E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi 300 të vrarë gjatë trazirave në Nigeri

Pjesëtarët e ushtrisë së Nigerisë patrulluan sot nëpër rrugët e qytetit Jos, pas dhunës më të re ndërfetare e cila shpërtheu ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve, si pasojë e së cilës janë vrarë mbi 300 persona.

Autoritetet kanë vendosur orë policore në Jos, por njerëzit edhe dje mund të shiheshin duke lëvizur në qendër të qytetit. Në momentin kur pranë tyre kaloi një konvoj i ushtrisë, ata ngritën duart lartë, për të dëshmuar se nuk paraqesin ndonjë kërcënim.

“Dëshirojmë që qeveria të na ndihmojë”, theksoi Abdullahi Ushman, i cili shtoi se turmat e armatosura kanë sulmuar njerëzit me armë zjarri dhe shigjeta.

Trazirat filluan të dielën e kaluar, pasi që një grup i të rinjve myslimanë ja vuri zjarrin një kishe.

Të martën, organizata Human Rights Watch theksoi se mbi 200 njerëz janë vrarë si pasojë e dhunës ndërfetare. Ky grup kërkoi nga qeveria e Nigerisë që të hetojë dhe të dënojë personat përgjegjës për vrasje.

“Nuk është ky shpërthimi i parë i dhunës në Jos, por qeveria ka dështuar dhe deri me tani nuk ka kërkuar përgjegjësi nga askush. Mjaft është mjaft. Udhëheqësit e Nigerisë duhet t’i japin fund këtij qarku të dhunës”, deklaroi Corinne Dufka, zyrtare e HRW-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›