E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Çikago flitet edhe për Kosovën

Shefat e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s, kanë filluar të mblidhen në Çikago, qytetin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, ku sot dhe nesër zhvillohet samiti i NATO-s në 63-vjetorin e ekzistimit të kësaj aleance.

Një varg temash janë caktuar për këtë samit, ndërsa në deklaratën përfundimtare të tij pritet të vlerësohet edhe puna e deritashme e NATO-s në Kosovë, ku përmes operacionit të KFOR-it, aleanca me partnerët e vet është duke vazhduar të krijojë një ambient të sigurt.

Rajoni i Ballkanit do të jetë temë e diskutimeve, po ashtu, edhe në disa takime në margjinat e këtij samiti të NATO-s dhe atë në takime të ndara të ministrave të Mbrojtjes dhe ministrave të Jashtëm.

Pritet që edhe nga ky samit NATO-ja të përsërisë përkushtimin për të vazhduar kontributin në rajonin e Ballkanit, por edhe për të vazhduar procesin e zgjerimit të aleancës përmes vazhdimit të politikës së dyerve të hapura.

Sa i përket rajonit të Ballkanit, në NATO pohojnë se pavarësisht sfidave që ekzistojnë ende në këtë rajon, ai është i qetë dhe është arritur përparim i dukshëm në aspektin e sigurisë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›