E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Unë negociator, por duhet vullnet nga partitë

 

ADI SHKEMBI

Presidenti Bamir Topi konfirmon ekzistencën e krizës politike në vend, tre muaj pasi opozita nuk ka pranuar të hyjë në Parlament. Kreu i shtetit u shpreh i gatshëm të ndërhyjë në rolin e moderatorit për të zgjidhur këtë krizë, megjithëse sipas tij problemi ka të bëjë me vullnetin e forcave kryesore politike për të ulur në tryezën e bisedimeve. I pyetur pas homazheve për nder të ish-kryetarit të Akademisë së Shkencave, Teki Biçoku, nëse është i gatshëm të ndërhyjë në këtë ngërç politik, Topi tha se “së pari, nuk është koha për të dhënë një prononcim të tillë në një eveniment si ky, ku unë kam ardhur për të respektuar. Mirëpo për të respektuar edhe gazetarët, dhe në të njëjtën kohë edhe median, unë atë gatishmëri që kam pasur gjithmonë, vazhdoj ta kem, por çështja qëndron gjithmonë te vullneti politik i partive politike”. Pak javë më parë, Presidenti është shprehur se ai nuk mund të certifikojë zgjedhjet e 28 qershorit për shkak se forcat politike nuk i dhanë përfaqësues në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. “Në përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk e panë të arsyeshme që të kishte dhe një përfaqësues të Presidentit të Republikës, çka do të thotë që e profilizuan Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në mënyrë politike, partiake. Ky është një element, sepse Presidenti nuk mund të certifikojë zgjedhjet, pasi është Komisioni Zgjedhor i Zgjedhjeve ai që bën certifikimin e zgjedhjeve”, theksoi më tej Topi. Megjithatë, sipas tij, shqetësimi kryesor për momentin është rifillimi i dialogut politik. Kreu i shtetit theksoi se rivendosja e tryezës së bisedimeve është e rëndësishme për tejkalimin e këtij momenti, i cili e ka zanafillën pas zgjedhjeve të 28 qershorit, por edhe miratimin e reformave të rëndësishme në vend. “Unë edhe në këtë moment që ne po flasim do të rishpreh të njëjtin shqetësim. Shqetësimin për rifillimin e dialogut, shqetësimin për pjesëmarrje sikurse është thënë nga të gjithë aktorët, ata që janë përtej interesave politike, të aktorëve politikë në fushë, askush nuk mbështet mospjesëmarrjen, atë do të thosha edhe në këto momente, por gjithsesi janë çështje të vullnetit politik të partive. Ajo që mund të them sot është që domosdoshmëria për të rifilluar një dialog, i cili është shumë i rëndësishëm për kalimin e këtij momenti dhe për vazhdimin e mjaft reformave që janë të domosdoshme për Shqipërinë”, theksoi më tej Presidenti. Gjatë një interviste televizive pak ditë më parë, Topi tha se forcat politike mund të gjejnë një negociator mes tyre, pa qenë domosdoshmërisht ai që duhet t’i ulë partitë në tryezën e bisedimeve. “Unë nuk kam bërë ndonjë tentativë të drejtpërdrejtë për uljen e palëve, duhet ta shprehin vullnetin partitë politike në radhë të parë që të kërkojnë mediator dhe atëherë mund të futet në lojë institucioni. Ata mund të gjejnë mediator përtej Presidentit”, theksoi Topi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›