E Diel, 1 Nëntor 2026

Iliada kineze

Është anti-Tarantino, një dhunë e stilizuar, epike, e ftohtë, koreografike. Është një dialog i vështirë mes Lindjes dhe Perëndimit, përpjekja e një kinezi të diasporës për t‘i shpjeguar publikut historinë e vendit të tij. Filmi do të shfaqet në kinema pas datës 23 tetor. "Lufta e tre mbretërive" është një kryevepër me regji të John Woo. Është filmi më i kushtueshëm (80 milionë dollarë), që është realizuar ndonjëherë në Kinë, i jashtëzakonshëm jo vetëm për kinemanë, por edhe për regjisorin e famshëm të filmave aksion dhe triller, nga "Face/Off" (1997-ën) te "Mission Impossible 2" (2000). "Lufta e tre mbretërive" është një film i ngatërruar, i rafinuar dhe mjaft i famshëm, që lidhet me një episod legjendar të historisë më të vjetër kineze. Sipas disa gojëdhënave, kjo ngjarje është origjina e vërtetë e formimit të Perandorisë Qiellore. Filmi i treguar nga regjisori është një histori e vërtetë që ka ndodhur 1800 vjet më parë, kur populli kinez arriti të fitonte një betejë të madhe, pavarësisht numrit të vogël të luftëtarëve. Filmi, i ndarë në dy pjesë për shkak të gjatësisë së tij epike në vendet aziatike, do të shfaqet në kinematë europiane në një version të vetëm, pra i shkurtuar.

Historia zhvillohet gjatë dinastisë Han, në vitin 208 pas Krishtit, kur qytetet e Kinës ishin në luftë me njëra-tjetrën, për shkak të pranisë së Perandorit Han Xiandi. Në fakt Perandoria është në duart e Kryeministrit Cao Cao, i cili duke e "përdorur" Perandorin si një kukull, e zhyt vendin në luftë totale, që njihet si "Beteja e tre mbretërive".

Kjo betejë e famshme është përjetësuar në një libër, "Romani i tre mbretërive", që edhe pse është shkruar pothuajse shtatëqind vjet më parë, lexohet ende në të gjithë Azinë dhe ka qenë shtysë për shumë videolojëra dhe filma vizatimorë.

Regjisori John Woo ka lindur në Guangzhou në Kinën Jugore, por familja e tij u transferua në Hong-Kong kur ai ishte vetëm katër vjeç. Woo filloi të merrej me filma kur ishte vetëm 19 vjeç, në atë laborator krijues që ishte Hong-Kongu.

Nga Hong-Kongu Woo u nis me një transoqeanik drejt Hollivudit. Dukej se ishte i destinuar të kishte një karrierë të shkëlqyer, që edhe pse ishte një emigrant e mësoi menjëherë gjuhën dhe rregullat e biznesit amerikan. Gjithsesi, dashuria për vendin e tij e ka tunduar gjithmonë. Për prodhimin e tij të parë të madh në atdhe, Woo ka treguar përulësi, një përpikmëri të tepruar. Me një ambicie të madhe synoi shumë lart: të kënaqte publikun aziatik që njeh çdo detaj nga ajo histori dhe të bënte për vete perëndimorët, për të cilët Kina e vjetër mbetet e mbështjellë në një mister.

Regjisori Woo ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme, sforco të mëdha, që ndoshta vetëm në Republikën Popullore janë të mundura. Në kërkim të vendeve të sakta ku u zhvillua beteja e "Shkëmbinjve të kuq" u përball me shokun e modernizmit: qytetet origjinale ishin "dhunuar" nga industria, urbanizimi, ndotja. Për të krijuar vendet dhe atmosferën e 18 shekujve më parë, ndërtoi një mal artificial, duke lëvizur masa të mëdha toke. Kaloi muaj duke studiuar kostumet e epokës, traditat dhe ritualet, duke shfletuar arkivat, që në disa raste ishin fshirë ose ishin dërguar në Japoni. Në film marrin pjesë të gjithë yjet e kinemasë kineze, si Tony Leung, Takeshi Kaneshiro, e shumë të tjerë.

Është shumë domethënëse që nomadi Woo i është bashkangjitur parabolës artistike dhe ideologjike të bashkatdhetarit të tij më të famshëm, Zhang Yimou.

Pas shkatërrimit të kujtesës së saj historike, duke përfshirë brezat e vjetër, Kina e ditëve të sotme duket e etur për të gjetur një lidhje emocionale me lavditë perandorake. Ajo që për spektatorët perëndimorë është një spektakël i vërtetë, në Azi ka kuptim tjetër: është shtrembërimi i historisë në formimin e një ndërgjegjeje nacionale popullore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›