Rama: Marrëveshja me Italinë garanton të drejtat për pensionet e gjysmë milion shqiptarëve

TIRANË, 6 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot miratimin e marrëveshjes për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore me Shqipërinë nga Senati italian, ndërsa theksoi se tashmë asnjë vit pune nuk humbet.
Rama theksoi se “kjo marrëveshje garanton të drejtat për pensionet e shqiptarëve në Itali dhe italianëve në Shqipëri”.
“Më në fund. Senati italian miraton marrëveshjen për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore me Shqipërinë. Kjo marrëveshje garanton të drejtat për pensionet e shqiptarëve në Itali dhe italianëve në Shqipëri”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, marrëveshja sjell siguri dhe perspektivë të re për thuajse gjysmë milionë shqiptarë dhe 4 mijë italianë.
“Përfitime për pension pleqërie, invaliditeti, familjar, sëmundjet dhe papunësinë. Ia dolëm! Grazie Italia, grazie sorella d’Italia”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Finalizimi i kësaj marrëveshjeje garanton të drejtat e punonjësve shqiptarë në Itali apo të punonjësve italianë në Shqipëri për pensionet.
Objekt i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore që përfshijnë përfitimet për pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjen dhe sigurimin e papunësisë.
/m.m/j.p/