E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia e punëtores: Norma ishte 1100 predha në ditë

1100 predha në ditë. Kjo ishte norma të cilën duhet të përmbushnin çdo ditë punëtorët civilë të depos së armatimit. Çdo ditë, 1100 copë predha, të cilat zbërtheheshin, laheshin, fshiheshin dhe sistemoheshin për t‘u transportuar më pas. Mira, 35-vjeçare, punëtore e fabrikës që merret me çmontimin e predhave të artilerisë, është ende nën efektin e dhimbjeve dhe traumës që ka pësuar, teksa përpiqej t‘i shpëtonte shpërthimit të madh dhe të dilte në rrugë. Ka ecur rrugë e pa rrugë, nëpër male siç thotë ajo, që nga depo e armatimit nëpër Prezë, për të dalë në Fushë- Krujë, kurse nëpër veshë u fishkëllenin zhurmat e shpërthimeve. Ka ecur rreth katër orë në këmbë, ndërsa në pjesën e kurrizit dhe fundshpinë është goditur fort nga gurët që si rezultat i shpërthimit janë shkëputur nga pjesa malore e zonës dhe kanë rënë mbi trupin e saj. Nga Fushë-Kruja është nisur drejt Vorës me një kamionçinë dhe prej aty të afërm e kanë sjellë në urgjencën e Spitalit të Durrësit. E shtrirë në një nga shtretërit e spitalit ajo mezi flet dhe përpiqet të tregojë për ferrin nëpër të cilin kaloi dhe që do të dojë kohë ta harrojë. "Ndoshta kurrë. Pashë një shoqe pune të vdekur, teksa vrapoja me gra të tjera për të shpëtuar",- thotë ajo për gazetën. Te koka i qëndron i shoqi, Mustafai, i cili falënderon Perëndinë që e shoqja është gjallë. "Unë isha turni i dytë të shtunën. Prisja orën 14:30 për të marrë turnin, ndërsa gruaja ime do ta linte punën në orën 15:00", - tregon Mustafai me sytë e lotuar, ku nuk është zhdukur ende gjithçka që përjetoi, ndërsa mendonte më të keqen për të shoqen që ishte në depo, m‘u në qendër të vatrës së shpërthimit. Mira Berisha, banuese në Vorë, sapo ka bërë një skopi, pasi si rezultat i traumës së pësuar dhe tymit toksik të thithur, bronket e saj janë të ngarkuara dhe rrezikon të marrë një bronkopneumoni. Është punësuar në fabrikë prej dy javësh dhe punonte në larjen e predhave për të siguruar një pagesë ditore prej një mijë lekësh. Mira kujton se pa shpërthimin e parë të flakëve, ndërsa po punonte. "Para se të shpërthente, zjarri isha aty ku lahen predhat, te magazina. Ishte ora 12 pa 2 minuta. Shkova të laj duart te një fuçi uji, afër tualetit, rreth 30 metra larg magazinës. Atëherë pashë zjarrin që shpërtheu në magazinë. Flaka u ngrit deri në 20 metra lartësi",- tregon ajo fillesat e asaj që u shndërrua në një katastrofë të vërtetë me pasoja të tmerrshme në jetët njerëzore dhe në dëme materiale. Mira shpjegon arsyen që në fakt çuditi, po dhe gëzoi shumë shqiptarë. Shpëtimin e shumë njerëzve që punonin brenda territorit të depos së armatimit. Ishte pikërisht ky zjarr i parë që dha kushtrimin për largim nga terreni në flakë, që për shkak të sasisë së madhe të barutit të hapur dhe predhave do të kalonte në një reaksion zinxhir shpërthimesh, ashtu si dhe ndodhi. Zjarri shpërtheu në magazinën ku mbahej baruti. Pacientja e urgjencës spitalore të Durrësit thotë se e mban mend orën e rënies së zjarrit, pasi ndërpreu punën për të larë duart, e bërë pushimin e drekës, në mesditë, gjatë të cilit bashkë me shoqe hanin nga një çapë bukë. Mira tregon se ndërsa pa zjarrin kur vazhdonte të lante duart dëgjoi drejtuesin e fabrikës të jepte alarmin e të urdhëronte: "Jashtë! Baruti mori flakë! Të gjithë dilni jashtë. Shpejt!" Në ato çaste filloi lufta për jetën. "Vrapuam fort, ndërsa po shihnim vdekjen me sy. Pashë një nga gratë që punonte me mua në larje u përmbys në tokë, e vdekur. Vala e flakës na kapi nga pas, në kokë e qafë, kur po vraponim për të dalë prej aty. Ishim afro 10 shoqe që u larguam bashkë në të njëjtin drejtim. Flaka ishte shumë e madhe. 4 orë ecëm maleve dhe dolëm në Fushë-Krujë të rraskapitura. Kuptuam se shpëtuam, po trupi më dhembte nga gurët që na ranë prej shpërthimit". Mira e traumatizuar thotë se puna që bënte në fabrikën që tashmë nuk ekziston më prej shpërthimit ishte e rëndë, e lodhshme. "Nuk është e lehtë të manovrosh në duar një predhë që peshon 15 kg. Ne duhet të bënim 1100 predha në ditë. Kjo ishte norma jonë ditore kolektive". Thotë se nuk është trajnuar para se të punësohej, po pohon se përgjegjësit, Vangjeli dhe Tani, u qëndronin shpesh në kokë, duke i këshilluar. Mira do të qëndrojë dhe pak kohë në spital për t‘u zhvendosur më pas së bashku me bashkëshortin në apartamentin e tyre në qytezën e Vorës. Atje, ku pasojat e shpërthimit të 15 marsit janë gjithashtu të dukshme dhe u duhet kohë për t‘u ndarë prej tyre, ndërsa kanë humbur edhe vendet e punës dhe kërkojnë ndihmë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›