E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kabinetin e ri, edhe ministra pa portofol

Kryeministri Hashim Thaçi paralajmëroi sot se në kabinetin e tij, i cili pritet “të rifreskohet”, do të mund të ketë edhe ministra pa portofol.

Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve për ndryshimet e paralajmëruara në Qeveri, Thaçi tha se mund të ndodhë që në përbërjen e re të kabinetit të tij, përveç ministrit për Integrime Evropiane, të ketë edhe ministra pa portofol, raporton KosovaPress.

Përkundër spekulimeve të shumta që janë bërë në media për ristrukturim thelbësor të përbërjes së kabinetit Thaçi, kohëve të fundit deklaratat e zyrtarëve të qeverisë janë zbutur.

Së fundi, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ka thënë se ndryshimet në qeveri do të jenë të vogla dhe kjo të bëhet në bashkëpunim të plotë ndërmjet partnerëve të koalicionit

Sipas të gjitha gjasave, ndryshimet nuk do të ndodhin para mbajtjes së rivotimeve për kryetar në Prizren e Lipjan dhe marrjes së vendimit për Komunën e Gjilanit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›