlerësoi angazhimin dhe gatishmërinë e zonjës Topalli në mbrojtje të grave”. “Ideja e këtij takimi është të shkëmbejmë mendimet dhe të lobojmë me të gjitha grupet e tjera të interesit, që gratë të bëhen pjesë aktive e hartimit të politikave dhe vendimmarrjes”, - tha zonja Faber.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›