E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në këtë vit jubilar të Deklaratës Universale

Shpeshherë, autorë të ndryshëm i janë referuar një legjende të shumë shekujve më parë, sipas së cilës, diku, në një vend të Europës po ndërtohej një katedrale, ku tre gurgdhendës po copëtonin gurë për ngritjen e asaj bazilike. Legjenda vazhdon të tregojë, se kur një udhëtar i rastit i pyeti veç e veç gurgdhendësit për çfarë po bënin, i pari prej tyre iu përgjigj: “Unë po copëtoj gurë”; i dyti: “Unë po fitoj nga një cent në ditë” dhe i treti replikoi: “Unë po ndërtoj një katedrale për Zotin”.
Duke kujtuar që legjendat, ashtu sikurse përrallat dhe mitet bartin më së shumti të vërteta universale, nuk mund të mos justifikohet përmendja e saj jo një herë të vetme dhe jo nga një autor i veçuar. Aq më tepër që në këtë rast morali i fabulës ka të bëjë me perceptimin e ndryshëm që ka edhe sot secili për misionin e vet: Dikush beson që funksioni i tij është thjesht një veprim i çfarëdoshëm në këtë botë të komplikuar, një tjetër e vështron rolin personal për të siguruar jetesën kundrejt shpërblimit, ndërsa ndonjë tjetër, për të mbajtur frymën gjallë, duke i shërbyer të madhërishmit. Sidoqoftë, për të drejtat e tyre si individë duket që këta protagonistë nuk e vrasin shumë mendjen.
Mirëpo, që nga ajo kohë e së shkuarës së largët, kur i përkiste rrëfenja që dëftehet herë pas here, shumë ujë ka rrjedhur dhe plot gurë janë përdorur për të zhvilluar e ngritur jetën e tërë njerëzimit, për të kufizuar përherë e më tepër konfliktet brenda tij, për të mënjanuar elementët destruktivë të individit, por edhe për të krijuar ato kushte që do ta mundësonin njeriun që të përparojë. Në këtë proces të pandërprerë apo spirale në ngjitje, vazhdimisht është shtruar një pyetje: Çfarë janë të drejtat e njeriut dhe përse ekzistojnë ato? Përgjigjet e një pyetjeje të tillë kanë tentuar të identifikojnë karakteristikat themelore të këtyre të drejtave, elementët e realitetit që i krijojnë këto të drejta dhe që lejojnë shpjegimin e ekzistencës dhe tipareve të veçanta të tyre.
Në vargun e dokumenteve ligjore dhe të atyre gjysmëligjore (rekomanduese), që janë nxjerrë sidomos pas Luftës II, pra gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, përmes një veprimtarie intensive për ndërkombëtarizimin dhe kodifikimin e të drejtave të njeriut, një vëmendje e veçantë u kushtohet të ashtuquajturve “Deklaratë e Vjenës” dhe “Programi për Veprim”, që të dyja së bashku përbëjnë një dokument unik final i miratuar me konsensus të plotë në Konferencën Botërore për të Drejtat e Njeriut, e organizuar nën patronazhin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara jo më larg sesa dy dekada më parë, më 1993. Por, me gjithë rëndësinë e madhe të tij, që mund të besohet se i tejkalon edhe vlerat e dy pakteve ndërkombëtare të 1966–ës (Pakti për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, dhe Pakti për të Drejtat Civile dhe Politike), platforma ideore nxitëse për përpunimin e të gjitha këtyre akteve gjendet pa dyshim te Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, që u miratua më 1948, pra plot 65 vjet më parë.
Ishte kjo deklaratë që, së paku teorikisht dimensionoi vlerën e dinjitetit të njeriut, si baza absolute e të gjitha të drejtave të qenieve njerëzore. Mbi këtë bazë u hartua dhe u miratua veçse dy vjet më vonë Konventa Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, e cila, bashkë me disa protokolle shtesë të saj ka arritur të garantohen në kontinentin e vjetër 25 prej këtyre të drejtave dhe lirive. Mbi bazën e Deklaratës Universale u përpunua dhe hyri në fuqi edhe Konventa Panamerikane e të Drejtave të Njeriut (1968), si edhe Karta Afrikane për të Drejtat e Njeriut dhe Popujve (1981). Të tria këto konventa, ndonëse të miratuara gradualisht në dekada të ndryshme, garantojnë veç të tjerash, të drejtën për jetën, të drejtën për mosdiskriminim, lirinë dhe sigurinë e personit, të drejtën për një proces të rregullt gjyqësor, të drejtën për gëzimin paqësisht të pronës private, lirinë për tubimin dhe organizimin në shoqata etj, etj. Dhe, të tria së bashku, pa përjashtim garantojnë gjithashtu të drejtën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si e vetmja dispozitë materiale e tyre, që nuk kërkon ndërhyrje ose kufizim nga Shteti, por detyrim pozitiv për të.
E pra, çka tani në Shqipëri përkoi me një vit jubilar të Deklaratës Universale ishte zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare, që jo rastësisht dhe për herë të parë në të gjithë historinë e shtetit tonë u vu kaq shumë e kaq intensivisht në fokusin e vëmendjes së pothuajse të gjithë politikës dhe mediave ndërkombëtare. Ndodhi kështu, sepse gjatë gjithë tranzicionit të zgjatur në këtë vend të vogël të një gadishulli problematik, në mes të një kontinenti tradicionalisht të civilizuar, haptazi janë shkelur me të dyja këmbët gati të gjitha të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, duke u shkaktuar madje edhe i vetmi precedent në Europën e pas Luftës II Botërore: vrasja në mes të Kryeqytetit të vendit nga forcat qeveritare të katër protestuesve të pafajshëm dhe plagosja me plumb në trup e shtatë të tjerëve. Kjo qeveri, që kurrë nuk u interesua për zhvillimin e jetës së këtij vendi dhe mirëqenien e të drejtat e bashkëqytetarëve të saj, por në mënyrë kriminale për pasurimin e shfrenuar të klikës së vet, më së fundmi – falë edhe interesimit të ndërkombëtarëve – nuk arriti të fusë duart (si zakonisht) në kutitë e votimit të zhvilluar më 23 qershor 2013. Dhe ndëshkimi i popullit ndaj saj u bë i pashmangshëm. Kryeministri Sali Berisha, me fytyrë hipokrite dhe me duar të lara me gjak, edhe tashmë kur mesazhi i shqiptarëve është mjaft i qartë, ende nuk mund të besohet për reflektime të thella, nëpërmjet deklarimit të dorëheqjes nga drejtimi i partisë së udhëhequr prej tij. Ai nuk mund të besohet për reflektime të thella, sepse nuk u largua nga protagonizmi politik si një autoritet perëndimor, por si një fosile e komunizmit oriental, me tërë gjurmët e gënjeshtrave, ligësisë dhe pacipërisë, teksa vazhdon të krijojë me anë të pusullave dërguar bashkëpunëtorëve të tij, vetëm pak orë pas vetëdeklarimit të dorëheqjes, plane për destabilizimin e afërt të vendit dhe gremisjen përfundimisht në greminë të ekonomisë shqiptare.
Tashmë, kur iu hap rruga Rilindjes në këtë vend të vogël të një gadishulli problematik, në mes të një kontinenti tradicionalisht të civilizuar, përveç autoriteteve qeverisëse, veçanërisht juristët kanë detyrimin specifik për të mbështetur garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të bashkështetasve të tyre dhe jo të vazhdojnë në prirjen për t’i konsideruar këto të drejta si një disiplinë tjetër e së drejtës, e të njëjtit nivel me të drejtën për shoqëritë tregtare, për taksat, apo me të drejtën administrative. Edhe avokatët ndërkombëtarë, me përgatitje dhe dije të shumanshme ligjore, të cilët, sipas të dhënave të pak viteve më parë, u japin këshilla më shumë se 53.000 shoqërive shumëkombëshe dhe 400.000 shoqërive ndihmëse të tyre, që kontrollojnë dy të tretat e tregtisë botërore, tek e fundit janë ndërgjegjja e këtyre entiteteve dhe mbrojtëse besnike të tyre ndaj dhunimeve të të drejtave themelore. Duke ndihmuar përditë në zgjidhjen e një mizërie transaksionesh kufitare, ata ushtrojnë ndikim të jashtëzakonshëm edhe mbi marrëdhëniet ekonomike dhe humane.
Nëse mbrojtja e të drejtave të njeriut është detyrë e të gjithë “individëve dhe shoqërisë”, siç shpallte 65 vjet më parë Deklarata Universale, për profesionistët e ligjit në frymën e shërbimit publik kjo mbrojtje fiton një rëndësi të dorës së parë dhe bëhet qëllim final apo arsye e ekzistencës së tyre (’raison d’etre’). Prandaj, në fund të këtyre radhëve e shoh të arsyeshme t’i thërras kujtesës, për të shënuar çfarë tha Eli Vizel (Elie Wiesel) në Konferencën e ABA (American Bar Association) pesëmbëdhjetë vjet më parë, me rastin e 50-vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut: “Janë juristët ata që bëjnë pjesë në grupet e të drejtave të njeriut, në Lidhjen Ndërkombëtare dhe lidhje të tjera të të drejtave. Juristët. Përse? Sepse ligji duhet të jetë në anën e njerëzve – jo në anën e të fuqishmit, por në atë të njerëzve. Dhe, në qoftë se ekzistojnë njerëz që vuajnë, më e pakta që mund të bëjmë është të ndajmë dhimbjen e tyre, më e pakta që mund të bëjmë është të themi: Ne e dimë që ju vuani. Dhe vetëm mendimi që ju vuani na shkakton dhimbje dhe nuk mund të flemë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›