Në kërkim të pushimeve të plazhit
Sezoni i verës është në kulmin e vet dhe mbi turizmin tani të gjithë kujtohen të flasin. Sidomos mbi turizmin e plazhit. Njerëzit diskutojnë me njëri-tjetrin se ku do t’i kalojnë pushimet, ndërsa bizneset e turizmit i kanë ndezur motorët në maksimum për të marrë të ardhurat e shumëpritura të vitit. Media “hidhet” deri nga deti për të marrë disa filmime dhe bën reportazhe, karakterin e të cilave e përcakton që pa u nisur me drejtorin e lajmeve, dhe si përfundim edhe politika e përmend tek-tuk më shumë turizmin me gjithë “hallet” e mëdha që ka për të zgjidhur, të tipit se çfarë do të hanë për pjatë të parë te restorant “Krokodili”. Por ajo çka do të doja të trajtoja në këtë shkrim është thirrja se ka ardhur koha të merremi seriozisht me fatin e turizmit të plazhit në Shqipëri. Nuk dua të them këtu që turizmi i plazhit duhet të jetë e ardhmja e turizmit shqiptar, sepse kjo vështirë se do të arrihet, të paktën në një të ardhme të afërt, por dua të them që përderisa e kemi një potencial të tillë, nuk mund ta injorojmë apo ta lëmë të dëmtohet. Fakti është që për sipërfaqen që kemi, natyra na ka falur me shumë bujari kilometra të tërë të mrekullueshëm të Mesdheut. Kurse realiteti është që Shqipëria sot është një nga vendet mesdhetare më keq të zhvilluar, apo të pazhvilluar në turizmin e plazhit. Kemi një zhvillim totalisht kaotik, pa respektuar asnjë lloj plani edhe atje ku ato ekzistojnë; me një arkitekturë nga më të shëmtuarat që mund të shohësh jo vetëm në Europë; me një nivel menaxhimi dhe shërbimi nga më të ulëtat, për shkak të mungesës së edukimit dhe përvojës së paktë. Rezultati i gjithë kësaj janë rreth 600 hotele në të gjithë vendin, ku 80% e të cilëve janë me nga deri në 20 dhoma, gjë që përbën edhe handikapin më të madh të një zhvillimi sipas standardeve të këtij produkti. Në këtë gjendje është produkti i plazhit që kemi sot. Kurse tregu që thith ky lloj produkti ka qenë i variueshëm. Në fillim ishte një treg me të ardhura mbi mesataren, kryesisht shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë apo Shqipërisë me banim në vendet perëndimore. Më vonë, pasi ky treg u zhgënjye nga ajo çka ne i ofruam në plazhet tona, u zëvendësua dhe po vazhdon të zëvendësohet nga një treg me të ardhura të ulëta, i cili shpenzon pak dhe pranon për rrjedhojë dhe nivelin e ulët të shërbimit dhe produktit. Duke konsideruar me shumë tolerancë, që 10% e popullsisë së Shqipërisë dhe Kosovës kanë të ardhura mbi mesataren, pjesa që ngelet prej 90% (apo edhe sikur 70-80%) përbën një numër të mjaftueshëm për të realizuar "planet e numrave të turistëve". Por a është kjo ajo që duam, ndërkohë që turisti "i varfër" ndikon në një sezon më të shkurtër, nuk vjen më shumë se njëherë gjatë vitit dhe lë më pak të ardhura? Ka disa teori që hidhen për këtë:
Në teorinë e parë ka specialistë, edhe të huaj, që thonë se Shqipëria me atë çfarë ka bërë, nuk ka shanse të konkurrojë ndonjëherë në turizmin e plazhit, prandaj duhet të fokusohet te llojet e tjera të turizmit, si ajo e kulturës dhe natyrës. Kësaj teorie i vjen në ndihmë edhe politika shqiptare, që me pasivitetin e saj total ndaj turizmit, e ka lënë këtë produkt në dorë të zhvillimeve kaotike, me pasojat që përmendëm më sipër. Edhe pas 20 viteve nuk kemi arritur akoma të kemi resorte të vërteta turistike, nuk kemi akoma një hotel në bregdet me mbi 100 dhoma, kur minimumi duhet të kenë 200 që të konsiderohen nga ///turoperatorët e huaj, nuk kemi një investim të huaj, apo me emër në hotelerinë ndërkombëtare. Ajo që kemi janë "investime" nga të njohur politikanësh që aplikojnë për fshatra turistikë, por që i kthejnë në vila për shitje, për të cilat duhet të shesin dy që të ndërtojnë të tretën, duke lënë kështu ndërtime të pambaruara e beton të shëmtuar kudo në bregdet. Teoria e dytë është e një grupi personash që prej padijes ose prej interesit për të gënjyer njerëzit me iluzione, propagandojnë që Shqipëria duhet të bëhet një destinacion elitar, por nuk janë në gjendje të thonë se si, nga kush dhe kur. Dhe kur përballesh me realitetin tonë sot, me këtë teori as nuk vlen të merresh, të paktën për momentin.
Teoria e tretë, të cilën edhe unë mbështes, përmblidhet shkurt: Shqipëria nuk mund të injorojë potencialin që ka, por për t'u kthyer në konkurruese në tregun e egër të Mesdheut i duhet shumë, por shumë, shumë punë. Duhet përcaktuar çfarë produkti do të ndërtojmë dhe kujt do t'ia ofrojmë këtë produkt. Për këtë duhet që politika të kthejë sytë seriozisht nga turizmi dhe të heqë dorë nga “lufta e yjeve” për thyerjen e rekordeve të numrit të turistëve, e cila duket të jetë kthyer në qëllimin e vetëm të saj. Meqë jemi këtu, për të treguar që kjo gjë po kalon çdo limit, le të bëjmë disa llogari të thjeshta: deklarohet që kemi rreth 600 hotele ose 900 njësi akomoduese, hotele, apartamente pushimi, motele, në të gjithë vendin me rreth 30 mijë shtretër. Nëse 2/3 nga këto do ia kalojmë bregdetit, do të thotë që aty janë rreth 20 mijë shtretër. Pra kapaciteti maksimal i bregdetit tonë mund të mbajë në një ditë deri në 20 mijë turistë. Sezoni turistik i plazhit ka një shtrirje afërsisht 2-mujore, kohë kur vijnë edhe numri më i madh i pushuesve. Po të konsiderojmë një qëndrim mesatar gjatë kësaj kohe rreth 5 net, do të thotë që gjatë një muaji akomodohen maksimumi 120 mijë turistë. Në 2-3 muaj kjo shifër bëhet rreth 300 mijë turistë, ose sikur të kishim 12 muaj plazh me hotelet tona të mbushura plot, maksimumi i turistëve që do të prisnim do ishte rreth 1.5 milionë turistë! Nisur nga statistikat zyrtare, 80% e vizitorëve në Shqipëri vijnë për pushime dhe 20% për biznes, turist ditor. Duke i shtuar këtij numri edhe këtë 20% që i mungon, del që përafërsisht në qoftë se në Shqipëri do mbushen plot dhomat e të gjitha njësive akomoduese gjatë gjithë vitit, kapaciteti ynë zyrtar të lejon të mbash rreth 1.7-2 milionë vizitorë. Ky është limiti ynë teorik sot, kaq e kemi jorganin dhe nuk është më serioze të tentojmë të shtrijmë këmbët më shumë. Ndërsa po të duam të mësojmë realitetin, prapë me disa llogari të thjeshta po të mendosh se nga 100% e kapacitetit maksimal, hotelet tona në rang vendi nuk mbushen më shumë se 30-40% e kapacitetit të tyre, del vetë një shifër e përafërt se sa turistë mund të kemi gjatë vitit. Tani le të shikojmë pak ç’po ndodh me "outgoing" apo daljen e turistëve shqiptarë jashtë vendit. Në hotelet e Antalias mund të takosh më shumë shqiptarë sesa kroatë, malazezë, grekë, spanjollë, pra mesdhetarë. Me një numër rreth 30 mijë pushuesish në 2-3 muajt e verës, shqiptarët mund të jenë në vend të parë në përqindje për numër të popullsisë nga vendet e Mesdheut, që kalojnë pushimet në Turqi, pra në një vend tjetër po mesdhetar. Dhe të mos harrojmë se ky treg prej 30 mijë vetash që kërkon plazhe të huaja për të kaluar pushimet e tyre dhe shpenzon rreth 700-1 mijë euro për person gjatë 1 jave apo 10 ditësh, vjen nga një vend ku rroga mesatare është rreth 300 euro. E theksoj, këta turistë nuk shkojnë të vizitojnë Xhaminë Blu apo Kullën Ejfel, të cilën nuk e kanë në vendin e tyre, por harxhojnë 2-3 rroga mujore për të pushuar pranë detit që këtu e kanë me bollëk. Dhe kjo ndodh, sepse në vendin e tyre nuk u ofrohet i njëjti produkt i plazhit, i cili u ofrohet në Turqi apo në ndonjë vend tjetër të ngjashëm. Ndërkohë që tregu i turistëve që viziton plazhet tona shpenzon afërsisht gjysmën e kësaj shume, duke lënë më pak të ardhura për person ose duke bërë që të nevojiten më shumë turistë për të arritur të njëjtën shumë totale. Këtyre problemeve duhet t'u shtojmë faktet që jemi i vetmi vend në rajon me TVSH 20% në hoteleri, me taksë qyteti 5%, pa një sistem klasifikimi hotelesh, i vetmi vend vetëm me një emër rrjeti hotelier, i vetmi vend që nuk ka një hotel me më shumë se 150 dhoma, i vetmi vend pa një panair turizmi dhe ku e gjithë Ministria jonë e Turizmit e ka buxhetin vetëm sa zyra e promovimit të Kroacisë në Japoni! Si konkluzion situata e produktit të plazhit në Shqipëri është shumë komplekse dhe ka ardhur koha të vendoset se çfarë do të bëhet me të. Nevojiten të thirren aktorët kryesorë vendas e të huaj, të bëhet një analizë e thellë dhe e shumanshme dhe të krijohet një strategji kombëtare vetëm për këtë produkt, e cila të kontrollohet dhe zbatohet me afate të përcaktuara qartë.
Autori: President i Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA)
#