E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkojnë informata për Strategjinë e Veriut

Kryesia e Kuvendit kërkon nga Qeveria e Kosovës një informatë për nivelin e zbatueshmërisë së Kushtetutës në gjithë territorin e Kosovës. Ndërsa pas dy javësh Kuvendi do të debatojë për këtë çështje, duke nxjerrë në fund rekomandime për ekzekutivin e vendit, përkitazi me çështjen e kushtetutshmërisë në tërë territorin e Kosovës dhe strukturat paralele.

Kërkesa për zbatueshmërinë e Kushtetutës ka ardhur nga Grupi Parlamentar i LDD’së.

“Ne debatuam në Kryesi dhe u morëm vesh që kërkesa t’i shkojë Qeverisë, e cila ka drejt brenda dy javësh t’i përgjigjet Kuvendit të Kosovës. Ne presim një dokument, një informatë për nivelin e zbatueshmërisë së Kushtetutës në gjithë Kosovën, cilët janë hapat që po i ndërmerr Qeveria për t’i larguar këto struktura paralele nga Kosova dhe pastaj mbi bazën e këtyre të zhvillohet një debat, i cili sigurisht që do të ketë edhe përfundime”, ka thënë Kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

Ai theksoi se beson që Qeveria si pjesë të informatës së saj do të sjellë edhe Strategjinë për Veriun.

Por, opozita kritikon Qeverinë për anashkalim të Kuvendit sa i përket diskutimit dhe hartimit të kësaj strategjie.

Shefi i Grupit Parlamentar të AKR’së, Ibrahim Makolli, ka thënë se Kuvendi nuk është informuar për këtë strategji dhe kjo, sipas tij, flet për seriozitetin e institucioneve të vendit.

“Ne presim si deputetë një informatë nga ana e Qeverisë për veprimet e saj të deritashme, për pengesat dhe sfidat dhe natyrisht Kuvendi në fund do të nxjerrë një dokument, përmes të cilit do t’i obligojë institucionet dhe në veçanti Qeverinë për të ndërmarrë masa”, është shprehur Makolli.

Kurse propozuesi i debatit, Lulzim Zeneli ka theksuar se pas periudhës dyjavore sa do të ketë kohë Qeveria që të sjellë informatën, Kuvendi do të debatojë dhe do të nxjerrë rekomandime obliguese për Qeverinë.

“Ne vlerësojmë si grup parlamentar se deri më tash institucionet e Kosovës karshi këtij fenomeni që ka të bëjë me mosrespektimin e Kushtetutës rreth prezencës së pushtetit serb në Kosovë, nuk kanë marrë hapa dhe nuk e kanë treguar vullnetin politik për ta adresuar këtë çështje”, është shprehur ai.

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që seanca e parë e sesionit pranveror të mbahet më 28 janar. Në atë seancë do të shqyrtohen një sërë projektligjesh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›