E Shtunë, 31 Tetor 2026

6.8 hektarë të konfiskuara deri tani

26/08/2009  Zv/kryeministri Genc Pollo bën llogaritë e punës për verifikimin e titujve të pronësisë

Troka mund të kalojë për kompensimin e ish-pronarëve ose do i lihet komunës

Punë për verifikimin e titujve të pronësisë ka dhënë frytet e para. Pas shqyrtimit të bërë nga komisionet vendore është arritur të konfiskohet një sipërfaqe e madhe toke, 6.8 hektarë, që ishte përvetësuar në mënyra abuzive, në shkelje të ligjit 7501 “Për tokën”. Zëvendëskryeministri Genc Pollo, njëherësh kryetar i Komisionit Qeveritar të Tokës, gjatë një interviste televizive deklaron se ligji për verifikimin e titujve të pronësisë i ka dhënë tashmë produktet e para. Sipas tij, atyre personave që kanë përfituar nga ndarja e tokës në mënyrë të kundërligjshme, duke abuzuar me ligjin 7501, u anulohet tapia, titulli i pronësisë. Zv/kryeministri Pollo bën me dije se sipërfaqja e tokës së konfiskuar do të kalojë për kompensimin e pronarëve të vjetër, ose në fondin e pushtetit vendor. “Toka që është marrë në mënyrë abuzive i merret zaptuesit dhe mbetet në një vend të veçantë. Në një moment të dytë qeveria do të vendosë nëse këtë tokë të rimarrë do t’ia lë komunës apo mund ta kalojë në një fond të veçantë për kompensimin e ish-pronarëve”, ka thënë ai. Drejtuesi i KQT-së thekson se me përparësi po shqyrtohen abuzimet në brezat turistike dhe janë identifikuar jo pak sipërfaqe të marra në mënyrë të kundërligjshme. “KQT dhe komisionet vendore po punojnë dhe së shpejti priten vendimet e para për duzina hektarësh, që do t’u hiqen zaptuesve. Kështu korrigjohen padrejtësitë e bëra në të shkuarën nga ofiqarë abuzivë dhe nga persona privatë të panginjshëm. Kështu i kthehen komuniteteve hapësira të përdorimit publik, si dhe krijohet gradualisht një fond për kompensimin e ish-pronareve”, thekson ai. Pollo sqaron se komisionet vendore të Verifikimit të Titujve të Pronësisë pranë prefekturave, të cilave ligji u jep të drejtën të shqyrtojnë dhe për të përcaktuar kur toka është zaptuar, është abuzuar me ligjin 7501 dhe prandaj revokohet titulli i pronësisë. Zëvendëskryeministri, njëherësh kreu i Komisionit Qeveritar të Tokës, thotë se është arritur të konfiskohet nga zaptuesit e paligjshëm, një sipërfaqe e mirë toke, e cila arrin në afro 68 mijë metra katrorë. Ai përmend rastet e konfiskimit të tokave në rrethin e Fierit, në atë të Vlorës dhe në Berat, të cilat ishin përfituar duke shkelur ligjin 7502 për ndarjen e tokës.

Fier

Në Dermenas dhe Libofshë të Fierit janë konfiskuar 32 mijë m2 tokë, të marra padrejtësisht.

Vlorë

Në Vlorë, nga kontrolli i ushtruar është arritur të konfiskohen 30 mijë m2 tokë.

Berat

Në rrethin e Beratit deri më tani është mundur që të konfiskohen rreth 6 mijë m2 tokë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›