Prokuroria merr dëshmitë e banorëve
Prokuroria e Durrësit nis mbledhjen e dëshmive për të zbardhur atë që ndodhi brenda territorit të depos së armatimit në Gërdec të Vorës. Së bashku me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, e përfshirë në hetime do të jetë dhe prokuroria e rrethit bregdetar, e drejtuar nga prokurori i rrethit, Arian Ndoja. Burime nga kjo prokurori bëjnë të ditur se puna e saj aktualisht është e përqendruar kryesisht në mbledhjen dhe dokumentimin e dëshmive të të gjithë personave, punonjës të fabrikës që bënte zbërthimin e predhave të artilerisë, si dhe banorë të zonës përreth depos së armatimit. Subjekt i organit të akuzës durrsake do të jenë të gjithë të plagosurit që u trajtuan në Spitalin e Durrësit, si dhe familjet e strehuara në Shtëpitë e Pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme. Ndërkohë të traumatizuarit e ngjarjes këto dy ditë janë përballur me një mori individësh që i marrin në pyetje për të dëshmuar për atë që përjetuan, si dhe atë që ndodhte brenda depos së armatimit në Gërdec, ku ndodhi tragjedia që ishte paralajmëruar edhe në zona të tjera armatimi në vend, të angazhuara në çminim dhe çaktivizim municionesh. Pas mbledhjes së dëshmive do të përcaktohet dhe roli i mëtejshëm i prokurorisë durrsake në procesin e mëpasshëm hetimor.