E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti Europian, sot seanca për Shqipërinë

Strasburg Pritet të flasë Ashton dhe të miratohet rezoluta

Parlamenti Europian rimerr sot sërish në shqyrtim situatën politike në Shqipëri për ta vulosur me miratimin e rezolutës së miratuar nga Komiteti për Punë të Jashtme. Gjithashtu pritet që përfundimi i seancës të shoqërohet me një deklaratë të rëndësishme politike, e cila pritet ta bëjë para eurodeputetëve Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, baronesha Catherine Ashton. Rezoluta vjen si pasojë e tekstit të hartuar nga eurodeputeti grek, Nicholaos Chountis, e cila teksa i hap rrugë liberalizimit të vizave për Shqipërinë, ngre problemin e krizës politike në vend. Vetë hartuesi i rezolutës, eurodeputeti grek, Chountis, e konsideroi miratimin e kësaj rezolute si një lajm të mirë për qeverinë dhe popullin në vend, por, nga ana tjetër, theksoi se Shqipëria duhet të përpiqet më shumë për procesin e integrimit, duke zgjidhur edhe krizën politike. Dokumenti i miratuar më 23 qershor në Strasburg i bën të ditur klasës politike shqiptare se nuk do të ecet më tej në dhënien e statusit të vendit kandidat nëse mazhoranca dhe opozita nuk bien dakord për zgjidhjen e krizës. “Kriteri politik është shumë i rëndësishëm për integrimin”, theksohet në tekst, i cili përkthehet se nuk mund të ecet përpara nëse nuk do të ketë një Parlament me funksionim të plotë, që nuk arrin të miratojë ligjet që kërkojnë 84 vota. Në rezolutë theksohet dhe duhet të miratohet një ligj i ri zgjedhor, i cili duhet të garantojë transparencën e zgjedhjeve.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›