E Diel, 1 Nëntor 2026

Në ishullin e ishullit të Korfuzit

Ishulli i Korfuzit është duke rendur drejt kuotës së 1 milion turistëve në vit. Kjo bën pjesë në rrjedhën normale të sezonit, që nuk mbaron as me përfundimin e stinës së vjeshtës. Korfuzi mbetet ishulli më i magjishëm me destinacion turizmin. Edhe në ditët dhe javët e shtatorit, veçantitë e ishullit grek vazhdojnë të tërheqin flukse turistësh nga e gjithë Europa dhe bota. Grupe pa fund turistësh, ndoshta të të gjitha kombësive, vërshojnë rrugicave të ngushta, aq të pangjashme me njëra-tjetrën, por që nuk i gjen askund tjetër, duke u derdhur dyqaneve të dhuratave pa fund të Korfuzit, me simbolet e qytetit, që është dhe nuk është Greqi.

Më pak se një milje larg tij, gjendet ishulli i ishullit të Korfuzit, i dallueshëm edhe me sy të lirë nga buzëdeti i mbushur me kruaziera, me jahte, tragete dhe kaike transporti apo peshkimi. Ky është ishulli Vidho, i lakmuar për pushime të qeta, larg rrëmujës e zhurmave dhe fare pranë natyrës. Për këto veçori, Vidho është një ishull i kthyer në kamping të rrallë, ku mund të pushohet mrekullisht prej prillit e majit deri në tetor. Në limanin e vogël, ku ankoron anija "Shpella e Vidhos", presin në çdo orë të ditës njerëz që e dinë çfarë do të thotë të kalosh një ditë në Vidho, apo të tjerë, kureshtarë, që vetëm kanë dëgjuar për këtë dhe nuk u iket nga Korfuzi pa plotësuar pushimet e tyre me ato që ofron ndryshe natyra dhe organizimi i jetës në Vidho. Prej orës 8 me orën lokale e deri pranë apo përtej mesnatës varka "Shpella e Vidhos", është për çdo gjysmë ore në shërbim të tyre, duke i çuar e sjellë nga një breg në tjetrin.

Kampingu i 27 flamujve

Sa mbërrin në sheshin kryesor të kampingut të Vidhos, sheh se në të dyja anët e një korridori natyror, të krijuar me pemë të larta e të drejta, valëviten flamuj të shumtë, mes të cilëve edhe flamuri me simbolin e shqiponjës dykrerëshe. Ndjehesh mirë që në një tokë të huaj, gjen kështu provën më të fortë të mposhtjes së psikologjisë së inferioritetit të shqiptarëve, pasi flamuri ynë kombëtar është mes 26 simboleve të shteteve që janë pjesë e Europës së Bashkuar.

Ajo që ofron ishulli Vidho, janë vilat, në dhomat e të cilave ndjehesh si në familje, por edhe çadrat e instaluara në territorin e tij, që japin ndjesinë dhe mundësinë e organizimit të pushimeve në kushte kampingu, shumë pranë natyrës. Banorë të vilave të Vidhos u bënë për gati dhjetë ditë të moshuarit e qendrës polivalente ditore të Sarandës, të shoqëruar nga stafi i këtij institucioni social, që prej gjashtë vjetësh funksionon dhe ofron përkujdesje sociale për njerëz të vetmuar apo të braktisur në Sarandën përballë, vetëm 16 milje detare larg ishullit të Vidhos e atij të Korfuzit, me bashkinë e të cilit e lidh një histori shumëvjeçare binjakëzimi. Për të tretin vit radhazi, nga bashkia e ishullit grek të Korfuzit është përsëritur ftesa për të pritur banorët e qendrës polivalente ditore të Sarandës në ishullin klimaterik të Vidhos. Pas lehtësirave të pritshme, edhe në konsullatën greke në Gjirokastrës, që i ka pajisur ata me një vizë kolektive, banorët e kësaj qendre sociale, me drejtorin e institucionit Emilio Rexho në krye, kanë udhëtuar drejt tij, si drejt shtëpisë së tyre të verore. Veshja e gjelbër e pyllit, nga mijëra rrënjët e pishave të egra, palmave të kultivuara dhe ullinjve e pemëve të tjera, bën që edhe duke qenë në brigjet e detit, të ndjehesh si në një klimë malore, të freskët dhe gjeneruese të energjive trupore dhe intelektuale. Edhe këta të moshuar ndjejnë se në mushkëritë e tyre hyn ajri i kondicionuar natyralisht, duke bërë që secili të ndjehet mirë me shëndet dhe që në këtë natyrë të harrojnë edhe ankesat e përditshme për shëndetin e tyre.

Pjesë e natyrës së ishullit të Vidhos është edhe një faunë karakteristike. Në stolin e pushimit, të kompozuar me dru pylli, në forma nga më të ndryshmet, në plazhet e shumtë, ku mund të jesh duke marrë rreze diellore, apo pranë tryezës së ushqimit, të afrohet shumë miqësisht lepuri i egër, që rritet në natyrë, apo fazanët e bukur, me pendët shumëngjyrëshe. Vidho është ishulli, në virgjërinë e të cilit na thonë se janë lëshuar këto shpezë të egra, të cilave askush nuk ua di numrin e saktë se sa mund të jenë. Bëhet fjalë për rreth 1000 lepuj e fazanë të lëshuar në 53 hektarët e ishullit të Vidhos. Por kjo shifër duket e zvogëluar, kur sheh se në çdo shëtitje që mund të bësh nëpër rrugët e pyllit në ishull, nga çdo gëmushë apo nga çdo tunel pemësh, të dalin përpara lepuj e fazanë, të cilët të bëjnë shoqëri. Ata jo vetëm nuk njohin refleksin e frikës nga njeriu, por presin që t‘i të luash me ta apo t‘u ofrosh diçka për stomakun e vogël.

Rrethuar nga përkujdesja

Aleka, kryekuzhinierja dhe ndihmëset e saj, që vijnë çdo mëngjes herët apo çdo drekë me anijen e vogël për të gatuar nga gjellët më karakteristike dhe më të shijshme të kampingut për të moshuarit e ardhur nga Saranda, thonë se prej tre beharë radhazi kanë kënaqësinë të presin dhe të kujdesen për ushqyerjen e njerëzve të moshës së tretë nga qyteti binjak i Sarandës, me të cilët tashmë janë bërë miq të mirë, duke bërë të papërfillshme vështirësinë e komunikimit në gjuhë të ndryshme për ndonjërin. Ato thonë se kujdesen që nga gjellët e gatuara prej tyre të marrin sa më shumë shije dhe kalori të moshuarit, por edhe të krijojnë sa më shumë variacion, duke bërë që në tryezat e ushqimit të vihen çdo ditë gatime të reja, sa më pranë mënyrës tradicionale të Korfuzit në trajtimin e peshkut, por edhe të makaronave, duke bërë me to pasticadhën tipike korfiate etj.

Ushqyerja disi me të tepërt dhe jashtë menysë së përditshme të tyre, bën që të moshuarit të rrisin edhe më shumë kujdesin për të mbajtur në kontroll parametrat e treguesve të shëndetit. Kujdes edhe më të shtuar tregojnë për veten ata që kanë probleme me tensionin, me ritmin e punës së zemrës apo me diabetin. Edhe pse kushtet në të cilat gjenden i bëjnë të ndjehen të lehtësuar nga shqetësime të tilla, as ata dhe as stafi i institucionit që i shoqëron, nuk ia lejojnë vetes shkujdesjen. Prandaj, ende pa marrë vaktin e mëngjesit, i drejtohen ambulancës së kampingut në Vidho, ku dy infermieret greke, Maria dhe Tina, ndërrojnë njëra-tjetrën çdo 24 orë, për të qenë 24 orë me shërbimin e tyre shëndetësor pranë të moshuarve nga Saranda. Që nga drejtori, Emilio, dhe punonjëset e qendrës polivalente të Sarandës, Antigoni, Visa dhe deri tek ekonomistja, Elsa, janë kthyer në kujdestare të vëmendshme për shëndetin e secilit, pasi vlerësojnë se mosha ka të papriturat e veta. Askush nuk shkon të flejë pa u siguruar se secili prej të moshuarve do të bëjë një gjumë të qetë.

Në këtë mjedis natyror dhe njerëzor, të moshuarit marrin kënaqësinë e gjithçkaje të mirë që ofron jeta në ishullin e virgjër të Vidhos. Shëtisin grupe-grupe nën hijet e pemëve, vijojnë seancat e lojërave të dominosë apo të letrave, vënë veshin pranë radiove të dorës, të interesuar për të mësuar çdo lajm të ri që i mban në korrent me ato që ngjajnë ndërkohë në Shqipëri dhe në Sarandë, mblidhen dhe ia pleksin këngës polifonike, që shpërndahet në të gjithë ishullin, apo ngrihen në valle.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›