E Diel, 1 Nëntor 2026

Forcat RENEA arrestuan sot në Durrës një person të përzier në dy tentativa vrasje

Një 30-vjeçar nga Durrësi, i njohur si anëtar i bandës së Lul Berishës u arrestua mbrëmë nga policia, pas një operacioni të organizuar në bashkëpunim me forcat speciale RENEA.

I arrestuari, Edmond Koçi, lindur dhe banues në Durrës, u arrestua me akuzën "vrasje e mbetur në tentativë", bënë të ditur burime zyrtare nga drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit.

Sipas të njëjtave burime, gjatë operacionit me emrin e koduar “Dara”, në një nga lokalet Eurolloto, në lagjen 16 të qytetit bregdetar, 30-vjeçari Koçi, i njohur më shumë me emrin Edmond Çekiçi, u orvat të qëllojë me pistoletë mbi policët e RENEA-s, por këta e bllokuan menjëherë.

Koçi ishte shpallur në kërkim pasi më 19 tetor të vitit 2006, pas një grindjeje të çastit qëlloi me pistoletë dhe plagosi rëndë Kastriot Lamçen. Burimet saktësuan se fillimisht Prokuroria, e më pas Gjykata e rrethit, kishin nxjerrë urdhër-arresti si dhe kishin vendosur masën “arrest me burg” në mungesë ndaj Koçit për “vrasje të mbetur në tentativë”.

Sipas të njëjtave burime, ky arrestim u ka hapur rrugë hetimeve të reja mbi disa vrasje të vitit të fundit në zonën e Spitallës dhe në lagjen 1 të qytetit, ku mendohet se është i përzjerë edhe 30-vjeçari Koçi.

Forcat e policisë sekuestruan mbrëmë në cilësinë e provës materiale edhe pistoletën me 9 fishekë, me të cilët Koçi tentoi të qëllojë forcat speciale. Në dosjen e tij do të shtohet edhe akuza e “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›