Në kohë emergjencash dëgjohet më shumë krakëllima e korbit të opozitës
E zeza e pendëve të tij dhe thirrjet e zymta, e bëjnë korbin, i cili ushqehet me kalbësira, një zog të ogurit të keq. Ky reputacion mund të gjendet gjithashtu në PS, kur kreu i kësaj partie krakëllin në rrjetin social “twitter” kundër shtabit të emergjencës. Edi Rama sulmoi jerm qeverinë Berisha pa pasur haberin fare seç po ndodh në të vërtetë, në disa zona të vendit. Për opozitën bora dhe ngrica janë produkte të kushteve atmosferike, por faj i qeverisë Berisha dhe sipas Ramës, në veri nuk ka shkuar asnjë ndihmë, ndërsa shteti fsheh “ngricat” ekonomike. Ku e kundërta është e vërteta: ka 7 ditë që situata po menaxhohet me kujdes nga komitetit ndërministror i emergjencave civile.
Ndërsa shumë ministra të qeverisë dhe vetë kryeministrit Berisha prej ditësh janë në terrenin e thyer të veri-lindjes së vendit për të mbajtur situatën nën kontroll; kreu i opozitës duke u ngrohur në oxhakun e shtëpisë në Pezë angazhohen me kompozimin e 140 shkronjave për një fjali me efektin e një orteku si pjesë e strategjisë moderne të ardhjes në pushtet. Sigurisht do të kish qenë inkurajuese një letër publike në mbështetje të forcave të policisë, ushtrisë e personelit të shëndetësisë në këto momente jo fort të lehta për vendit, por Rama shkruan një fraza të gatshme për fletërrufe pa stil kundër punës së shtabit të përgjithshëm të emergjencave civile. Kjo sjellje e papërgjegjshme në kufijtë e cinizmit nxjerr në pah edhe një herë më shumë fytyrën pa gjak të kreut të opozitës, që ndërsa vendi vuan kapriçiot e motit…Rama krakëllin në rrjetin social sikur të ishte një qyqe ndjellëse e së keqes.
Kuptohet vetiu që ngrica, i ftohti dhe bora ka mbërthyer Europën, sidomos Italinë dhe Ballkanin Perëndimor ku ka pasur male dëbore dhe kanë sjellë shumë të vdekur për shkak të hipotermisë; megjithëse në asnjë nga këto vende opozita nuk ka akuzuar qeverinë për fajin e stuhive të dëborës sepse do të ishte absurde. Afërmendsh situata të tilla ftojnë për solidaritet shpirtëror pa kufi dhe ndihmë financiare e materiale apo njerëzore në varësi të mundësive. Ne nuk mund të bëjmë luftë me natyrën, por duhet që me çdo kusht t’u vijmë në ndihmë banorëve të izoluar prej dëborës. Vendi është afër momentit të një “mobilizimi” sadopak qytetar e shumë shtetëror për ndihmuar me çfarë është e mundshme zonat e bllokuara nga bora polare. Po ashtu solidarizimit kombëtar me forcat e emergjencës civile është më së paku një detyrë morale. Dhe së dyti, sigurisht, nuk është koha e gjetjes së fajtorëve politikë të rënies së paprecedentë të borës dhe izolimit total të shumë komunave të thella. Duhet të jesh i huaj me vështirësitë logjistike të viseve të thella të pakalueshme në kohë shtrëngesash bore të acartë për të gjetur diçka politike. Opozita e kryesuar nga i Papranueshmi e ka provuar të bëjë politikë edhe emergjenca të mëparshme siç ishin përmbytjet në zonën perifike të Shkodrës dhe Lezhës. Për të mbledhur pakënaqësitë e natyrshme të njerëzve në nevojë, kreu i opozitës i faturon qeverisë Berisha situatën e vështirë, në këtë mënyrë konverton pakënaqësinë në urrejtje dhe mosbesim ndaj strukturave shtetërore.
Sidoqoftë qytetarët janë të aftë të gjykojnë politikanët për veprimet dhe mosveprimet e tyre jo vetëm në gjendje normale, po edhe kur natyra mësyn zonat e thella me furinë më të paimagjinueshme. Ministrat e kabinetit qeveritar vazhduan edhe dje, mbikëqyrjen në terren të situatës së krijuar prej shtimit të reshjeve të borës dhe uljes së temperaturave.
Lavdrim Lita