E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Në kërkim nga SPAK, ekstradohet nga SHBA ish-oficeri i Policisë Gjyqësore

TIRANË, 6 mars /ATSH/ Një ish-oficer i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë është arrestuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është ekstraduar drejt Shqipërisë. 56-vjeçari F.L, ishte në kërkim në Shqipëri, për vepra penale në fushën e korrupsionit dhe nxjerrjes së sekretit shtetëror.

Policia njoftoi sot se “departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në koordinim me Prokurorinë Speciale (SPAK) dhe Agjencinë Federale DSS/OCIU, prezente në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ka arritur të lokalizojë dhe arrestojë në Shtetet e Bashkuara, një shtetas shqiptar, në kërkim ndërkombëtar, me urdhër arresti nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), për t’u përballur me akuzat dhe sistemin e drejtësisë në Shqipëri”.

Sipas policisë shtetasi shqiptar F. L., 56 vjeç, ish-oficer i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ishte në kërkim në Shqipëri, për vepra penale në fushën e korrupsionit dhe nxjerrjes së sekretit shtetëror.

Policia bëri me dije se F.L. u ekstradua rreth orës 15:00 të ditës së sotme.

Policia njoftoi se “ky operacion për lokalizimin, arrestimin dhe ekstradimin e këtij shtetasi ka ardhur si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta disamujore, ndërmjet agjencive ligjzbatuese shqiptare dhe atyre amerikane”. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›