Në janar tenderi parakualifikues për portin e ri të peshkimit në Durrës
Projekti parashikohet të përfundojë brenda vitit 2012
Brenda vitit 2012 Durrësi do të ketë një port të ri peshkimi, ndërtimi i të cilit do të financohet nga Banka Islamike për zhvillim me një fond prej 14 milionë USD. Në fillim të janarit do të zhvillohet tenderi parakualifikues dhe deri tani 12 kompani kanë paraqitur dokumentacionin për të marrë pjesë, në specialisti i Njësisë së zbatimit të projektit (PIU), Tomorr Spahiu.
Sipas të njëjtit burim, porti i ri i peshkimit do të ndërtohet ngjitur me murin perëndimor të portit detar, në një sipërfaqe prej 10 hektarësh. Projekti për këtë port është realizuar nga kompania marokene CID dhe parashikon ndërtimin e një skoliere me gurë, 800 metra linearë, që do të krijojë një basen ujor të ri prej 8 hektarësh jashtë portit detar. Burimet shtuan se brenda basenit do të ndërtohen tre pontile - ura - me gjërësi 4 metra dhe gjatësi 84 metra secili. "Projekti parashikon mundësinë që të ankorohen njëkohësisht 130 motopeshkatore", tha inxhinjer Spahiu, sipas të cilit në një territor prej 2.2 hektarësh do të ndërtohen godinat e administratës dhe magazinave frigoriferike si dhe dispeçeria.
Në portin e ardhshëm të peshkimit do të punësohen rreth 750 vetë, duke përfshirë dhe peshkatarët", tha Spahiu, sipas të cilit në të ardhmen në të njëjtën zonë mund të ndërtohet edhe një treg për shitjen e peshkut me shumicë.
Zona portuale e peshkimit do të lidhet me rrugën Taulantia përmes një rruge të re me gjatësi 500 metra, e cila bën pjesë në investimin e përgjithshëm prej 14 milionë USD. Punimet për ndërtimin e këtij porti do të zgjasin tre vjet dhe fillimi i tyre është parashikuar në korrik të vitit 2009.
Flotilja e motopeshkatoreve të Durrësit strehohet në basenin ujor të portit detar, pranë kalatës së trageteve. Anijet e saj janë rrezikuar disa herë kur deti ka qenë i trazuar ose gjatë manovrave për ankorimin e trageteve.
...